Nga Fadil Maloku:
Përplasja e nisur si pasojë e protestës së mbajtur më 17 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, me siguri ka prodhuar reperkusione dhe pasoja nga më të ndryshmet.
Sociologjikisht, thënë shkoqur shqip, unë shoh këtu përplasjen e dy paradigmave populiste që prej disa vitesh po konkurrojnë pandërprerë në skenat politike shqiptare, rreth primatit për t’u shpallur lidership i vetëshpallur i kombit në të gjitha trojet shqiptare!
Kjo “odisejadë” e vetëshpalljes për lidership mbarëkombëtar, fatkeqësisht, po “prodhon” në mënyrë të qëndrueshme pasiguri dhe shqetësime serioze në të dy shtetet shqiptare.
Ky fakt dëshmon më së miri se në të dy shoqëritë tona shqiptare është duke ndodhur qëllimisht fenomeni i distancës sistematike politike, ku lidershipet, pa pardon, ndërtojnë narrativa konfrontuese dhe refuzuese!
Nëse gjurmojmë shkaqet e vërteta, ato i gjejmë pa asnjë dyshim në Tiranë, e pikërisht në moçalin e “haremit” politik e mediatik të Edi Ramës.
Pse Edi Rama?
Gabimet apo “gjynahet” e tij nuk janë të pakta.
Por “meritat” që në fakt ishin gabime të pafalshme për një status kampioni jo meritor — dhe që ai do t’i bartë edhe pas pensionimit politik — janë disa, të cilat po i rendis radhazi dhe që, besoj, do të mbahen gjatë në kujtesën historike e politike shqiptare:
1.Fjalimi i paqartë dhe konfuz në OKB, ku ndaj kërcënimeve serbe nuk potencoi as nuk argumentoi mjaftueshëm rrezikun që Serbia po ia bënte Kosovës gjatë viteve të pasluftës. Kur dihet se kjo ishte edhe një detyrë kushtetuese ndaj Kosovës. Neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë (“Marrëdhëniet me shqiptarët jashtë shtetit”) flet qartë si për obligimet, ashtu edhe për detyrimet qeveritare ndaj “…popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
2.Draft-propozimi për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që e hodhi si “balon provues” pa u konsultuar fare me qeverinë e Kosovës. Sipas shumë ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm, ky propozim “e vuri në vështirësi”, por jo edhe në dilema “hamletiane”, pozitën e qeverisë së Kosovës në kohën kur ajo po bënte përpjekje maksimale për ta rikthyer sovranitetin institucional, të humbur më parë nga politikanët “yes-manë”.
3.Deklaratat pompoze dhe skandaloze, si ajo për Financial Times:
“Kosovo is a hot spot and over the years it has become a no-man’s land…” (“Kosova është tokë e askujt!”), ishin aq të pamatura dhe irituese, sa që befasuan shumë patriotë shtetërorë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e në diasporë.
4.Qasja e paekuilibruar ndaj “Open Balkans” dhe Procesit të Berlinit, ku, si një “ajatollah” politik, mori përsipër ta lavdërojë deri në qiell këtë ide të lansuar, sërish pa u konsultuar me Prishtinën, ndonëse jo edhe me Beogradin.
5.Politizimi dhe instrumentalizimi i temave që cenonin sovranitetin institucional të Kosovës, të cilat shpesh shfrytëzoheshin për përfitime politike personale ose partiake — pra, jo për interesin e përbashkët në raportet Shqipëri–Kosovë, ashtu siç e obligon Neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë.
6.Anulimet dhe shtyrjet e shpeshta të takimeve ndërqeveritare që kishin për qëllim bashkëpunimin institucional.
Shpeshherë Rama i shmangej këtyre me argumente banale. Kjo qasje shkaktonte, përveç shqetësimeve dhe pasigurisë, edhe mungesë besimi, lojaliteti dhe sinqeriteti midis dy qeverive shqiptare.
7.Mospërkrahja e duhur ndaj Kosovës, kur ajo inicionte ide dhe koncepte pragmatike në sferën e marrëdhënieve diplomatike. Edhe pse Rama ka bërë disa deklarata minore mbështetëse, ai nuk u angazhua sa dhe si duhet, sidomos kur ishin në pyetje temat e sigurisë kombëtare, veçanërisht ato që lidhen me kërcënimet sistematike të “vëllait binjak”, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Janë të njohura deklaratat e tij për presidentin serb si “lider që kërkon paqe” — fjalë që në Kosovë gjithnjë janë përkthyer si eufemizma për ta legjitimuar ndikimin e Beogradit dhe për të minimizuar krimet dhe gjenocidin e luftës së vitit 1999. Po ashtu, përplasjet e njëpasnjëshme publike me Ramush Haradinajn, Isa Mustafën dhe, së fundi, “acarimi” e distancimi i heshtur nga Albin Kurti, e kanë zbehur ndjeshëm kohezionin e unitetit shtetëror e kombëtar shqiptar.
Përfundim
Gabimi më i madh sociopolitik dhe kombëtar i Edi Ramës qëndron në pamundësinë, por edhe në mungesën minimale të dëshirës për ta kuptuar Kosovën si subjekt të barabartë politik, e jo si një “zgjatim emocional” apo satelit sentimental të Shqipërisë.
Kjo qasje e tillë arrogante, paternaliste e, do shtoja, edhe politikisht idioteske — që si duket ka dalë nga “laboratorët” e këshilltarëve të tij pro-jugosllavë — e ka shqetësuar, e ka lënduar dhe e ka dëmtuar rëndë Kosovën, si në imazh, ashtu edhe në vetëbesim e në marrëdhëniet strategjike që do të duhej t’i kishim si dy shtete me peshë në Ballkan.
Nga ky pozicionim shihet ashiqare se Edi Rama Kosovën asnjëherë nuk e ka trajtuar seriozisht me ndjenjë e sy patriotik, e lëre më si detyrim historik e amanet kombëtar.
Përkundrazi, ai gjithnjë e ka përdorur atë si monedhë kusuritjeje, si instrument protagonizmi personal, vetëm e vetëm që ta ushqejë egon e vet sadomazohiste të pangopur dhe për të ndërtuar një karizëm artificiale në sytë e ndërkombëtarëve.
Kjo hipokrizi, me tone herë-herë edhe shizofrenike, kulmin e saj e arriti kur në seancën e fundit të Parlamentit të Shqipërisë, me shumicë absolute, partia që ai drejton refuzoi ta votojë Rezolutën për gjenocidin serb ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999!?
Akti i tillë, i paprecedent dhe moralisht i turpshëm e denigrues për luftën e UÇK-së, dëshmon më së miri se fjalët e tij për “vëllazëri” dhe “dashuri kombëtare” ishin dhe mbetën vetëm fraza boshe, të veshura me grimën e një nacionalizmi plastik që shërben vetëm për konsum të përditshëm politik.
Kështu që “lotët e krokodilit” që i nxori për protestën e Tiranës për UÇK-në nuk ishin as ndjenjë, as reflektim, as marshim patriotik, as pendesë kombëtare, por një rrenë e pastër, një mashtrim publik dhe një hipokrizi cinike — një qitje hi syve kosovarëve, për të mbuluar defektin e mungesës së çdo ndjenje të vërtetë atdhedashurie në jetën e tij politike.
Pra, ajo që Edi Rama e quan “dashuri për kombin” është thjesht dashuri për vetveten — një narcizizëm politik i paprecedent, ku flamuri shqiptar përdoret vetëm si dekor, ndërkaq kombi si pretekst.
Një veprim e insistim i tillë është më shumë se turp politik; është shkëputje morale nga memoria dhe trashëgimia e kombit që e përfaqëson.
Sepse, relativizimi i gjenocidit të Serbisë relativizon edhe të vërtetën e lirisë që u fitua me gjak e sakrifica nga UÇK-ja e Kosovës.
Edi Rama është ndoshta i vetmi lider në Evropë që natën qan me lotë të rremë për viktimat, ndërsa ditën di të buzëqeshë para kamerave me agresorin (alias: “vëllain jo biologjik”), presidentin serb!
Për këtë shkak, Edi Rama që “loton” nëpër sheshe, por “voton kundër kujtesës”, nuk është as burrë shteti, as patriot – por vetëm një aktor minor i një tragjikomedie politike, ku flamuri përdoret ekskluzivisht si paçavër dhe rekuizitë personale, ndërkaq kombi si skenar meskin për ta hutuar e dezorientuar turmën mediokre përmes “luftës hibride”.
Mirë e ka thënë gazetari gjerman Michael Martens, kur deklaron: “Edi Rama është padyshim kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga koha e Nikola Pashiqit.”
S’këndejmi, ne shqiptarët duhet të jemi unikë për luftën e zhvilluar çlirimtare, por duke mos harruar asnjëherë Serbinë. Ngase, kurrë s’do mundemi të bashkojmë trojet shqiptare me politika, ambicie e synime dalluese karshi cilido regjim në Serbi. Për mua, dhe besoj për shumicën e shqiptarëve, protesta në Tiranë e gjetiu pro-UÇK-së artikulon zhgënjimin, dëshpërimin, por edhe frustrimin evident qytetar ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe ndaj elitave politike vendore.
Në Shqipëri, ato (keq)përdoren për të krijuar solidaritetin e munguar kaherë emocional dhe për të rikthyer ndjenjën e unitetit, respektit të ndërsjellë midis dy qeverive, bashkë me fokusimin në interesat strategjike për kombin.
Në këto kohëra të liga, kur në botë ende po mbretëron një “kaos i kontrolluar”, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe tej mase të vëmendshëm e vigjilentë, sidomos për sinkronizimin e interesave tona me ato amerikane. Ndërkaq, protestën pro-UÇK-së duhet ta trajtojmë, përveçse si drejtësi historike dhe moralizim kombëtar për gjithë shqiptarët anekënd globit, edhe si frymë, synim e ambicie permanente racionale për stabilitet, siguri e integrim në NATO dhe institucionet tjera releventa të hemisferës perëndimore.... (A2 Televizion)