Ergys Mërtiri: Më mirë pijanec sesa servil

Nga A2 CNN
18 Tetor 2025, 20:41 | Blog

Ergys Mërtiri: Më mirë pijanec sesa servil

Nga Ergys Mertiri

Bujar Leskaj po sulmohet agresivisht nga koret e militantëve të Berishës, për shkak se ai u shpreh para kamerës se nuk e rruan për urdhrin e partisë për të mos dalë në protestën për UCK-në.

Ata e quajnë atë pijanec, që i flet Rakia, pasi sipas tyre është herezi të mos pyesësh për urdhrat e Saliut.

Reagimi i Leskajt është gjëja e më normale që do të duhet të bënte çdo politikan me integritet.

Urdhri për të mos mbështetur një protestë me motive kombëtare duhet të moszbatohet, qoftë edhe thjesht për të treguar se partia nuk mund të jetë para kombit.

Në fakt berishistët nuk e duan askënd që i del Berishës nga rreshti.

Ata nuk duan politikanë me karakter, por vetëm servilët e nënshtruar që Berisha i mban si sejmenë, për të mbrojtur interesat e veta.

Nga ky kuptim, duhet të jemi të qartë se është më mirë të jesh i alkoolizuar me dinjitet si z. Leskaj sesa servil esëll në oborrin absurd të Berishës.

Për këtë arsye, nëse Leskaj ka ndonjë ves si pija, të paktën ai ka respekt për veten dhe nuk nënshtrohet si gjithë kolegët e tij mbaruar në vathën e kryetarit.

Turmat e egërsuara që i turren me tërbim kujtdo që i prish rehatinë një lideri të mbaruar si Berisha, në fakt tregojnë mjerimin ku po zhytet ajo parti.

Ata shërbejnë si togë pushkatimi për çdo politikan që kërkon të ketë integritet, duke kërcënuar me vdekje politike këdo që del nga rreshti.

Nuk mund të ketë gjë më të keqe për një parti në opozitë sepse përdorimi i turmave si instrument dhune politike në funksion të pengimit të fjalës dhe mendimit të lirë.

Një parti që i dhunon dhe gjymton njerëzit e saj në këtë mënyrë nuk mund të jetë kurrë një alternativë për pushtet, por është e destinuar të kthehet në një fraksion sektar fundamentalist, i dënuar me kapitullim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos