BE–Indi, nëna e të gjithë marrëveshjeve!

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 14:39 | Blog

BE–Indi, nëna e të gjithë marrëveshjeve!

Nga Lutfi Dervishi

Marrëveshja që zyrtarë europianë e quajtën pa shumë modesti “mother of all deals” (nëna e të gjithë marrëveshjeve) është marrëveshja e Tregtisë së Lirë BE–Indi. Negociatat nisën në vitin 2007, u ngrinë për vite të tëra, dhe u rikthyen fuqishëm në fazë finale në 2024–2025.

Në thelb, kjo marrëveshje synon të krijojë zonën më të madhe të tregtisë së lirë që ka negociuar ndonjëherë Bashkimi Evropian me një ekonomi të vetme kombëtare si India, më shumë se 1.4 miliardë konsumatorë, rritje të shpejtë ekonomike dhe ambicie të qarta për rol global.

Marrëveshja, përfshin ulje dhe heqje graduale e tarifave doganore për mallrat industriale dhe bujqësore; lehtësim i aksesit në treg për shërbime, përfshirë IT, shërbime financiare, transport dhe profesionet e kualifikuara.

Me pak fjalë, BE kërkon treg dhe diversifikim strategjik, India kërkon akses, teknologji dhe njohje si fuqi globale ekonomike.

Nguti, pas 20 vitesh bisedime lidhet me një realitet të ri gjeopolitik. Lufta në Ukrainë, tensionet SHBA- Kinë dhe fragmentimi i tregtisë globale e kanë shtyrë BE-në të kërkojë partnerë alternativë strategjikë. India, nga ana tjetër, po shfrytëzon momentin për të balancuar Kinën dhe për të hyrë në zemër të tregut europian.

Formalisht, Shqipëria nuk është palë në marrëveshje. Praktikisht, ndikimi do të ndihet, sepse konkurrenca në tregun europian do të jetë më e ashpër. Produktet indiane, shpesh më të lira dhe me volum, do të hyjnë më lehtë në BE. Për një treg të vogël si Shqipëria, kjo do të thotë më shumë presion mbi eksportet tona drejt BE-së.

Kompanitë europiane që kërkojnë alternativa ndaj Kinës do të shohin Indinë si destinacion prioritar. Shqipëria rrezikon të mbetet periferi, nëse nuk ofron avantazh real, energji, shpejtësi, stabilitet politik dhe ligjor. "Nëna e të gjitha marrëveshjeve" nuk është një lajm ekzotik për Shqipërinë. Është një sinjal i qartë se BE po rindërton hartën e saj ekonomike dhe se tregjet e vogla nuk do të mbrohen automatikisht nga statusi, gjeografia apo simpati politike.
L.D (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos