Historia e një biçiklete: e vjedhur në Basel të Zvicrës, e dërguar me autobus në Prizren, e shitur në Tiranë dhe e konfiskuar po aty nga policia...

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 10:04 | Blog

Historia e një biçiklete: e vjedhur në Basel të

Televizioni publik i Zvicrës ka emituar një hulumtim fantastik mbi fenomenin e vjedhjes së biçikletave në Zvicër. Në këtë vend çdo vit vidhen dhjetëra mijëra biçikleta dhe biçikleta elektrike. Vetëm në vitin 2024 u raportuan 54’308 raste.

Gazetari i emisionit Rundschau e pajisi një biçikletë elektrike me gjurmues GPS dhe Bluetooth dhe e la para një dyqani që mbikëqyrej me kamera. Natyrisht biçikleta ishte e siguruar me dry. Pas dy javësh biçikleta u vodh, pasi iu thye dryni. Ekipi e ndoqi rrugëtimin e biçikletës me anë të GPS. Pas disa muajsh, biçikleta fillimisht u lokalizua në Prizren; atje ishte sjellë me autobus nga Zvicra. Më pas biçikleta u gjet në Shqipëri te një person privat. Në Shqipëri u hap një procedurë për blerje të mundshme të mallrave të vjedhura. Detaje të tjera policia nuk dha.

Vjedhja e biçikletave është rritur dukshëm vitet e fundit, sidomos në Basel. Afërsia me kufirin francez dhe gjerman lehtëson dërgimin e biçikletave të vjedhura jashtë shtetit. Shumë prej tyre dërgohen fillimisht në Francë, pastaj më tej në Ballkan ose Afrikën e Veriut. Vetëm në vitin 2023 dëmi të cilin kanë paguar sigurimet për vjedhjen e biçikletave ishte 83,2 milionë franga.
Hulumtimi është një shembull mahnitës i gazetarisë së vërtetë. Këtu e gjeni edhe linkun e raportit.

E.R. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos