
Nga Enver Robelli
1.
90 vjet më parë, më 28 janar 1936, ndërsa në Gjirokastër po dëgjohej një zë foshnje e sapolindur, në Londër u organizua një ceremoni funebër. Në njërin cep të Europës postosmane lindi Ismail Kadare, në cepin tjetër të Europës oksidentale po varrosej Mbreti George V. Gjatë sundimit të tij perandoria britanike arriti zgjerimin më të madh. Më 1926 Britania e Madhe u paralizua nga një grevë e përgjithshme. Mbreti doli në mbrojtje të punëtorëve dhe tha: “Provoni të jetoni me rrogën e tyre para se t’i gjykoni”.
Në janar të vitit 1936 Mbreti nisi të lëngojë rëndë. Mjeku personal vendosi t’i jap fund dergjes së tij dhe i injektoi Mbretit morfium dhe kokainë në damarin e qafës. Një orë më vonë Mbreti vdiq. Krejt ngjarja i shëmbëllen një romani të Ismail Kadaresë. Nuk e shkroi romanin për vdekjen e Mbretit George V., por shkroi gjithçka që sot na bën krenarë përballë botës.
2.
Më 28 janar 1936 në Moskë gazeta “Pravda” botoi artikullin “Kaos në vend të muzikës”. Ishte një sulm kundër muzikës së Dmitrij Shostakoviqit. Me këtë artikull filloi terrori stalinist kundër kompozitorit. Fushata kundër Shostakoviqit zgjati dy vjet. Frika e tij ishte e pamatshme. Në çdo çast llogariste me arrestimin e tij. Pranë shtratit mbante valixhen me rrobe. Frika nuk e braktisi kurrë. Shpëtoi nga arrestimi. Pinte alkool dhe kompozonte. Një çerekshekull më vonë në Moskë do shfaqej Ismail Kadare. Këtu fillon jeta e tij si autor gjithnjë më i madh.
3.
Në hotel “Kindli”, në zemër të Zürichut, aty ku dilema më e madhe e shumë kalimtarëve është të blejnë një palë këpucë për 2500 franga apo një orë për 18 mijë franga, Ismail Kadare u ndie mirë; jo për shkak të luksit, por kur kuptoi se ky hotel ishte hapur më 1474, vetëm 6 vite pas vdekjes së Skënderbeut. Pastaj një histori tjetër e ktheu shkrimtarin shqiptar në humnerat ballkanike: më 23 gusht 1981 dy burra hynë në hotelin “Kindli”. Recepsionisti Stanko Nizhiq, një aktivist për mëvetësinë e Kroacisë nga Jugosllavia, mbante në duar disa pemë, kur dy burrat hapën zjarr ndaj tij dhe e vranë. Ishte koha kur shërbimi sekret jugosllav vriste kroatë e shqiptarë në Gjermani e Zvicër dhe qeveritë në Bonn e Bern mjaftoheshin me qortime të buta në drejtim të Beogradit. Ose me heshtje.
4.
Mund t’i jetë kujtuar në këto çaste vepra e tij “Baladë për J.G.”, të qëlluar me armë më 17 janar 1982. Ishte natë me borë, rreth orës 22:15, kur tre shqiptarë të Kosovës, Jusuf Gërvalla (36), vëllai i tij Bardhoshi (31) dhe miku i tyre Kadri Zeka (28), po dilnin me makinën e tyre BMW nga garazhi në rrugën Habichthöhe në Untergruppenbach. Vetëm pak metra më tutje ata u qëlluan për vdekje nga dy persona të panjohur. 12 plumba u shkrepën ndaj tre burrave. Vdiqën me plagë në mushkëri, në zemër dhe në qafë.
5.
Kishte humor. Terri kishte mbuluar rrugët e Zürichut, binte shi i përzier me borë, dhe ne s’po e gjenim banesën e Egon Ammannit, botuesit të Ismail Kadaresë. Njëherë u shqetësova, pastaj më erdhi turp që po silleshim vërdallë. Befas u ndal dhe tha: “E gjeta”. Nxori dorën e djathtë nga xhepi dhe bëri me gishtin tregues drejt një dritareje diku lart në pallat, e cila lëshonte një dritë. “E pashë një spageti duke fluturuar aty, Egoni më ka thënë se do të përgatis spageti për ne sonte”. Ishte një mbrëmje e bukur. Nuk më kujtohet që nga magjja e Egonit fluturuan spageti. Vera franceze ishte e mirë. Egon Ammani vdiq në vitin 2017, më parë mbylli portat edhe shtëpia e tij botuese. Por vepra e Kadaresë vazhdoi e vazhdon të botohet, tani te S. Fischer Verlage, një ndër shtëpitë më prestigjioze botuese në Gjermani, themeluar më 1886 nga Samuel Fischer, një hebre i lindur në Sllovakinë e sotme. (A2 Televizion)