"Çfarë është PS?", e bija publikon intervistën e rrallë të Dritëroit, reagon ish drejtori i RTSH: Sot partitë klube klientësh

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 10:51 | Blog

"Çfarë është PS?", e bija publikon

Vajza e shkrimtarit të madh, Dritëro Agollit, ka zbuluar një intervistë të të atit në vitin 1995, ku ai flet për prezencën e tij në Partinë Socialiste.

Përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, Elona ka paraqitur një përgjigje të shkrimtarit ndaj pyetjes së gazetarit, se sa çmohej prezenca e tij në PS nga ana e vetë PS-së.

Dritëroi thotë se prezenca e tij do të çmohej nga çdo parti, pasi ishte një figurë e njohur dhe popullore, shkruan A2 CNN.

Ai thotë më tej se kishte një botëkuptim socialist, teksa shtoi se edhe brenda vetë PS-së bënte vërejtje dhe kritika për gjërat që nuk i pëlqenin.

Në një intervistë të vitit 1995, Dritëroin e pyet gazetari: “Sa çmohet prezenca juaj në PS nga ana e vet PS-së?”

“Ta lëmë modestinë. Prezenca ime në çdo parti do të çmohej, pasi unë jam një figurë shumë e njohur dhe tepër popullore. Për mua tregojnë historira, proverba dhe anekdota. Shkrimet e mia i lexojnë të gjithë: edhe ata që më duan, edhe ata që nuk më duan. Unë, kur futem në kafe dhe klube nuk më lënë të paguaj për asnjë gotë dhe për asnjë filxhan! Megjithëse nuk paguaj, e ndiej veten në vështirësi. Vështirësi në shpirt dhe lehtësi në xhep! Unë në Partinë Socialiste kam shkuar vetë, pasi kam një botëkuptim të formuar socialist. Unë dua një shoqëri ku të mbretërojë liria, barazia dhe vëllazëria e fillimit të lindjes së këtyre nocioneve dhe jo e asaj shoqërie të ashtuquajtur socialiste, kur nocionet liri, barazi dhe vëllazëri u prishën dhe u bastarduan. Prandaj në Partinë Socialiste mua më duan dhe më nderojnë. Unë edhe brenda Partisë bëj vërejtje për gjërat që nuk më pëlqejnë dhe këto i përcjell në gazeta dhe në mbledhje. Partia Socialiste është një organizatë që ka shumë figura të shquara në letërsi, në histori, shkencë dhe kulturë në përgjithësi”, përgjigjet Dritëro Agolli.

Ndërkohë në një koment në postimin e Elonës, Thoma Gëllçi shkruan se rrëfimi i Dritëroit ishte një perlë, shkruan A2 CNN.

Gëllçi vijon më tej duke shkruar se teksa shumë njerëz hyjnë në parti për t’u mbrojtur, Dritëroi hynte për të kritikuar.

Sipas tij, Dritëroi nuk kërkonte poste, por aktivizmi i tij në parti përkonte me një ideal që donte ta shihte më mirë të mishëruar.

Komenti i Thoma Gëllçit:

Ky rrëfim i Dritëroit është një perlë e rrallë, ku përzihen mençuria, vetëdija për veten dhe një humor që vetëm një njeri me përmasat e tij mund ta përdorë pa u bërë as arrogant, as populist. Është rrëfim që vlen të lexohet sot, jo thjesht si kujtim, por si standard i munguar.

Në një kohë kur shumë politikanë kujtohen për tendera e inceneratorë, Dritëroi kujtohet për anekdota, për poezi, për një gotë që të tjerët ia paguanin si shenjë dashurie, jo për favore. Ai kishte vetëdijen që vlera e tij nuk vinte nga partia, por nga fjala. Dhe megjithatë, nuk i shmangej përgjegjësisë që kjo fjalë të artikulohej edhe brenda partisë — jo si slogan, por si ndërgjegje kritike.

Shumë njerëz hyjnë në parti për t’u mbrojtur. Dritëroi hyri për të kritikuar. Ai nuk kërkonte poste, por përkonte me një ideal që donte ta shihte më mirë të mishëruar. E sot, kur partitë janë kthyer në klube klientësh dhe jo të ideve, fjala e tij tingëllon si diçka nga një epokë që nuk na takon më — por që kemi shumë nevojë ta rikthejmë. Jo thjesht për të kujtuar Dritëroin, por për të kuptuar çfarë humbëm kur njerëzit e letrës u larguan nga politika, dhe vendin ua lanë njerëzve pa letër fare — as shkollë, as etikë, as fjalë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos