"Gabimi më i madh i Nanos dhe Berishës pas rënies së diktaturës"

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 17:35 | Blog

"Gabimi më i madh i Nanos dhe Berishës pas rënies së

Nga Ardi Stefa

Gjatë këtyre 35 viteve nuk u bë drejtësi për krimet e komunizmit në Shqipëri. Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, ku diktatorët u gjykuan dhe viktimat u rehabilituan, Shqipëria zgjodhi harresën, bëri kompromise të heshtura dhe një “tranzicion pa ndarje”. Këtu, komunizmi nuk u shemb, u zbut. Nuk u dënua, u rimishërua në pluralizëm.

Tranzicioni shqiptar nuk pati asnjëherë ndarje me të shkuarën, por ishte vazhdimësi e saj me petka të tjera.
Kur sistemi u rrëzua në vitin 1991, shpresa e madhe ishte se do të vinte një epokë e re lirie dhe drejtësie. Por ajo që ndodhi ishte krejt tjetër: trashëgimia e diktaturës kaloi si pronë familjare nga një dorë në tjetrën.
Komunizmi ra, ra pa u rrëzuar. Ra pa llogaridhënie, pa gjyqe, pa ndëshkim moral e ligjor. Ra vetëm si fasadë, jo si sistem. Edhe sot e kësaj dite televizioni shfaq filma të asaj periudhe krejtësisht të indoktrinuar, duke vazhduar të mbjellë helm.

Në vendet e tjera ish-komuniste, diktatorët u përballën me drejtësinë, dosjet u hapën, viktimat patën zë dhe njohën qoftë edhe pas vdekjes drejtësonë, ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta: ish- pushtetarët u bënë demokratë, ndërkohë që viktimat u lanë në harresë.

Fatos Nano, brenda një nate, trashëgoi Partinë e Punës së Shqipërisë. Veç emrit që i ndryshoi, nga PPSH në PSSH, nuk preku asgjë tjetër: njerëzit dhe mentaliteti mbetën të njëjtët, strukturat po ato, fryma dhe organizimi gjithashtu. Edhe në gjuhë, në fjalorin politik, ruajti termin “shok”. Dhe, mbi të gjitha, nuk pati asnjë ndarje morale me Enver Hoxhën.

Në vend që të ndante vijën midis diktaturës dhe pluralizmit, Nano e zbuti, e zbehu, e relativizoi krimin e diktaturës komuniste me një fjali që do të mbetej emblemë e një mentaliteti të përjetshëm: “I mirë, i keq, ai është ati ynë!”Fatkeqësisht, kjo ishte vula e pajtimit me krimin. Nga ana tjetër, Sali Berisha, që erdhi në pushtet si shpresë e antikomunizmit, nuk u shkëput asnjëherë nga rrënjët, e kaluara dhe bindja e tij ideologjike. Ai e kamufloi komunizmin rrënjosur tek ai, me një formë më tinzare: kriptokomunizmin.

Deklarata e tij famëkeqe: “Jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” ishte ishte varri i parë i demokracisë shqiptare, një akt amnistie morale për xhelatët dhe një grusht i dytë edhe më vdekjeprurës për viktimat. Me atë shprehje barazoi viktimat me persekutorët; fshiu dallimin midis atyre që vuajtën dhe atyre që i vranë. Fshiu kufijtë moralë, vrau drejtësinë drejtësia, groposi të vërtetën dhe largoi të ardhmen...
Barazia e viktimës me xhelatin ishte një goditje e rëndë për vetë themelet e demokracisë.

Ligji 7501 dhe ligjet e tjera të atyre viteve, të cilat Sali Berisha i miratoi “i detyruar”, ishin vulë juridike mbi padrejtësinë, një mënyrë për të mbajtur gjallë status quo-në e pronës, mendësisë dhe hierarkisë që kishte ngritur diktatura.

Pronat u mbajtën peng, familjet e viktimave u lanë në mëshirë të fatit, ndërsa ish- eksponentët e regjimit filluan të flisnin për “vlerat e socializmit”.

Shqipëria nuk e bëri asnjëherë dekomunistizimin, as në institucione, as në arsim, as në kulturë. Madje edhe në politikë, sot e kësaj dite, të dyja kampet ruajnë ADN-në e sistemit të vjetër: hierarkinë e verbër, kultin e udhëheqësit, propagandën e frikës dhe mungesën e ndëshkimit moral.
Kështu, në vend që komunizmi të dënohej, u rehabilitua nën petkun e demokracisë. Krimet nuk u gjykuan, sepse autorët e tyre nuk dolën kurrë nga skena, vetëm ndërruan kostumet, titujt e karriget.

Sot, 35 vite më pas, Shqipëria ende nuk e ka mbyllur atë kapitull, sepse nuk e ka lexuar kurrë siç duhet.
Varret e të pushkatuarve kërkojnë ende drejtësi, dosjet duhet të hapen e të dalin në dritë, ndërsa e kaluara ende sundon politikën, vret moralin dhe ndërgjegjen kolektive.

Në Shqipëri mungoi ndarja e qartë me krimin e diktaturës dhe vetë diktaturën. Dhe pa atë ndarje, çdo sistem, sado i ri, lind i kalbur një demokraci që ngrihet mbi heshtjen e viktimave, është thjesht një diktaturë me emër tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos