
Rambuje, Vjenë, Bruksel - tri qytete, tri procese, tri përpjekje për të vendosur fatin e Kosovës. Dy të parat, për t’i dhënë fund luftës dhe për të zgjidhur statusin, sollën rezultate të prekshme, pavarësisht refuzimeve të Serbisë; e treta, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, prej vitesh mbetet në vendnumëro.
Dialogu mes tyre për këtë qëllim nisi zyrtarisht në vitin 2011. Qeveria e Kosovës e pranoi atë si obligim ndërkombëtar, pas votimit të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2010.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, takimi i parë u mbajt më 9 mars, 2011. Delegacionin e Kosovës e udhëhiqte Edita Tahiri, ndërsa atë të Serbisë Borisllav Stefanoviq.
Negociatat mes palëve përgjatë muajve prodhuan disa marrëveshje - nga lëvizja e lirë deri te menaxhimi i kufirit dhe çështjet kadastrale.
Ndonëse ishte paralajmëruar se do të bisedohej vetëm për çështje teknike, procesi kaloi në nivel politik në vjeshtë të vitit 2012. Takimi i parë mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, u zhvillua më 19 tetor.
Dhe, më pak se gjashtë muaj më vonë, ata arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve - një moment që ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, e përshkroi si “hap më afër Evropës”.
“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme se ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe një hap më afër Evropës”, tha Ashton.
Nga ajo kohë kanë kaluar mbi 12 vjet. Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri të negociatave për anëtarësim që prej vitit 2021.
Gjatë këtyre viteve, palët zhvilluan dhjetëra takime - shpeshherë të gjata maratonë. Si negociatorët, ashtu edhe ndërmjetësuesit u ndërruan, por shumica e marrëveshjeve të arritura, nuk u zbatuan kurrë plotësisht ose fare.
Tensionet, akuzat dhe fajësimet nuk munguan gati në asnjë periudhë dhe kulmin e arritën në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një rreshter.
Incidenti u përshkrua si më i rëndi që nga paslufta dhe bëri që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tani në detyrë, të refuzojë edhe sot e kësaj dite çdo takim të nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kusht i tij për rifillimin e dialogut ishte dhe mbetet dorëzimi i autorit të dyshuar të sulmit, Millan Radoiçiq.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha ai në një mbledhje të Qeverisë, vitin e kaluar.
Qeveria e Kurtit është në detyrë prej disa muajsh. Këtë javë, ai u pyet nga mediat serbe nëse, pas formimit të Qeverisë, ekziston ndonjë plan për vazhdimin e dialogut. Ai theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve, por përsëriti se çdo hap përpara është i lidhur ngushtë me dorëzimin e Radoiçiqit dhe me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve - e arritur mes tij dhe Vuçiqit në shkurt të vitit 2023.
“Duket se kjo nuk do të ndodhë shpejt, sepse Serbia, për fat të keq, po shndërrohet në një Bjellorusi të dytë në Evropë. Nëse Kremlini ka në verilindje Bjellorusinë, në juglindje të Evropës, fatkeqësisht, ka Serbinë”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në deklarata publike shfaqet i hapur për dialog, por, njëkohësisht, përsërit qëndrimin se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Për ish-diplomatin Ylber Hysa, qëndrimi refuzues dhe konfrontues i Serbisë është i njohur që nga negociatat e Rambujesë dhe ato të Vjenës, ku ai vetë ishte pjesë e delegacionit kosovar.
Dialogun aktual, Hysa e sheh vetëm si vazhdimësi të këtyre proceseve dhe thekson se Kurti duhej të tregonte më shumë këmbëngulje, duke pasur parasysh se gjenerata e mëparshme e negociatorëve krijoi një realitet të pakthyeshëm - Kosovën e pavarur - pavarësisht kërcënimeve, madje edhe ekzistenciale, për popullin e Kosovës.
“Zoti Kurti duket se ka dashur të blejë kohë, nga frika se mund të pranonte diçka, që do ta sfidonte perceptimin e tij politik si i vetmi lider që i kundërshtonte të gjitha ato rrugëtime të dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai e ka pasur konceptin e tij të Vetëvendosjes, në kuptimin që vetë vendos. Dhe, mbase kjo ka qenë një barrë politike për të, për të ecur përpara”, thotë Hysa për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Motoja e Lëvizjes Vetëvendosje, që nga fillimet e saj, ishte “Jo negociata, Vetëvendosje”. Nën këtë parullë, partia e Kurtit ndërtoi edhe identitetin e vet politik, duke kundërshtuar çdo formë të dialogut me Serbinë, që, sipas saj, cenonte parimin e vetëvendosjes së popullit të Kosovës.
Në vitin 2012, pas takimit të parë Thaçi-Daçiq, Vetëvendosje organizoi edhe protesta kundër bisedimeve, duke i cilësuar ato si lëshim ndaj Serbisë.
Mbi një dekadë më vonë, Hysa thotë se Kurti erdhi në pozitën që të pranonte Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që, sipas tij, ishte oferta e parë e diplomacisë ndërkombëtare që nuk parashikonte njohje reciproke për Kosovën - ndonëse vazhdon të mos zbatohet prej asnjërës palë.
Ai tani dyshon se ka ende hapësirë për ndonjë përparim real në këtë proces, për shkak të rrethanave ndërkombëtare.
“Është një tren i ikur edhe në kuptimin gjeopolitik. Ajo që do të mund të bëhej në kohën e [ish-presidentit amerikan, Joe] Biden, kur kishte një përpjekje për t’u rilidhur në komunitetin transatlantik, tani është kohë e shkuar. Ishte edhe koha para nisjes së luftës në Ukrainë. Ishte një momentum që nuk i konvenonte shumë zotit Vuçiq. Kurse, pas luftës në Ukrainë, ai e gjeti shtegun e mbijetesës. Serbia u bë ndër vendet e vetme që nuk i vuri sanksione Rusisë dhe, në të njëjtën kohë, i shiste armë edhe Ukrainës”, thotë Hysa.
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonalizëm në Novi Sad, vë në dukje se marrëdhëniet transatlantike ndodhen tani në një pikë jashtëzakonisht të ulët. Me vëmendjen globale të tërhequr nga krizat në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe vende të tjera, dialogu Kosovë-Serbi, sipas tij, funksionon më shumë si një mjet për të mbajtur status quo-në, sesa për të sjellë zgjidhje reale.
Popov nuk sheh - së paku tash për tash - ndonjë rrugë të qartë që do të mund ta rivendoste dialogun në një trajektore funksionale dhe efektive.
“Kurti nuk ka arsye ta shtyjë përpara, sepse, në masë të madhe, e ka arritur qëllimin e tij: shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës. E vetmja gjë që nuk ka arritur, është ta anëtarësojë Kosovën në më shumë organizata ndërkombëtare. Vuçiqit, gjithashtu, nuk i përshtatet, sepse çdo ditë kemi protesta antiqeveritare në Serbi dhe pushteti është duke humbur kontrollin mbi situatën”, thotë Popov për Exposenë.
Marc Weller, i cili ka shërbyer si këshilltar ligjor i Kosovës në Konferencën e Rambujesë dhe në procesin e Vjenës, thekson se domosdoshmëria e zgjidhjes së çështjeve midis Kosovës dhe Serbisë është e pamohueshme, për shkak të afërsisë së tyre gjeografike. Ai kujton se në dy proceset e mëparshme, Serbia refuzoi të nënshkruante marrëveshjet, ndërsa Kosova mori përsipër detyrimet në mënyrë të njëanshme për të arritur pavarësinë.
Sot, në dialogun e Brukselit, thotë Weller, presioni bie sërish mbi Kosovën për të bërë lëshime të reja, por Kurti, sipas tij, është më pak fleksibil dhe më pak bashkëpunues me ndërkombëtarët.
“Dhe pikërisht këtu kemi ngecur - Kosovës i thuhet se duhet të themelojë fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por askush nuk e di nëse Serbia do ta zbatojë më pas pjesën e saj të marrëveshjes”, thotë Weller për Exposenë.
Ai thekson se dialogu ka nevojë për një fillim të ri dhe për një qasje më të balancuar të Perëndimit ndaj Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja shtetet t’i përmbushin detyrimet e tyre.
Ndryshe nga periudha e Rambujesë dhe e Vjenës, kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara vepronin në një linjë, ai vëren se angazhimi i administratës aktuale amerikane është i paparashikueshëm.
“Ne nuk e dimë saktësisht se si do ta trajtojë administrata Trump çështjen e Kosovës. Mendoj se Kosova ka arsye të jetë paksa nervoze për kthimin e saj, si dhe të përfaqësuesit të saj të posaçëm [Richard Grenell], i cili mund të përpiqet të imponojë ndonjë lloj veprimi”, thotë Weller.
Marrëdhëniet mes Qeverisë së Kurtit dhe SHBA-në u ndërlikuan qysh në kohën e administratës së parë të presidentit Donald Trump. Atëkohë, Qeveria e tij u rrëzua me mocion mosbesimi nga partnerja në koalicion, LDK-ja, por Kurti akuzoi Grenellin për ndërhyrje, me qëllim, siç pretendoi, arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria “Kurti 1” ra në mars të 2020-ës, ndërsa në shtator të atij viti, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, në praninë e presidentit Trump. Nënshkruesit ishin kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq.
Javën e kaluar, ndërmjetësuesi aktual i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, qëndroi në Prishtinë, ku zhvilloi bisedime me kryenegociatorin Besnik Bislimi për, siç u tha, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në gusht, Sorensen kishte takuar udhëheqësit e të dyja vendeve, në Kosovë dhe në Serbi, por pa ndonjë shenjë për rifillimin e shpejtë të dialogut në nivel të lartë.
Radio Evropa e Lirë u përpoq të bisedonte me Sorensenin për planet e tij në ndërmjetësimin e këtij procesi dhe të tjera, por pa sukses.
Ngjashëm, as BE-ja nuk iu përgjigj emaileve të REL-it.
Sipas ish-diplomatit Ylber Hysa, Kosova dhe Serbia pritet të mbeten në një ngërç të zgjatur politik - e këtë herë jo vetëm për shkak të vullnetit të tyre, por edhe për mungesën e një nxitjeje reale ndërkombëtare për t’i çuar bisedimet përpara.
“Modeli i suksesit për Kosovën dhe Ballkanin ka qenë uniteti transatlantik dhe konsensusi i aktorëve të brendshëm. Kjo ka qenë një recetë që ka prodhuar rezultate historike në Rambuje dhe në Vjenë. Druaj që një realitet të tillë nuk e jetojmë më në jetën e sotme politike”, thotë Hysa.
E, një parashikim të saktë se çka mund të ndodhë nëse mosmarrëveshjet politike përshkallëzohen në dhunë - siç paralajmërojnë jo rrallë përfaqësuesit politikë - nuk e ka asnjëri.
Me fjalët e Hysës, mungesa e çfarëdo lajmi për Kosovën dhe Serbinë në vitin 2025, mund të jetë lajm i mirë./REL (A2 Televizion)
