Në kohërat e shkuara (dhe pothuaj të harruara) diplomati amerikan personifikohej nga figura si Richard Holbrooke, Lawrence Eagleburger, William Edwin Ryerson apo John Kornblum. Burra me përvojë të gjatë diplomatike, të cilët pa folur fare rrezatonin seriozitet, dije dhe përkushtim në detyrë.
Kohërat ndryshojnë dhe bashkë me to edhe profili i ambasadorëve (përfshirë ata amerikanë). Kjo vlen sidomos për ambasadorët e presidencës së Donald Trumpit. Në Romë, në Qytetin e Përjetshën, presidenti amerikan e ka emëruar ambasador, për shembull, miliarderin Tilman Fertitta. 68-vjeçari nga Texasi është pronar i Landry’s, një kompani që ka një numër të madh restorantesh, hotelesh dhe kazinosh në SHBA. Përveç kësaj, Fertitta është pronar i ekipit amerikan të basketbollit Houston Rockets në NBA. Në jetën e tij Fertitta nuk ka ushtruar kurrë një post politik.
Rezidenca e ambasadorit amerikan në Romë - e quajtur Villa Taverna - gjendet në lagjen Parioli. Një ndërtesë madhështore, e ndërtuar në shekullin e 16-të, me pamje mbi Romën e paharrueshme dhe e rrethuar me një park të vetin. Ndokush mund të mendojë se është ëndërr e çdo diplomati (dhe jo vetëm) të jetojë në këtë rezidencë. Tilman Fertitta, i dërguari i presidentit Trump në Itali, mendon ndryshe. Atij nuk po i pëlqen Villa Taverna, andaj ka vendosur të jetojë në jahtin e tij në vlerë prej 150 milionë dollarë. Jahti është 77 metra i gjatë, i ka gjashtë kuverta, është i veshur me mermer dhe qilima të çmuar dhe i pajisur me pishinë, palestër, saunë dhe sallon bukurie. Në jaht ka vend për 14 mysafirë dhe 22 pjesëtarë ekuipazhi.
Nga jahti ambasadori Fertitta shkon në Romë me helikopterin e tij. Nëse ndokush tani pyet se ku aterron në det ambasadori, qe përgjigjja: jahti ka edhe një vend për aterrim helikopteri. Më shumë probleme ambasadori ka për të aterruar në Romë. Rezidenca gjendet në qendër të qytetit dhe autoritetet e kanë njoftuar se aty, në zemër të Romës, mund të aterrojnë me helikopter vetëm presidenti italian dhe një amerikan - Papa i Kishës Katolike. Ndërkohë është gjetur një zgjidhje: helikopteri i ambasadorit amerikan po aterron në City-Airport Roma-Urbe.
Magazina “Forbes” e vlerëson pasurinë e Tilman Fertitta në 11,3 miliardë dollarë. Me Trumpin ai njihet qëmoti. Në vitin 2011 Fertitta bleu kazinon e Trumpit në Atlantic City, e cila kishte falimentuar. Në vitin 1887 stërgjyshi i Fertitta braktisi Sicilinë dhe emigroi në Amerikë. 138 vite më vonë në Itali u kthye Tilman Fertitta - si ambasador i SHBA-ve.
(Në foto: helikopteri i Tilman Fertitta mbi jahtin e tij gjatë një qëndrimi në Londër).
E.R. (A2 Televizion)