“Tenorët e opozitës nuk kanë këllqe”, Artan Fuga: Trishtim, nuk gjejnë dot një kandidat

Nga A2 CNN
5 Tetor 2025, 12:06 | Blog

“Tenorët e opozitës nuk kanë këllqe”, Artan

Akademiku Artan Fuga ka reaguar i revoltuar pas vendimit të Partisë Demokratike për të mbështetur kandidatë të pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në muajin nëntor.

Teksa bën një analizë të zhvillimeve në kampin opozitar, akademiku vlerëson se drejtuesit e opozitës nuk kanë forcë të mbledhin elektoratin, teksa shton se shumë nga figurat e rëndësishme në PD, e cilësojnë kandidimin në këtë moment për bashkinë e Tiranës, si një tentativë për ta “eliminuar”.

Postimi i akademikut.

Është e qartë se përse opozita nuk gjen dot një kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës!

Tenorët kryesorë të saj nuk kanë këllqe të mbledhin elektoratin demokratikas dhe përtej tij, qytetarin e Tiranës, ndaj i bëjnë bisht.

Duket se në vend që ai që caktohet kandidat të konsiderojë se po e vlerësojnë; kam informacion që te disa qarkullon frika se po të thonë kandido duket se dikush ta do të keqen, të të heqi qafe!

Më kryesorja është se ai që do të kandidojë, më thonë, ka ndrojtje se të tjerët nuk do ndihmojnë sinqerisht, ca nga mosbesimi që kanë, ca se përtojnë, ca se ohuu, secili për vete në këtë botë.

 Por, ka edhe më kryesore : Po të shkosh ndonjërit ose ndonjërës që mund të ishte kandidat ose kandidate dhe t'i thuash hidhu, poqese është tashmë deputet ose deputete është njësoj sikur ta vrasësh, ta kafshosh, t'i shkulësh flokët. Unë tani u futa deputete ose deputet, ngroh karrigen, xhepin, zemrën, egon, ti më thua të heq dorë nga të gjitha këto dhe të shkoj në një betejë të humbur.

Ka ca që nuk e kanë idenë as të pushtetit lokal, as të demokracisë lokale, as të urbanizmit, ç'a të thonë në fushatë : Apo do hapim tarraca në Dajt?

Etj. etj. Nëse nuk më besoni, nëse gjejnë një deputet dhe e vendosin kandidat për kryetar bashkie, unë heq dorë nga këto!

Por nga që askush nuk pranon, për turp të Zotit, shpikin teori se jo nga shoqëria civile, jo nga shoqëria ushtarake.

Por, edhe të marrin ndonjë prej atyre që nuk i bënë deputet, përsëri problem e kanë. Ai pasi të marrë vota demokratësh në Tiranë do t'u thotë : E patë se unë kam më shumë valenca politike se ju? Hall i madh edhe ky!

Por, nëse nuk merr vota, dhe e lënë të braktisur kandidatin analistët e paguar nga kundërshtarët do t'u thonë : Eeeee, e patë, s'keni vota!

Kështu që establishmenti burokratiko-partiak nuk di si të bëjë : Të gjejë një kandidat që merr më shumë vota, dhe bën si këndez, apo një kandidat që nuk merr vota, por i bën si pula të lagura!

Hall i madh!

Vetëm në ëndërr të krijhen këto halle, kur ke pak temperaturë dhe trupi ndjen ethe!

Në fund do të gjejnë dikë që quan fitore vetëm se iu zu emri në gojë, u riciklua, ose meqë hap i parë edhe dështimi nuk dhemb, mund ta përdorë në cë si arritje në karrierë!

E duan edhe të pavarur, por edhe nën varësinë e tyre kur të zgjidhet sepse atij të gjorit do t'i duhen votat e këshillit bashkiak që sigurisht pala e tij do t'i ketë militantë të thekur!

Edhe i pavarur, por që të pranojë të varet!

Kundëthënie e paparë! 

Cfarë trishtimi! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos