Kur drejtësia nuk jep llogari – çka mbetet prej saj?

Nga Ibish Neziri
8 Gusht 2025, 10:43 | Blog

Kur drejtësia nuk jep llogari – çka mbetet prej saj?

Nga Ibish Neziri

Në çdo rend demokratik, institucionet publike – përfshirë ato të drejtësisë – duhet të jenë të llogaridhënshme. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë jashtë përgjegjësisë publike dhe kontrollit të ligjshëm institucional, pa rrezikuar legjitimitetin dhe vetë funksionin e tij. Fatkeqësisht, kjo nuk vlen për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – një strukturë që funksionon në emër të Republikës së Kosovës, por pa i dhënë llogari asnjë institucioni të saj.

Kjo gjykatë, ndonëse është themeluar me akt të Kuvendit të Kosovës më 2015 dhe formalisht bën pjesë në sistemin gjyqësor të vendit, në praktikë është e shkëputur nga çdo formë reale e mbikëqyrjes institucionale. Vepron jashtë territorit të Kosovës, me seli në Hagë, është e përbërë nga staf ndërkombëtar, financohet nga Bashkimi Evropian, por nuk raporton para Kuvendit, nuk kontrollohet nga Qeveria, nuk i nënshtrohet sistemit gjyqësor të Kosovës dhe nuk mund të sfidohet në instanca të tjera kombëtare.

Kemi të bëjmë me një strukturë gjyqësore që, përtej legjislacionit formal, është de facto e pavarur nga çdo mekanizëm i kontrollit demokratik. Ky është një fenomen i rrezikshëm për çdo rend kushtetues, por edhe një precedent i padëgjuar në një shtet që synon të ndërtojë institucione të forta e të besueshme.

Drejtësi selektive dhe perceptim i njëanshëm

Nuk është e tepërt të thuhet se Gjykata Speciale ka krijuar ndjesinë e thellë te opinioni publik në Kosovë se është një gjykatë njëetnike, që ndjek vetëm shqiptarët për krime të supozuara lufte, ndërkohë që krimet masive të kryera nga strukturat serbe gjatë luftës në Kosovë nuk kanë qenë dhe nuk janë objekt hetimi nga asnjë gjykatë e ngjashme ndërkombëtare.

Ky perceptim i drejtësisë së njëanshme, përveç se është i dëmshëm për shoqërinë dhe pajtimin, e dëmton rëndë edhe legjitimitetin e vetë gjykatës, e cila në vend se të shihet si garantuese e drejtësisë, shihet si mjet për ndëshkim politik të palës që luftoi për çlirim- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Institucion që nuk i jep llogari askujt

Dhomat e Specializuara nuk i japin llogari Kuvendit të Kosovës, i cili i ka themeluar, as ndonjë trupi tjetër institucional brenda sistemit të drejtësisë në Kosovë. Nuk japin raport të punës së tyre para qytetarëve që paguajnë çmimin moral dhe historik të proceseve që zhvillohen atje. Madje, edhe Bashkimi Evropian që e financon këtë strukturë, nuk ofron mbikëqyrje efektive apo mekanizma të përgjegjësisë që do t’ia garantonin asaj standardet themelore të funksionimit të drejtësisë.

Dhe kështu, kjo gjykatë është shndërruar në një strukturë të pavarur jo vetëm nga politika, por edhe nga drejtësia, nga qytetarët dhe nga shteti që vetë e ka krijuar - Republika e Kosovës, madje duke mos mbajtur në sallën e gjykimeve as edhe një simbol të vetëm të këtij shteti. Kjo situatë është e papranueshme për një shtet sovran.

Nevojë për rivendosje të drejtësisë dhe llogaridhënies

Në asnjë rast nuk duhet të keqkuptohet qëndrimi kritik ndaj funksionimit të kësaj gjykate si një përpjekje për të refuzuar drejtësinë apo për të mohuar krimet individuale, sado të pakta apo të dyshimta të jenë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, e paanshme dhe e mbrojtur nga ndikimet politike, por njëkohësisht duhet të jetë e llogaridhënshme dhe transparente. Prandaj, duhet të kërkohet

·         që kjo gjykatë të respektojë kufijtë e mandatit të saj ligjor,

·         të garantojë mbrojtjen e të drejtave themelore të të akuzuarve,

·         të shmangë ndikimet politike nga çdo palë, përfshirë Serbinë, e cila vazhdimisht përpiqet, jo pa sukses të ndikoj dhe imponoj qëllimet e saj antishqiptare,

·         dhe gjithësesi të vendoset nën një formë të mbikëqyrjes demokratike, qoftë prej institucioneve të Republikës së Kosovës si themeleuese e kësaj gjykate, qoftë përmes raporteve publike ose përmes mekanizmave ndërkombëtarë të llogaridhënies.

Pa llogaridhënie nuk ka drejtësi

Nëse një institucion që vendos për fatin, figurën dhe dinjitetin e njerëzve nuk i jep llogari askujt, atëherë nuk kemi të bëjmë me drejtësi, por me një strukturë që operon mbi parimet e vetëvendosjes absolute, e cila nuk i shërben as të vërtetës, as paqes, as pajtimit, e as dinjitetit njerëzor.

Si qytetar i Republikës së Kosovës, si njeri që e ka ndier nga afër peshën e padrejtësive historike dhe si studiues që beson në forcën e së vërtetës, kam të drejtë dhe detyrë ta ngre zërin për një drejtësi që e meriton këtë emër. E çdo qytetar tjetër duhet ta bëjë të njëjtën gjë – jo për të mbrojtur fajësinë e dikujt, por për të mbrojtur parimin që drejtësia e vërtetë nuk frikësohet nga llogaridhënia. Ajo e kërkon atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos