Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të takohet personalisht me homologun e tij rus, Vlladimir Putin, që javën e ardhshme, njofton gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”. Sipas dy burimeve të njohura me planin, të cilave u referohet gazeta, pas këtij takimi është parashikuar edhe një samit trepalësh me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski.
Trump thuhet se ka bërë të ditur synimin e tij gjatë një telefonate me disa liderë europianë, ku morën pjesë edhe Zelenski, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Takimi i paralajmëruar mes Trump dhe Putinit pritet të zhvillohet pa përfshirjen e përfaqësuesve europianë.
Ende nuk është e qartë nëse Putin dhe Zelenski kanë rënë dakord për këto plane. Asnjë deklaratë zyrtare nga palët përkatëse nuk ishte dhënë deri në mbrëmje. Ky zhvillim diplomatik vjen pas përpjekjeve intensive dhe një afati të vendosur nga SHBA-të. I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, është takuar me Putinin në Moskë – takim që Trump e ka vlerësuar si “të suksesshëm”, duke folur për “përparime të mëdha”.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Zelenski ka deklaruar se duket se ekziston një gatishmëri më e madhe nga ana e Rusisë për një armëpushim. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se Rusia nuk duhet ta mashtrojë as Ukrainën dhe as Shtetet e Bashkuara “në çështjet e detajeve”.
Administrata amerikane i ka vendosur Rusisë një afat që përfundon të premten për të rënë dakord mbi një armëpushim në luftën që po vazhdon prej më shumë se tre vitesh. Në të kundërtën, janë paralajmëruar sanksione të reja ekonomike.
E.R.
(Burimi: Frankfurter Allgemeine Zeitung) (A2 Televizion)