Edi Rama ia shpjegon Albin Kurtit një përrallë

Nga A2 CNN
7 Tetor 2025, 09:04 | Blog

Edi Rama ia shpjegon Albin Kurtit një përrallë

Nga Enver Robelli

Më 2018, në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti, me të tijtë nuk hynte në sallën e Kuvendit të Kosovës, sepse nuk donte të dëgjonte himnin e Republikës së Kosovës. A mund ta imagjinoni?

Kur mbaroi himni, shefi i VV-së hyri në Kuvend me të tijtë, sepse dëshironte ta dëgjonte Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë. Atëbotë Edi Rama ishte idhulli i VV-së. Atëbotë Edi Rama e quante VV-në “pasuri kombëtare”. A mund ta imagjinoni?

Në fjalimin e tij të vitit 2018, Edi Rama propozoi - në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës - një president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë, si “simbol bashkimi”. VV u gëzua, u ekzaltua, fluturoi. Për pak krerët e saj nuk ia nisën këngës: “Ne jemi të Edit, Edi është i yni”. Do të tingëllonte si ajo kënga e rreme e viteve 1980 në Jugosllavi: “Mi smo Titovi – Tito je naš” (Ne jemi të Titos – Tito është i yni).

Dëshironi absurditete të tjera?

Më 5 shtator 2016 ekipi futbollistik i Kosovës debutoi në arenën ndërkombëtare pas pranimit në FIFA dhe UEFA në maj të atij viti. Kosova luajti kundër Finlandës, ndeshja mori fund me rezultat 1:1, golin e parë për Kosovën e shënoi Valon Berisha. Në atë kohë një deputet prominent i VV-së (nuk është më deputet) shkroi se shpresonte të fitonte ekipi i futbollit i Shqipërisë. Debutimin historik të Kosovës nuk e pati përmendur fare. E injoroi totalisht! Ky deputet rrogën e merrte nga Kosova, por sillej si delegat i Kurveleshit. Këtu mbaron ky digresion.

Kthehemi te fjalimi i Edi Ramës për president të përbashkët. Atë fjalim populist e pati kritikuar LDK-ja, e cila atëbotë ishte në opozitë. Shefi i grupit parlamentar, Avdullah Hoti, tha: “Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

I rrufeshëm ishte atëbotë reagimi i deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu. Këto janë fjalët e saj: “Avdullah Hoti paska reaguar kundër deklaratës së Edi Ramës, e po ashtu ditë më parë duartrokiti heqjen e flamurit kombëtar nga rrethi. S’e di pse LDK në përgjithësi me zell flasin e përshëndesin veprimet antikombëtare dhe kundërshtojnë deklaratat që çojnë drejt bashkimit kombëtar”.

Shtatë vjet pas fjalimit të bujshëm në Kuvendin e Kosovës, Edi Rama tash deklaroi se “bashkimi kombëtar është përrallë”. Me gjasë përrallë ka qenë edhe ideja për president të përbashkët, por në vitin 2018 flitej shumë për ndarjen e Kosovës dhe patriotizmi bosh shitej më lirë se bostani në kulm të verës. Atëherë bëheshin përpjekje që BE-ja të shantazhohej me parulla kinse nacionaliste, në stilin: “Po nuk na pranuat, e kallim Ballkanin”. Më 2025 kanë ndryshuar rrethanat gjeostrategjike; edhe pak muaj bëhen katër vjet prejse Rusia sulmoi gjerësisht Ukrainën dhe Brukseli ia ka hapur dyert Shqipërisë për anëtarësim në BE - gjë që është lajm fantastik për Shqipërinë dhe rajonin. Tani Edi Ramën nuk do ta dëgjoni të kërkojë president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.

Me produkte kuazi-patriotike si Edi Rama dikur, pati dalë në pazarin e ideve politike edhe VV. Betoheshin: “Kur të vijmë ne në pushtet, e ndryshojmë Kushtetutën, hiqet ky nen, shtohet ai nen dhe - abrakadabra, abrakadabra - u bë bashkimi kombëtar”. Thoshin se: “Nuk ekziston flamuri i Kosovës, vetëm ai kombëtar”. Brohorisnin se: “Nuk ka reprezentacion të Kosovës, ka vetëm kombëtare”. Kështu flisnin krerët e VV-së. Sot ata janë të parët në tribunat e stadiumeve për të përkrahur kombëtaren e futbollit të Kosovës (ndonëse kombëtare ende nuk i thonë, tremben nga pak). Me Edi Ramën s’flasin më. As nuk marrin pjesë në zgjedhje në Shqipëri. As nuk shkojnë më në Lezhë për parada patriotike. Fjalët e mëdha dhe gjestet e mëdha, kur nuk janë realiste, lënë pas vetëm boshllëk. Kjo nuk vlen vetëm për VV-në.

Më 23 maj 2015, Edi Rama erdhi në Prishtinë me ftesë të VV-së, më saktë të kryetarit të Prishtinës, i cili ishte nga radhët e kësaj partie. Quhej Shpend Ahmeti. Edi Rama erdhi për të shpalosur shtatoren e Ismail Qemalit dhe për të mbajtur një fjalim tipik populist me plot mesazhe të koduara, që mund të lexoheshin si thirrje kreshnike për bashkim kombëtar dhe përkrahje direkte për VV-në. Në raportet televizive të asaj kohe, në rendin e parë të pjesëmarrësve të ceremonisë shihet një plak i veshur si Ismail Qemali (të tillët përherë duken qesharakë), kreu i komunitetit bektashi, Baba Mondi, pastaj Pandeli Majko, Aida Dërguti dhe, natyrisht, Albulena Haxhiu. (Interesante është kush mungonte në atë ceremoni në Prishtinë: kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga). Atëbotë Edi Rama nuk pajtohej me VV-në vetëm në një çështje: për dallim nga partia e Kurtit, ai e përkrahte themelimin e Gjykatës Speciale me argumentin se shqiptarët s’duhet të prishen me bashkësinë ndërkombëtare. Kaq edhe ky digresion.

Kthehemi te shpalosja e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë më 2015: në fjalën e tij Shpend Ahmeti premtoi se “deri në fund të vitit do ta dërgojmë shtatoren e Hasan Prishtinës në Vlorë”. Kjo përmendore u vendos në Vlorë tek shtatë vjet më vonë, në maj 2022. Në një kronikë të një televizioni të Tiranës bëhej me dije se në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetari i Bashkisë së Drenasit, “Lladrovcki”. Me këtë mbiemër, Ramiz Lladrovci mund të jetë ndier si turist polak në Vlorë. Nga VV s’ishte e pranishme asnjë figurë prominente kur në Vlorë shkoi Hasan Prishtina në bronz.

Kur kujtohen e përshkruhen këto ngjarje me një distancë kohore prej 10, 7 apo 3 vjetësh, atëherë vërehet edhe më mirë horrllëku i politikës shqiptare: fjalë të mëdha e gjeste të mëdha për nevoja të politikës ditore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos