“‘Vila me tri porta’ dhe porta drejt lirisë…”

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 16:18 | Blog

“‘Vila me tri porta’ dhe porta drejt

Nga Denada Jushi

Vila me tri porta nuk është vetëm një rrëfim për internimin e familjes së një gjenerali që ishte në anën e komunizmit, derisa një ditë, komunizmi e internoi familjen dhe e burgosi atë vetë për tetë vjet, pa të drejtë takimi me familjen.

Është edhe historia e një vajze që në nisje të librit është 14 vjeçe. Jeton në një vilë në mes të bllokut, rritet, arsimohet, nis të punojë në institut si fizikante, martohet, bëhet nënë… dhe papritur një ditë…

I komunikohet se duhet të lerë punën, qytetin, të ndahet nga bashkëshorti, të mbledhë rrobat dhe, së bashku me djalin disa muajsh, të internohet në Berat. Sepse, tashmë, është vajza e “armikut të popullit”.

Vera, që në bisedat e darkave rrinte me Ismail e Helena Kadarenë, Spartak Ngjelën e të tjerë, tani punon në fshatrat Kutalli dhe Vodëz, në kooperativat e humbura të internimit. Ku i duhet të përballet e njihet më anën që tjerët pësuan në kurriz 45 vjet...!

Është një tregim se nga e keqja nuk shpeton askush, as ata që në nisje e keqja i vë në sherbim.

Nuk dua të tregoj më shumë për librin, sepse dua që ky shkrim të jetë një ftesë për ta lexuar vetë, e për të parë edhe një tjetër anë të medaljes: bijtë e prokurores dhe gjeneralit që besuan në utopinë e komunizmit.

Pyetjet që e bija i bën nënës për atë sistem janë të rëndësishme:

A dyshoje ndonjëherë, nënë? Apo vetëm kur e përjetove vetë në kurriz?

Si ndjehet një nënë që ka shërbyer si prokurore, ndërsa sheh katër fëmijët e saj të kalojnë nëpër ferr?

Për përgjigjet, duhet të lexosh librin…

Ama ajo që më mbeti në grykë, bashkë me lotët, ishte “porta” drejt lirisë.

Vitet 1990–1992… shpresat, ëndrrat, dëshirat që kishin qindra, mijëra shqiptarë, që prisnin me padurim që fundi i asaj rruge të vinte…

Që dielli do të lindte sërish, edhe për ta.

Liria erdhi.

Por me dramat e saj.

Pritja nuk ishte ajo që pritej.

Sfidat qenë të mëdha, por me lirinë erdhi edhe zhgënjimi…

Edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, ajo periudhë u “tapos”, si të mos kishte ekzistuar kurrë.

Pushteti ishte më i fortë se dhimbja e secilit prej atyre që përjetuan dehumanizimin.

Askush nuk tha një “më fal”.

Porta e lirisë pati një çmim të shtrenjtë.

Shumë prej tyre e gjetën lirinë jo në vendin e tyre, por larg, shumë larg,si për të thënë se shërimi nuk vjen tek vendi i vuajtjes.

Këto vite am takuar jo pak të mbijetuar. 

Që, çuditërisht, duket se më shumë i rëndon zhgënjimi që ndjenë pasi hapën portën drejt lirisë, sesa vuajtja çnjerëzore që kaluan në internime dhe burgime.

Sepse, siç më tha një mik një ditë, duke cituar një thënie krejt të drejtë:

“Njeriu pranon të poshtërohet njësoj, por kurrë të respektohet njësoj…”

Diktatura për 45 vjet poshtëroi këdo në këtë vend.

Ama në liri, ne nuk ditëm të respektonim… dhimbjen, vuajtjen, dramën e gjithsecilit.

Përkundrazi, garuam: kush vuajti më shumë?

Në një botë dhe kohë që i ngjante një tajfuni, që mori ç’takoi përpara dhe la pas vetëm shkatërrim…

Ende sot e kësaj dite nuk flasim për çfarë ndodhi, por meremetojmë me gënjeshtra dhe hipokrizi zemrat që ende rrjedhin gjak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos