
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë zjarri në qendrën historike të Krakovit, në Poloni. Policia konfirmon se autori ka qëlluar në mënyrë të rastësishme ndaj njerëzve në Sheshin Kryesor të Tregut, një nga zonat më të frekuentuara turistike të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur një person ka hyrë me makinë në shesh dhe ka hapur zjarr ndaj kalimtarëve. Të shtënat kanë shkaktuar panik, ndërsa njerëzit janë përpjekur të largohen nga zona për të shpëtuar.
“Të shtëna me armë zjarri u regjistruan në Sheshin Kryesor të Tregut”, thuhet në deklaratën e policisë, e cila shton se po pritet konfirmimi zyrtar për përmasat e incidentit.
Gjatë përballjes me autorin, policia ka përdorur armët e zjarrit. I dyshuari është qëlluar nga efektivët dhe më pas është transportuar në spital. Sipas raportimeve, mes të plagosurve janë edhe dy efektivë policie.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë forca të shumta policie dhe shërbime emergjence, ndërsa zona është rrethuar dhe autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë larg saj.
Kryeministri polak, Donald Tusk, e ka cilësuar ngjarjen si “tragjike” dhe ka deklaruar se po informohet vazhdimisht nga ministri i Brendshëm për situatën. Ai bëri të ditur se policia po heton motivet dhe të gjitha rrethanat e sulmit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur motivin e sulmit.
(A2 Televizion)