Gratë shqiptare e fituan të drejtën e votës më 9 shkurt 1920, gjatë Kongresit të Lushnjës, në një periudhë kur vendi po kërkonte të konsolidohej si shtet i pavarur. Një hap përpara për një shoqëri që sot, për çudi, nxjerr në fushatë Laje e Zegjine.
Ndërkohë, gratë franceze e fituan këtë të drejtë më 21 prill 1944, afër fundit Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e një vale reformash që synonin të demokratizonin shoqërinë franceze pas pushtimit nazist. Një tjetër kujtesë se edhe një komb që na mësoi fjalët “revolucion”, "liri", "barazi", e ka zvarritur për dekada hapin drejt barazisë.
Gratë greke e fituan të drejtën e votës më vonë, në vitin 1952, si pjesë e procesit të rimëkëmbjes së pasluftës dhe modernizimit politik të vendit. Një vend që dikur i këndonte perëndeshave të mençura dhe luftëtareve të pamposhtura, por që për dekada u mendua se gratë nuk mund të vendosnin dot as për kryetarin e komunës.
Por ndoshta më e habitshmja është se gratë zviceriane morën të drejtën e votës vetëm më 7 shkurt 1971, duke e bërë Zvicrën një nga vendet e fundit në Evropë që e njeh këtë të drejtë themelore për gjysmën e popullsisë së saj. Për një komb që na mësoi precizionin e orëve dhe neutralitetin politik, duket se barazia gjinore kishte ngecur në ndonjë nga bodrumet e thella të bankave.
Në Arabinë Saudite, burrat dhe gratë kanë të drejtë vote vetëm për zgjedhjet lokale. Parlamentin e zgjedh Mbreti.
Ndërkohë, në Sulltanatin e Bruneit nuk kanë të drejtë vote as burrat, as gratë. Sulltani vendos për të gjithë, duke kursyer popullin nga stresi i fushatave, premtimeve të rreme dhe makthi i fjalës së pambajtur.
Sulltani i Bruneit e lejon Tiktok-un. (A2 Televizion)