Roland Qafoku hedh dyshime: Skrapari, origjina e vëllezërve Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri

Nga A2 CNN
7 Mars 2026, 14:59 | Blog

Roland Qafoku hedh dyshime: Skrapari, origjina e vëllezërve Abdyl,

Nga ROLAND QAFOKU

Ka nisur një debat prej disa muajsh për historinë e familjes nga më të rëndësishme, më të famshme, me më shumë kontribute, më saktë, familjes që ideoi kombin dhe shtetin shqiptar, atë të familjes Frashëri. Prej gati një shekulli shqiptarët dinë që Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri ishin nga Frashëri i Përmetit. Por është shumë pak të thuash vetëm kaq për ata që i quajmë treshja vëllazërore që ngjizën kombin shqiptar. Por, kush ishte familja e madhe Frashëri? Ku lindën, ku jetuan, nga erdhën dhe nga e kishin orgjinën? Librin tim “100 personalitete më të spikatur të Skraparit” (Botim i vitit 2024) e kam startuar me personazh të rrallë me emrin Hamza Bej Grëmshi. Një bej i Mesjetës që lindi, bëri emër dhe jetoi në qytezën Grëmsh të Skraparit, një vendbanbim i zhdukur po në Mesjetë e që tashmë ka vetëm gërmadha. Nga të gjitha të dhënat, e bazuar në dokumente, rezulton se ishte pikërisht Hamza Bej Grëmshi i pari i familjes Frashëri, i cili është larguar nga kjo qytezë i detyruar. Hamza Grëmshi ishte babai i Fejzullaut. Fejzullau ishte babai i Ajazit. Ajazi ishte babai i Halitit dhe Haliti ishte babai i Avdyl Naim dhe Sami Frashëri. Po si vërtetohet kjo? Sepse një e dhënë, edhe për fshatin më të parëndësishëm, duhet të shkruhet me referencë dhe e dokumentuar dhe jo me të dhëna që dikush i ka përcjellë gojë më gojë në fshat dhe më pas një guximtar i çartur dhe i paditur thjeshtë i shkruan se ia ka thënë ky dikushi? Ti marrim me radhë.

Mit’hat Frashëri, djali i Abdylit dhe një figurat kombëtare më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë përdorte disa pseudonime në shkrimet dhe botimet e tij. Një prej tyre ishte edhe Mali Kokojka i zbuluar kjo nga profesor Aurel Plasari. Kjo është lidhja e parë e familjes Frashëri me Skraparin dhe Mithat Frashëri ka patur arsye më shumë për ta përdorur në nder të gjenezës së tij Skrapari. Pikërisht atje në afërsi të Grëmshit që sot është i rrënuar dhe i pabanueshëm, ndodhet një kodër e ngritur që banorët e quajnë ende Mali Kokojka. Por Mali Kokojka është edhe një vend pranë fshatit Frashër që do të thotë që familja Frashëri ia ka vendosur për të kujtuar Malin Kokojka në Grëmsh nga ku u largua i pari i tyre Hamza bej Grëmshi. Një njohës shumë i mirë i historisë dhe gjeografisë, por edhe prejardhjes së familjes së vet, ky psedunomim është një gjetje e bukur e Mithat Frashërit që e ka përdorur në nder të prejardhjes së familjes. Mithat Frashëri këtë pseudonim e përdori në disa shkrime, por më i rëndësishmi është ai që përdori në librin “Naim Frashëri, mësime, Distaptur, Biblioteka e Kulturës Popullore, 1, Parathënie nga Dhimitër Berati”. (Botim i vitit 1901 në Sofje të Bullgarisë në shtypshkronjën e Kristo Luarasit si dhe botim i vitit 1942 në Tiranë i shtypshkronjës “Luarasi”). Këtij libri ia ka bërë nder që parathënien e ka shkruar një penë e artë e asaj kohe si Dhimitër Berati në atë kohë ministër i Kulturës Popullore dhe dikur firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Madje, Dhimitër Berat ka shtuar vetë një footnote duke sqaruar se Mali Kokojka është dora vetë Mithat Frashëri. (Po aty, faqe 5)

Ndërkaq, që në hyrje të librit Mit’hat Frashëri i mëshon origjinës nga Tomorrica dhe të parit nga rrjedh familja, Hamza Grëmshi.

Shkruan Mali Kokojka, allias Mithat Frashëri:

“Na ç'dihetë mbi këtë familje: me 1570, Hamza beu, i par' i Tomoricës, desh të shtojë urdhërin' e tij dhe të marë mpronjë Skraparë, Oparë, Vërçën etj. por, qeveri e Turqisë, që s'i pëlqenin punët' e këti zotënije, e rrethoj në Berat dhe Hamza beu, mbetur pa mjete lufte dhe ushqimi, desh të dilte mveshurësi grua; u-njoh dhe u zu i gjallë; mbi këtë me gjithë familje u-dëbuan në Stanimakë, ku ndëjnë 80 vjet; më 1650, në kohë të Mehmet pashë Qypriliut, u-fal Ajaz beu, i nip' i Hamza-jt, dhe i u-dha për mpronjë Frashëri, Mërtinja, Xhananji, Topojani, dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca pshatra në Myzeqe; por Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndënjurë, se ësht' vënd' i forte”. (Kokojka Mali, Naim Frashëri, mësime, Distaptur, Biblioteka e Kulturës Popullore, 1, Parathënie nga Dhimitër Berati, faqe 6,7).

Mithat Frashëri jep edhe panoramën e fshatit Frashër dhe konfirmon se familja Frashëri ka ardhur shumë më vonë se disa familje që ishin autoktonë në këtë fshat të rëndësishëm të kohës.

“Kur erdhi Ajazi në Frashër, atje gjeti shtëpi parësije: Aliçkasit, Cerasit, Bregasit dhe Bakasit. (Nga Aliçkasit më pastaj cashtëpi van' e bënë Orgockën dhe Butkënë; Bregasit bënëGoroshianin dhe Lushnjën; ca të Bakasit van' në Koblarë”. (Skëndo Lumo, Naim Frashëri, jetëshkrim, faqe 10).

Kur Sami Frashëri shkruante se shqiptarët e kanë quajtur luftën punë, duhet të ketë patur parasysh edhe bëmat që kishte dëgjuar për katragjyshin e tij Hamza bej Grëmshi. Nga një i preferuar dhe  i dërguari  i Portës së Lartë, Hamza bej Grëmshi u kthye kundër Portës së Lartë e cila dërgoi taborret e saj për ta kapur. Të dhënat janë që ai kishte nën urdhër rreth 500 lufëtarë, burra dhe të rinj të zonës dhe me ta ai nisi një kryengritje që pak vend ka zënë në historiografi, por që në fakt ka rëndësi të madhe për atë kohë. Për Perandorinë Osmane e vërtetë Hamza bej Grëmshi u kthye në një problem. Por sulltani vuri në zbatim atë rregull që do të thoshte pak më shumë se 200 vjet më vonë Lord Bajroni se nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit 1. Por nëse do që 100 shqiptarë të heshtin vrit 99. Për këtë u kryen disa ekspedita për eleminimin e Hamza bej Grëmshit. Ekzistojnë të dhëna që gjatë kësaj kohe në zonën e Skraparit kanë qenë të vendosur garnizone ushtarake osmane në Kalanë e Çorovodës që organizoheshin për të luftuar dhe kapur drejtuesin e kryengritjeve Hamza bej Grëmshin. (Karaiskaj Gjerak, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, faqe 202).

Të dhëna të tjera shtojnë se ky garnizon osman nuk ndahej nga administrata civile e tyre dhe vepron në bashkëpunim me njëri tjetrin. (Karaiskaj Gjerak, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, faqe 224).

Në ato male të thepisura dhe gryka janë zhvilluar disa beteja dhe Hamza bej Grëmshi u duk se doli i fituar për disa vite. Por garnizonet osmane e ndiqnin dhe ai u detyrua të largohej nga Grëmshi dhe Skrapari. Një strehë e re e tij ishte Berati, qytet në të cilin kishte disa prona. Por ai ndiqej këmba këmbës nga ushtarët osmane dhe nuk kaloi shumë dhe mbërriti edhe fundi i tij. Mit’hat Frashëri këtë moment e sjell jo më burrërrorin:

“Ushtria rrethoj në Berat dhe Hamza beu, mbetur pa mjete lufte dhe ushqimi, desh të dilte mveshurësi grua; u-njoh dhe u zu i gjallë”. (Kokojka Mal, Naim Frashëri, mësime, Distaptur, Biblioteka e Kulturës Popullore, 1, Parathënie nga Dhimitër Berati, faqe 7).

Kështu mori fund rebelimi i një skraparliu që u shpall armik i Portës së Lartë. Pas kapjes ai dhe familja u internuan në Stanimakë të Edernesë në Turqi.

Jeta e re në Stanimakë të Edernesë për Hamza bej Grëmshin nuk kishte ndonjë dallim më shumë se sa burgu. Ai ishte atje syrgjyn. I vetmi shpëtim për të ishte familja që e kishte me vete dhe në një farë mënyrë mijëra kilometra larg Skraparit kishte nisur një jetë të re. Ishte dënuar që të jetonte përjetë në Stanimakë dhe ky ishte një dënim edhe më i rëndë se sa vdekja. Në vitin 1611 në moshën 51 vjeçare Hamza bej Grëmshi ndërroi jetë duke lënë pas një djalë Fejzullahu. Edhe jeta e Fejzullahut nuk ishte më e mirë se e të atit. Edhe për atë shpëtim ishte vetëm familja. Jeta i dhuroi një djalë Ajazin që u rrit dhe u arsimua në atë vend. Për fat kur mbushën 80 vjet nga syrgjynimi Sulltani pasardhës nxori një ferman që kjo familje të falej dhe të kishte mundësinë të kthehej në vendin e tyre. Ajazi nuk mund të kthehej në Grëmsh, i cili në këtë kohë ishte jo vetëm i shkatërruar nga betejat dhe masakrat, por një rrëshqitje e madhe toke e kishte shkatërruar të githë qytezën. Në këtë situatë ai zgjodhi një vend që të mos ishte shumë larg vendlindjes së gjyshit Hamza bej Grëmshit dhe për këtë zgjodhi Frashërin. Shkruan Mithat Frashëri:

“Më 1650 një familje e re vajti në këté qytet (Frashër); ky i ardhur'i quajtur Ajaz bej ish prej një familje nga Tomorica, që kish i ndënjur' i dëbuarë (syrgjyn) nja 70-80 vjet në Stanimakë (nëvilajet t'Edërnesë); nga ky Ajaz bej janë sotgjithë shtëpit' e zotënivet veç atyret'Aliçkasit, q'ishinë dhe pa ardhur Ajazi. Lindurë më 1864, Naimi ish bir' I Halit beut ng' ajo fëmij' e vaturë në Frashër më 1650, me Ajaz benë. Haliti sigjithë bejët e Shqipërisë, ish me harxhe dhe kish jetuarë shumë kohë në Greqi (sapa bërë me vehte), në Thesali e gjetkë”. (Skëndo Lumo, Naim Frashëri, jetëshkrim, faqe 10).

Një histori tejet interesante e Hamza bej Grëmshit që la pas jo vetëm bëmat si kryengritës, por edhe për atë gen që u trashëgua te stër-stërnipërit e tij, Avdyl, Naim dhe Sami Frashëri, ajo treshe e artë vëllezërish që ideuan kombin shqiptar. Lidhja e tyre me Skraparin spikaste më shumë te poeti Naimi, i cili nuk e fshihte faktin që si muzë në krijimtarinë e tij shërbente Mali i Tomorrit, që me frazën “aty ku pushon Zoti” ka bërë përcaktimin më të bukur për atë mal perëndie. Përveç shumë e shumë të tjerave, ky mal mbretëror ishte për Namin një gravitet që tërhiqej doemos nga orgjina e tij, Skrapari.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos