Nga Flutura Açka
Në pyetjen që i kam bërë vetes në mbyllje e sipër të kësaj legjislature parlamentare, se cili do të ishte njeriu i parë që do të doja ta takoja edhe pas zhbamjes së këtij Parlamenti, për të folur edhe për politikë, ose mbi të gjitha, për politikë, mes shumë miqsh e kolegësh pa dallim të logos që përfaqësojnë, emri i parë që do të më sillej në mendje, do të ishte Enkelejd Alibeaj.
Me sigurinë e asaj që kam parë, që kam njohur, që kam kuptuar në këta katër vite, dhe jo vetëm në raport me veten, por edhe të dimensionit politik të kohës, kam detyrimin politik ta veçoj emrin e tij.
Për shkak të disa situatave personale, nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 e deri në qershor të vitit 2022, kohë kur Partia Demokratike po kalonte tronditje të mëdha – prej të cilave, as sot e gjithë ditën nuk ka shpëtuar – unë nuk kam qenë e pranishme në një pjesë të vendimeve politike që u morën, kështu që nënkryetarin kryetar të PD-së atë kohë, Enkelejd Alibeajn, e njoha rrugës, ndërsa përpiqeshim me një grup deputetësh të mbanin një eshtër reformatore të PD-së.
Në shumë ngjarje, vendime, qasje të rëndësishme politike, duke i besuar qartësisë, profesionalizmit dhe qëndrueshmërisë së tij, i kam kërkuar ndonjë këshillë për vendimet e mia. Shpesh përgjigjja e tij ka qenë befasuese: të veproja si mendoja unë më mirë, si ta ndieja unë më mirë!
Për vete nuk gjeja asgjë më demokratike se kjo dhe të gjitha çfarë na ndodhën gjatë muajve të vështirë të vitit 2022 dhe 2023, më dhanë bindjen se në shtatin dhe qëndrimet e Enkelejd Alibeajt, e kishte shtratin dhe sjelljen një eshtër prej demokrati të fortë, pa kompromis.
Nuk ka ndodhur kurrë në ndonjë tryezë tonat, të shpeshta me miq, ai të shajë vulgshëm Sali Berishën, Lulzim Bashën, siç kanë bërë shumë të tjerë. Qëndrimet politike ndaj tyre, i ka pasur publike, të moderuara prej një vetëkontrolli që vinte nga bashkëpunimi politik me ta, të cilin ia kam mirëkuptuar. Kujdesi i tij nuk ishin pendesë ndaj së shkuarës, por përgjegjësia për t’i dhënë kohë demokratëve të reflektojnë vetë.
Modestisht e thënë, në miqësinë tonë politike, por edhe njerëzore tashmë, kemi marrë disa vendime politike që duken sikur nuk kanë ndikuar aq shumë skakierën politike shqiptare – pasi janë shoqëruar me një fushatë të egër kundërshtuese deri në kufijtë e paditjes publike dhe fajësimit akut para demokratëve – por ato kanë krijuar bërthamën, apo nuklin, siç i thonë në gjuhën politike, të një nebuloze, e cila poqi gjithnjë e më shumë, një vullnet politik që kërkonte ndryshim, reformim dhr demokratizim të PD-së, pse jo edhe përmes vetësakrifikimit të karrierës politike.
Çdo betejë ka martirët e vet.
Mbase kësaj majaje të aksionit opozitar, do t’i duhet ende kohë të maturohet, por një grup kolegësh shumë të nderuar opozitarë, mes të cilëve ka qenë Enkelejd Alibeaj, meritojnë të gjitha nderimet e opozitarëve. Betejat janë të dokumentuara bukur mirë dhe nuk kanë klithma, flakadanë, përbetime, por seriozitetin e çdo fragmenti të kohës.
Në këtë betejë jo të lehtë në mesin e kaosit të demokratëve, kaos i blerë me para, me alibi, me gënjeshtra, me shantazhe, Enkelejd Alibeaj ka qëndruar demokratikisht, pa kërkuar të shpallë veten kurrë si kreu i ndonjë komete endacake politike.
Megjithë idhnimin që mund të kenë shumë demokratë, për shkak të asaj çfarë ka ndodhur, që po ndodh, dhe do të ndodhë me Partinë Demokratike, kam detyrimin t’u them se tek Enkelejd Alibeaj kam gjetur edhe demokratin, edhe të djathtin, edhe konservatorin, edhe të kursyerin në fjalë, edhe jopopulistin, edhe bashkëpunuesin, edhe të pakompromisin, edhe njeriun që negocion me ndërkombëtarët, edhe atë që ulet e pi raki me demokratë.
Kam gjetur të durueshmin. Durim politik që vetë më mungon ndonjëherë.
I tradhëtuar nga pseudoreformatorët gjatë zgjedhjeve të majit 2023 dhe i zhgënjyer mbase nga Basha pas kthimit të tij alla feniksi, ai zgjodhi rrugën vendimtare thuajse vetmitare.
Kështu, nga loja apo paaftësia e të tjerëve, ne nuk e çuam dot deri në fund betejën, ngaqë u penguam dhe u tradhëtuam po prej atyre, për nderin politik të të cilëve, vumë nderin tonë personal.
Tania, ajo bërthama për të cilën fola, është aty, dhe madje gjethëroi e bukur edhe në kushtet e shkretëtirës politike që i dhuroi kjo legjislaturë parlamentare partive të reja. Ato sot janë një realitet bindës, dhe do të jenë relitet i ndryshimit më 11 maj.
Sigurisht, nëse shqiptarët e kuptojnë vërtet momentumin e “takimit (pa hajdutë) me historinë”.
Në këtë bërthamë qëndrese për ta përmirësuar demokracinë shqiptare, shqiptarët nuk do t’i harrojnë disa emra të nderuar deputetësh, të cilëve ndoshta iu desh të sakrifikonin karrierën e tyre nga arsyeja pse zgjodhën t’i japin fytyrë - të vërtetë- europiane Parlamentit të shqiptarëve dhe PD-së së demokratëve.
Mes tyre padyshim është edhe Enkelejd Alibeaj. Qytetarët e Tiranë kanë rast ta kenë sërish në Parlamentin e shqiptarëve këtë politikan të nderuar, për ta vazhduar betejën e demokracisë së tyre.
Iu mjafton një + (plus) te emri i tij. (A2 Televizion)