DOSSIER: Kur hidheshin themelet e PS dhe përplasja e Fatos Nanos me Dritëroin

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2025, 17:27 | Blog

DOSSIER: Kur hidheshin themelet e PS dhe përplasja e Fatos Nanos me

Nga Hamdi Jupe

Si e njoha
E pashë për herë të parë në marsin e vitit 1990 në sallën koncerteve në katin e tretë të Pallatit të  Kulturës në Tiranë. Rreth 40 vjeç, me flokë të rëna përpara që kishin filluar të zbardheshin para kohe, me gjyslikë me skelet kauçuku të trashë, ishte aty në një tubim  për problemet aktuale të vendit, bashkë me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Kleanthi Koçi. I kishte dërguar udheheqja e lartë për të shpjeguar “reformat e reja” që po ndëmerrte regjimi për të shpëtuar nga kolapsi i komunismit që kishte pushtuar lindjen. Nano foli për “mekanizmin e ri ekonomik”, një kopje e zbetë e vetadministrimit jugosllav, që kërkonte të aplikonte regjimi i Tiranës, tani që atë e kishte braktisur vetë Jugosllavia.

Po përpiqesha të kuptoja ato që thoshte specialisti i ekonomisë politike, që vinte nga zyrat e Institutit të Studimeve Marksiste, por nuk po merrja vesh asgjë, edhe pse e kisha lexuar librin për përvojën jugosllave.  Nano fliste në mënyrë të turbullt, të paqartë, sikur nuk i kuptonte as vetë ato që thoshte. Më vonë do të mësoja se kjo ishte mënyra e tij për të shmanguar të vërtetën e hidhur: që ai nuk i besonte as vetë ato që  thoshte për “mekanizmin e ri ekonomik”, por e kishin detyruar të vinte të fliste ashtu në atë auditor. Në tetorin e po atij viti ai deklaroi në një intervistë në radion “Zëri i Amerikës” se e vetmja zgjidhje për Shqipërinë ishte ekonomia e tregut. 

Kongresi i fundit
Delegatët e Kongresit të Dhjetë të Partisë së Punës erdhën në Tiranë atë ditë gati fshehurazi, nga frika e sulmeve prej turmave të irrituara të opozitës. Teknikisht, ai ishte kongres i zakonshëm, që zhvillohej një here në pesë vjet. Praktikisht ishte i jashtëzakonshëm, sepse zhvillohej në rrethanat e pluralizmit politik në vend, pas gati pesëdhjetë vjetësh monizëm. Kështu, kongresi pritej të shkruante “nekrologjinë” e asaj partie.

Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare të zhvilluara tre muaj më parë, më 31 mars të atij viti, por ajo ishte gati në ilegalitet. Në të gjitha qytetet e mëdha ato ishin fituar nga opozita,  me sistemin e pastër mazhoritar, me 250 deputetë. Numri 1 i Partisë së Punës Ramiz Alia, kishte humbur në zonën e tij zgjedhore në Tiranë, përballë një inxhinieri të panjohur të opozitës.

Megjithëse me një mazhorancë të qartë në Kuvend, gati dy të tretat, Partia e Punës  kishte deshtuar të krijonte një qeveri të qëndrueshme me kryeministër Fatos Nanon, përballë protestave masive të opozitës. Në këto rrethana, situata në Kongres ishte e elektrizuar. Nuk dihej si do të shkonin punimet e tij dhe e ardhmja e partisë. Për nga diskutimet dhe reagimet e delegatëve, Kongresi i ngjante një kaosi të plotë e pa rrugëdalje. Udhëheqja e çoroditur e partisë, që deri në ditën e fundit besonte se në Shqipëri nuk do të kishte pluralizëm politik, nuk e kishte përgatitur masën 100 – mijëshe të anëtarësisë për ndryshimet radikale.

Flitej se një grup intelektualësh nga gjiri i saj po përgatiteshin të krijonin një parti krejtësisht të re. Një grup tjetër intelektualësh të shquar si Servet Pëllumbi, Ismali Lleshi, Qamil Buxheli, Moikom Zeqo etj përpiqeshin me diskutimet e tyre, të orientonin kongresin drejt reformimit social-demokrat të partisë. Në lozhën e sallës së Pallatit të Kongreseve ndodheshin të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të Hoxhës, deri atëhere anëtarë të Byrosë Politike, mbi 70 vjeç, si dhe e veja e diktatorit Nexhmije Hoxha.

Agolli: “Unë po largohem, se nuk e duroj dot erën e të vdekurit”
Në disktumin e tij nga tribuna e Kongresit shkrimtari Dritëro Agolli  kritikoi ashpër regjimin e kaluar dhe vetë Enver Hoxhën. Kjo irritoi sallën dhe bëri që ajo të ndërpriste disa herë diskutimin e tij me thirrjet: “Enver Hoxha”, “Parti - Enver, jemi gati kurdoherë”. Ishin rreth shtatëdhjet përqind e delegatëve që po i kundërviheshin  Dritëroit me thirrje dhe fletushka kundërshtuese që vërshonin lumë  në foltoren e Kongresit. Rreth tridhjetë delegatë të ulur në presidiumin e tij, vështronin të lemerisur sallën e madhe prej dy mijë delegatësh që po thërriste kundër poetit.  

Kjo situatë provokuese, aspak e kulturuar ndaj një shkrimtari të madh, e detyroi atë të linte mënjanë diskutimin që po lexonte deri në ato çaste dhe të fuste dorën në xhepin e majtë të xhaketës. Prej andej nxori një letër që, me sa duket, ishte varianti i dytë “rezervë” i diskutimit të tij. Ai e kishte parashikuar që mund të ndodhte edhe kjo që po i shfaqej tani përpara syve. E  priste këtë reagim të sallës, prandaj kishte shkuar atje me dy diskutime. Tani ai filloi të lexonte variantin e dytë  të diskutimit:

“Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt … Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë, po mundët. Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri.” I vdekuri ishte Partia e Punës.

DOSSIER: Kur hidheshin themelet e PS dhe përplasja e Fatos Nanos me
Dritëro Agollli duke diskutuar në Kongresin e Dhjetë të Partisë së Punës

“Ikja” e Dritëroit
Salla vazhdonte të ulërinte: “Parti – Enver, jemi gati kurdohere!” Por ajo nuk e kishte parashikuar se punët do të shkonin deri këtu, pra në largimin e poetit të madh nga partia. Kjo ikje ishte fatale për ta. Dritëroi mblodhi letrat e diskutimit dhe u largua nga foltorja, duke dalë nga salla e madhe e Pallatit të Kongreseve, për t’u treguar delegatëve se atje nuk kishte më vend për të.

Nëpër korridoret e Pallatit grupe delegatësh që kishin dalë nga salla po thërrisnin të lemerisur, duke shkulur faqet me thonj: “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona, duke ngritur dorën kundër njeriut tonë, poetit të madh Dritëro dhe e bëmë atë të largohej. E kush mbeti tjetër tani në këtë parti!”

Ata që kishin sulmuar Dritëroin në sallë ishin delegatë nga Tirana e rrethet, pjesa më e pandriçuar e partisë, njerëz të thjeshtë, punëtorë e fshatarë të vuajtur, të bombarduar prej dyzetë vitesh nga propaganda komuniste për “udhëheqësin e madh e të pagabueshëm” Hoxha. Ata tani po e shikonin veten të tradhtuar nga të gjitha anët, prandaj po përjetonin haluçinacionet e zhgënjimit të madh.

Udhëheqja e re
Në ditën e tretë të Kongresit u “zgjodh” udhëheqja e re e partisë, Komiteti i ri Qendror i saj me votim të fshehtë të delegatëve. “U zgjodh” me thonjëza, sepse emrat e rinj dukej sikur ishin përzgjedhur nga një dorë e kujdeshme, pavarësisht nga votimi i Kongresit, me qellim që në listë të mos kishte asgjë nga e kaluara. Në atë listë “fituesish” bënte pjesë edhe Dritëroi, që kishte deklaruar një ditë më parë “largimin” nga partia.
Kur Dritëroi kishte dalë nga salla e madhe e Pallatit të Kongresive një ditë më parë, një grup delegatësh ishin sulur pas tij dhe nuk e kishin lënë të largohej, siç kishte deklaruar (“unë po largohem…”) E kishin mbajtur “me zor” nga krahët, ata që i kishin ndërprerë fjalimin-funeral ndaj regjimit. Le të ikte ai, “i vdekuri që vjen erë”, por jo Dritëroi. Dhe ai qëndroi atje deri në fund të jetës, për ta shtyrë “gërdallën histori majtas, majtas, majtas!”

Zgjedhja e Sekretarit të Parë
Problemi tani ishte zgjedhja e Sekretarit të Parë të Partisë nga Komiteti. Përfliteshin disa emra, midis të cilëve edhe Fatos Nano. Ky nuk pranonte të zgjidhej dhe prandaj mbledhja e Komitetit për zgjedhjen e Njëshit të saj po zgjatej pa mbarim. Për të shpëtuar nga detyra e kryetarit  të partisë, Nano kishte marrë një post ministri për tregtinë e jashtme në qeverinë e koalicionit, të kryeministrit Ylli Bufi pak ditë më parë. Sipas marrëveshjes politike të partive pjesëmarrëse në qeveri, anëtarët e saj nuk mund të angazhoheshin në politikë partiake.

Nano mendonte se monoliti komunist që atë vit po mbushte 50 vjet, që nga krijimi në nëntor 1941, zor se do të kthehej ndonjëherë në një formacion social - demokrat. Doni fakte? Shikoni reagimin e sallës së kongresit ndaj fjalës së Dritëroit një ditë më parë. Dhe nuk ishte vetëm ai që mendonte kështu. Për këtë arsye, askush nuk guxonte të merrte përsipër drejtimin e një partie gërmadhë.

Tavolina e presidiumit ku pritej të ulej udhëheqësi i ri rrinte bosh prej gati tri orësh. Ajo i ngjante vendit ku do të vendosej “arkivoli” politik i atij që do të guxonte të merrte postin e lartë të drejtuesit. Dhe vërtet, dy vjet më vonë ai, kryetari, do të burgosej politikisht për gati katër vjet (1993 – 1997) në burgun e Bençës në Tepelenë. Por “konklava” e partisë nuk mund të mbyllej pa zgjedhur “Papën” e ri.

“Unë nuk kam punë me Enver Hoxhën”
Në mbledhje e mori fjalën me një ton gati vajtimtar një grua nga Gjirokastra. “Ne, shoku Fatos, nuk kthehemi dot në Gjirokastër, nëse ti nuk pranon të zgjidhesh Sekretar i Parë - tha ajo gjithë pathos, por edhe me një lloj trishtimi të thellë njëherësh, për atë që nuk po zgjidhnin dot të Parin e partisë. Nga vendi ku ishte ulur në sallë Nano iu drejtua asaj:
-        Dëgjo ti, motër nga Gjirokastra. Nëse unë zgjidhem në krye të partisë, unë nuk kam më punë me Enver Hoxhën. E pranoni ju gjirokastritët këtë apo jo?”

DOSSIER: Kur hidheshin themelet e PS dhe përplasja e Fatos Nanos me

- Emri Gjirokatër kishte ende peshë tek të pranishmit, sepse ishte vendlindja e diktatorit. 
Ja tani, edhe ky problem na duhej. Kandidati kryesor për kreun e ri të partisë kërkonte “kokën” e Hoxhës në tepsi, si parakusht për pranimin e detyrës, (“nuk kam punë me Enver Hoxhën”) njëlloj si Dritëroi një ditë më parë. Pra nuk ishte vetëm poeti që do të “arratisej” nga partia, ishin edhe shumë emra të tjerë intelektualësh të njohur.  Nga salla e madhe e Pallatit të Kongreseve vazhdonte të vinte ende jehona e thirrjeve frenetike të delegatëve një ditë më parë: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë, “ Ata po prisnin tani të  traumatizuar udhëheqësin e tyre të ri.

Heshtje varri në sallën e mbledhjes  në katin e dytë të Pallatit pas fjalëve të Nanos për Hoxhën. Deklarata politike e tij për ndarjen përgjithmonë nga emri dhe trashëgimia e Hoxhës nuk i drejtohej vetëm “motrës” nga Gjirokastra. Ajo u drejtohej të gjithë atyre anëtarëve të rinj të udhëheqjes së lartë që ishin në atë sallë. “Dëgjoni dhe merreni vesh ju, anëtarë të rinj të udhëheqjes se si do të jetë partia e re, nëse unë zgjidhem në krye të saj”. Ky ishte “manifesti” politik i Nanos drejtuar atyre. Një sfidë e rrezikshme kjo, sepse shumë prej anëtarëve të rinj të Komitetit ishin prej atyre që një ditë më parë kishin kundërshtuar dhe fërshëllyer Dritëroin në sallën e Kongresit. Pas pak çastesh topitjeje,  “motra” nga Gjirokastra hapi gojën gati duke vajtuar:  

-        Mirë, shoku Fatos, do ta pranojmë! – Ajo nuk tha “e pranojmë”, por “do ta pranojmë”. Do të duhej pra, të rridhte akoma ujë në lumin Drino poshtë qytetit të saj  të gurtë, para se të harrohej diktatori.  Tre muaj më parë gjirokastritët e  kishin shkatërruar monumentin e tij prej mermeri të vendosur te  Qafa e Pazarit. “Pranimi” pra, do të ndodhte një ditë dhe prandaj ajo mori guximin dhe tha: “do ta pranojmë”

DOSSIER: Kur hidheshin themelet e PS dhe përplasja e Fatos Nanos me

Duartrokitje në sallën e vogël të katit të dytë të Pallatit të Kongreseve. Ai togfjalësh, “do ta pranojmë“, e kishte çliruar situatën nga ngërçi historik. Ajo dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së re e kishin pranuar, ndoshta me nga një gur në zemër “manifestin” politik të kandidatit për udhëheqësin e ri Fatos Nano. Harrojeni Hoxhën! Ky ishte thelbi i atij manifesti. “Tym i bardhë” mbi çatinë e Pallatit të Kongreseve. Fatos Nano e kishte pranuar sfidën e vështirë të drejtuesit të partisë. Ai u ul në tavolinën deri tani bosh që shërbente si presidium.   

-        Unë e pranova këtë detyrë, por tani dua t’i zgjedh vetë shokët që do të kem në krah. –  E kishte fjalën për zëvendësit e tij. Duartrokitje miratuese në sallë. – Të vijnë këtu në presidium me mua pra shokët: Servet Pëllumbi, Ismail Lleshi dhe Spiro Dede.- Pas pak hezitimesh, tre shokët që kërkoi Nano në krah zunë vendet në presidium.

Nano qëndroi në krye të Partisë Socialiste për 14 vjet, duke e reformuar tërësisht atë parti. Gjatë asaj kohe partia fitoi zgjedhjet lokale tre herë: në vitet 1992, 2000 dhe 2003; Referendumin kombëtar për Kushtetutën në vitin 1994 dhe dy herë zgjedhjet parlamentare në vitet 1997 dhe 2001. Ai dha dorëheqjen nga kreu i partisë dy herë, së pari në vitin 1998, pas përplasjeve të brendshme në parti dhe pastaj në vitin 2005, duke dhënë  shembullin model se si duhet të sillen politikanët e lartë në kushtet e demokracisë. Lamtumirë kryetari Nano!
(Nga libri “Shënimet e gazetarit”) (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos