Nga Irena Beqiraj
Komodifikimi është bashkim i dy fjalëve: fjalës “commodity” që janë mallra ose shërbime me një vlerë ekonomike, dhe fjalës modifikim, që është ndryshim në funksion ose formë. Vota që duhet te ishte e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit sot nuk e ka me këtë funksion por, është trasformuar në një mall me një vlerë këmbimi.
Transformimi i votës ne një mall me një vlerë këmbimi ka prodhuar jo vetëm fitues edhe humbes të thellë ne këto zgjedhje por, mbi të gjitha ka zbuluar se në 35 vjet në vend të një shoqërie demokratike kemi përftuar një bashkësi skllevërish vullnetarë.
Komodifikimi ose shitblerja e votës njësoj si vjedhja apo manipulimi e tjetërson votën por jo vullnetin e votuesit, i cili me vullnet është berë pjesë e transaksionit të shitblerjes.
Pjesëmarrja ne shitblerjen e votës , e cila me ligj edhe në moral është e drejtë e patjetërsueshme edhe themeli i demokracisë, dënohet. Por duhet pranuar po ashtu, që vota po me ligj edhe qëllimisht është zhveshur nga këto cilësi duke e transformuar atë nga një mekanizëm ndryshimi në një mall këmbimi .
Lojtarët kryesorë të politikë janë përpjekur që në këto 35 vjet të ndërtojnë industrinë më të sofistikuar të mbajtjes së pushtetit me barrierat me të forta të hyrjes.
Vota që prej 2008 me ligj është shkëputur nga çdo lidhje me përfaqësimin. Deputetët që prej 2008 janë të emëruarit e kryetarëve .
Vlera e votës po me ligj është përçudnuar. Një votë në Kukës nuk është e barabartë me një votë në Durrës apo në Tiranë . Një votë për PS-në apo për PD-në po me ligj nuk ka të njejtën valencë si vota për Lëvizjen Bashkë apo Shqipëria Bëhet .
Çdo alternativë e re në industrinë politike shqiptare përballet me ekonominë e shkallës, me një infrastrukturë elektorale ekonomike të zhvilluar mirë edhe me akses të privilegjuar në financim; me rregulla dhe praktika zgjedhore që favorizojnë partitë e mëdha; me rregulla qeverisëse që krijojnë kontroll ekskluziv të partisë në pushtet në të gjithë procesin zgjedhor.
Ky sistem ka denatyralizuar kontollin dhe balancën normale , ka vrarë konkurrencës e shëndetshme në procesin zgjedhor i cili ka kohë që nuk perceptohet më nga votuesit si proces potencial ndryshues.
Ky sistem po ashtu ka zbehur edhe forcën apo rëndësinë e aktivistit të partisë . Përveç kryetarit të gjithë pa asnjë përjashtim qe nga drejtuesi politik i qarkut e deri tek patronazhisti I thjeshtë janë thjesht bulona lehtësisht të zëvendesueshëm në makinerinë elektorale të partisë, ku karburanti nuk është më as fryma e as idetë por, paraja
Pra para se te indinjohemi me "shitësin e zakonshëm" të votës te mos harrojmë se ai operon në një mjedis ku çdo gjë tjetër pavarësisht moralit apo ligjit është në shitje. Çfarë nuk blihet me para blihet me më shumë para. Media, shoqëria civile , intelektualët , deputetët opinionet , analizat, janë në shitje, vet ligji është në shitje. Rrallë herë angazhimi publik edhe politik është i formës se prodhimit të së mirës publike .
Nesër do të protestojmë kundër atyre që blenë votën ? Po me ato qindra mijëra që e shitën edhe janë sërisht te gatshëm ta shesin votën e e trasformuar me kast nga një e drejtë ne një mall, çdo të bejmë ?
Çdo indinjatë morale apo padi ligjore ne ketë rast është një strategji për t'i dhënë dinjitet budallait . "Budallai thotë Seneca përveç mangësive të tjera ka edhe ketë - çdo ditë nis të njëjtin avaz nga e para "
Zgjedhjet jane çështje karakteri , edhe skllavëria vullnetare është po ashtu zgjedhje. Mund ta pranojmë në heshtje . Por nëse duam ta ndryshojmë protesta e atyre qe morrën pjesë aktive në ndërtimin e saj nuk është rruga. (A2 Televizion)