Rusia ka përmirësuar dukshëm raketat e saj balistike për t’iu shmangur sistemeve mbrojtëse ajrore “Patriot” të Ukrainës, sipas zyrtarëve ukrainas dhe perëndimorë, shkruan “Financial Times”. Sulmet e fundit kanë treguar se raketat Iskander-M dhe Kinzhal janë modifikuar për të ndryshuar trajektoren në fazën e fundit të fluturimit, duke kryer manovra të cilat anashkalojnë interceptorët amerikanë “Patriot”. Ish-zyrtarë ukrainas e shohin këtë si ndryshim thelbësor në rrjedhën e luftës.
Të dhënat tregojnë një rënie drastike të kuotës së kapjes dhe rrëzimit të raketave ruse nga sistemi kundërajror ukrainas: nga 37 për qind në gusht, në vetëm 6 për qind në shtator. Në disa raste të fundit, të gjitha raketat Iskander-M arritën objektivat e tyre, duke shkaktuar dëme të mëdha në fabrika dronësh në dhe rreth Kievit. Një sulm më 28 gusht goditi edhe një fabrikë të prodhimit të dronëve turq “Bayraktar” dhe dëmtoi zyrat e delegacionit të BE-së dhe British Council.
“Patriot” mbetet i vetmi sistem në arsenalin e Kievit që mund të rrëzojë raketa balistike ruse, por përmirësimet e Moskës po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë neutralizimin. Analistët thonë se Rusia ka shfrytëzuar të dhënat e grumbulluara nga sulmet për të optimuar softuerin e raketave, duke i bërë ato më të paparashikueshme dhe më efektive pa ndryshime të kushtueshme në pajisje.
Ukraina ka marrë të paktën gjashtë bateri “Patriot” nga aleatët, ndërsa Gjermania dhe Norvegjia kanë dërguar së fundmi pjesë shtesë për sisteme të tjera. Presidenti ukrainas Vollodomir Zelenski ka paralajmëruar se Moska po synon përsëri rrjetin energjetik për ta zhytur vendin në errësirë gjatë dimrit dhe ka kërkuar furnizime urgjente me sisteme të reja “Patriot”./ E.R. (A2 Televizion)