Çudirat shqiptare: Deputet me 21 mijë vota ose me veç... 360 vota

Nga A2 CNN
15 Maj 2025, 17:56 | Blog

 

Çudirat shqiptare: Deputet me 21 mijë vota ose me veç... 360

Nga Afrim Krasniqi

Në sistemet proporcionale legjitimiteti dhe mbështetja e forcës politike ka më shumë rëndësi sesa vota individuale. Demokracitë më të vjetra e më funksionale në botë janë kryesisht demokraci mazhoritare. Prej vitit 2008 ne kemi sistem proporcional dhe aktualisht kemi në parlament deputetë si me mbi 21 mijë vota ashtu edhe me vetëm 360 vota.
Në thelb, sistemi është çështje kompromisi, çfarë parlamenti duam, çfarë sistemi partiak duam, çfarë duam të shmangim/parandalojmë, ndaj vota nuk e bën më të rëndësishëm dhe as më të dobët deputetin me shumë apo pak vota, por koncepti i sistemit që vë partinë si prioritet nënkupton se partia është institucion demokratik, ka sistem merite dhe llogaridhënie. Tek ne jo vetëm se ky parakusht nuk respektohet, partitë nuk veprojnë si institucione llogaridhënëse dhe as meritokracie, por shqetësimi lidhet edhe me etikën dhe integritetin: mbi bazën e cilit sovranitet dhe legjitimitet vepron një deputet që emërohet / nuk votohet dhe nuk përfaqëson, dhe çfarë vlere ka vota në vendimmarrje. Individi i vetëm, pa mbështetje në parti politike, pa meritokraci e integritet nuk përfaqëson, është i cenueshëm, nuk mbijeton në politikë, ndaj edhe në tërësi deputetët nuk janë llogaridhënës, partitë e tyre nuk janë llogaridhënëse, ndaj edhe ata (deputetë e parti të tilla) e kanë thuajse të pamundur të prodhojnë demokraci e shtet të së drejtës për qytetarët dhe vendin.


Sistemi ynë është bërë proporcional lokal, për të parandaluar fragmentarizmin, disbalancën në zona dhe për të krijuar proporcionalitet në përfaqësim, si dhe de facto, edhe për të penalizuar prurjet e reja. Në një sistem proporcional kombëtar, p.sh., partitë e reja aktuale do të kishin sukses dhe do të ishin përcaktuese për mazhorancat politike. PS me 52% do të kishte 52% të vendeve në parlament jo 60% sa ka tani, PD 34% të vendeve, partitë me 3% do të kishin 3-5 mandate, etj. Për mua personalisht, sistemi më i mirë për kushtet tona ishte 75 mazhoritar + 20 proporcional, me një kuotë përfaqësimi 5 deputetë nga diaspora. 100 deputetë mjaftojnë e teprojnë në 1.5 milionë votues.


Kuvendi ushtron sovranitetin përmes të zgjedhurve, ndonëse 92 nga 140 nuk u zgjodhën, u emëruan. Megjithatë, debati për sistemin nuk ka sens të bëhet kur dalin rezultatet por gjatë legjislaturës, kur ka komision për reformën zgjedhore. Atëherë palët heshtin, ata që sot ankohen e kanë votuar. Të majtë e të djathtë. Partitë e mëdha periodikisht dakordësohen, pastaj ajo që humb ankohet, kërkohet reformë e re dhe cikli nis nga fillimi pas çdo procesi zgjedhor, duke pasur retushime, jo reformë zgjedhore dhe as reformë përfaqësimi (në parti, në sistem, në zgjedhje). Të njëjtët rimblidhen dhe të njëjtët kërkojnë formulë më të mirë për vete.


Demokracia nuk është procedurë, është përmbajtje, integritet, pjesërmarrje, ndaj edhe ne vijojmë te jemi sistem hibrid, një gjeneratë larg demokracisë që kemi në mendje kur mbajmë fjalime fitoresh elektorale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos