Kur vera e Kosovës pushtonte tryezat gjermane

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 23:21 | Blog
Kur vera e Kosovës pushtonte tryezat gjermane

Nga Enver Robelli

Dikur ishte vera e kuqe më e shitur në Gjermaninë perëndimore. Sot, vera e Kosovës “Amselfelder” ruhet vetëm në kujtimet gjermane, shkruan gazeta e famshme gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Një artikull i fundit i autorit Stephan Reinhardt, i titulluar “Një hero luftarak nga ditët e shkuara” dhe i botuar në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, rikthen në vëmendje historinë e jashtëzakonshme të verës “Amselfelder” (Fusha e Mëllenjave), një emër që dikur ishte sinonim i suksesit të vreshtarisë së Kosovës në tregun gjerman.

Gatë viteve 1960-të dhe 1970-të, “Amselfelder” nuk ishte thjesht një verë, por një fenomen shoqëror në Gjermaninë Perëndimore. E prodhuar nga vreshtat e pasura të Rrafshit të Dukagjinit, kjo verë e kuqe, e lehtë dhe e ëmbël, u bë vera më e shitur në të gjithë Gjermaninë Federale. Shifrat e asaj kohe janë mbresëlënëse: gjermanët konsumonin deri në 30 milionë shishe në vit. Për krahasim, kjo do të thoshte se pothuajse çdo qytetar gjerman pinte mesatarisht gjysmë shishe “Amselfelder” në vit.

Vera ishte një përzierje e varieteteve si Gamay, Pinot Noir, Cabernet Sauvignon, si dhe rrushit vendas Vranac dhe Prokupac. Ajo distribuohej nga firma Racke me seli në Bingen am Rhein. Edhe pse emri tingëllonte gjermanisht dhe etiketa shfaqte një figurë heroike që ngjante me personazhet e lojërave popullore me letra, origjina e saj ishte nga toka diellore e Kosovës, ku vreshtaria daton që nga periudha romake.

Për autorin Reinhardt, “Amselfelder” ngjall nostalgji familjare. Ai kujton se si kjo verë ishte gjithmonë e pranishme në tryezën e tyre të së dielës. Për shumë familje gjermane të asaj kohe, ajo përfaqësonte një verë cilësore por me çmim të përballueshëm, duke u bërë pjesë e pandarë e festave dhe drekave familjare. Edhe pse shumë konsumatorë gjermanë nuk e dinin saktësisht historinë e emrit apo lokacionin gjeografik, shija e saj mbeti në kujtesën e tyre kolektive.

Ndonëse me kalimin e kohës dhe ndryshimin e trendeve të konsumit (si dhe rrethanave politike), prania e saj u zbeh, artikulli nënvizon se vera “Amselfelder” mbetet një kapitull i rëndësishëm i historisë ekonomike të Kosovës. Gjermanët sot e shohin atë si një “hero” të ditëve të shkuara, duke vlerësuar se një verë ka një histori të vërtetë vetëm kur njerëzit vazhdojnë të flasin për të edhe pas pesë dekadash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos