Me dinamit kundër demokracisë

Nga Enver Robelli
10 Mars 2026, 17:53 | Blog
Me dinamit kundër demokracisë

Nga Enver Robelli

Opinioni sërish ka mbetur i shtangur nga papërgjegjësia e partive parlamentare të Kosovës. Deri kur? Sërish paaftësinë për kompromis klasa politike e ka deleguar te Gjykata Kushtetuese. Anëtarët e saj gjenden tani para një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për funksionimin e demokracisë, por edhe për stabilitetin e sistemit politik.

Një kryetar partie - më të madhes, kësaj me 57 deputetë - tha se president duhet të bëhet ai që e propozon partia e tij. U propozua një emër, por vetë i propozuari tha: “Jo, faleminderit”. Emra të tjerë konsensualë partia më e madhe nuk propozoi. Menjëherë e nxori në garë nënkryetarin e partisë, i sapozgjedhur në postin e kryediplomatit. Dhe këtu nis një pjesë e problemit.

Mund të kesh shumicën në Parlament, mund të kesh më shumë se gjysmën e zgjedhësve pas vetes, por prapë mbesin diku 40 deri 50 për qind e qytetarëve që përkrahin opozitën, andaj kur vjen puna e propozimit të një kandidati për president duhet pasur parasysh edhe këtë “gjysmën tjetër”. Ambicia për të kontrolluar çdo post 100 për qind rrezikon të mbajë peng shtetin. Para se të marrin yrysh ata që njohin vetëm një të vërtetë, një sugjerim: vazhdoni të lexoni. Dalëngadalë. Me durim.

Një kryetar tjetër partie - i të dytës me radhë, me 35 deputetë më pak se partia e parë - tha se nuk e pranon kandidatin e propozuar nga partia e parë. Jurishnikë të tjerë të kësaj partie thanë madje se “nuk votojmë” askënd që propozon partia e parë. Kryetari i partisë së dytë tha se partia e tij do të propozojë një “emër dinjitoz” për president, por nuk pranoi ta bëjë publik atë emër. Opinioni mund të hamendësonte, të merrej me enigmatikë.

E kur do të bëhej ky alamet propozimi? Në seancën vendimtare të Kuvendit, pra, si të thuash, tek 5 minuta para votimit? Kjo lojë i ngjante cirkut: e nxjerrim lepurin nga cilindri për t’i befasuar të gjithë. Ose thënë më popullorçe: zgjedhja e presidentit si lojë me kapuça ose me filxhanë. Kjo qasje është absurde. Kështu nuk kërkohet kompromisi. “Këtu ka humbur çdo racionalitet”, thotë në kushte anonimiteti një nga figurat me përvojë politike të kësaj partie - nuk e ka fjalën vetëm për kundërshtarët politikë, por edhe për krerët e partisë së tij, e, qe besa, edhe për atë që e quajmë opinion publik.

Një kryetar tjetër partie (e treta me radhë) - me 42 deputetë më pak se partia e parë -, i lënduar nga një humbje e rëndë elektorale, tha se donte një president konsensual, por nuk përmendi asnjë emër. Në fund tha se s’kishte gjë kundër as ndaj presidentes aktuale. Nëse është kështu, mund të publikonte nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij që përkrahin një kandidaturë, qoftë edhe të presidentes aktuale. Kjo s’u bë - me gjasë nga frika se disa prej deputetëve nuk do ta dëgjonin kryetarin e partisë, sepse janë kundërshtarë të përbetuar të presidentes. Kundërshtarët i kanë qëndrimet publike. Dihen me emra e mbiemra.

E çka mësojmë nga e gjithë kjo maskaradë: te të gjithë ka munguar vullneti për të gjetur një zgjidhje. Metoda e negociatave ka qenë shantazhimi: nëse do zgjidhje të nyjës dhe zgjedhje të presidentit, atëherë vetëm me kushtet e mia. Partitë opozitare do të mund të propozonin kandidatë dinjitozë dhe nëse partia e parë nuk dot’ i merrte fare parasysh, do të kishin një argument të fuqishëm për të mos u bërë argatë në Parlament sa për procedurë e formalitet.

Kështu, pa asnjë propozim për president dhe duke bojkotuar Parlamentin, mund të bëhet politikë, por jo në interes të qytetarëve të Kosovës. Ndonëse kemi hyrë në muajin e tretë të vitit 2026, Kosova ende gjendet në vitin 2025 sa i përket paralizës politike. Asnjë mësim nga pësimet. Situata është si te drama “Duke pritur Godonë” e Samuel Beckettit.

Vladimiri: Atëherë, a të shkojmë?

Estragoni: Po, le të shkojmë.
(Ata nuk lëvizin).

Për të shkuar diku (lexo: për të zgjidhur një krizë) të gjithë duhet të lëvizin nga pak. Ose të shtiren si Vladimiri dhe Estragoni i Beckettit.

Për aq kohë sa nuk lëviz askush dhe nuk lëvizin të gjithë nga pak, gjasat janë të mëdha që letargjia politike do të vazhdojë. Egoja toksike duket më e rëndësishme se fati i vendit. Ambiciet personale më të mëdha se demokracia dhe liria e republikës. Shihet një hendek i madh mes rrenave publike dhe qëndrimeve meskine në takime larg syve të opinionit.

Në çastet e fundit nisi edhe aventura tjetër: improvizime për ndryshime kushtetuese. (E neveritshme të mendohet se më shumë debat për ndryshime kushtetuese ka pasur në kohëra që nuk duam të kthehen kurrë sesa sonte). Po shohim po ashtu: degradim të Parlamentit në një kabinë llafesh.

Që nga Lufta e Dytë Botërore bota nuk ka qenë kurrë më shumë e ballafaquar me luftëra, paparashikueshmëri, volatilitet, rreziqe të mëdha. Komoditeti me të cilin klasa politike e Kosovës u përgjigjet këtyre sfidave është thjesht skandaloz. Por në këtë vend edhe fjala skandal e ka humbur çdo kuptim. Ky nivel i dashakeqësisë mes klasës politike edhe mund të kuptohej, jo të mirëkuptohej, në disa kohëra të tjera, të cilat mos u kthefshin. Por të bëhen kaq shumë lojëra të pista nga të gjithë - kush më shumë e kush më pak - kjo është e paprecedent.

Kur partitë janë të papërgjegjshme, atëherë fillon loja me emra. A bën ky? A bën ai? Ndoshta bën ajo? Ose ajo tjetra? Ka edhe të tillë që thonë, faqe botës, me gojë e me shkrim: “Hej, edhe unë jam këtu, i gatshëm të sakrifikohem”. Natyrisht pa ua kërkuar sakrificën askush. Por të tillët kanë shumë vetëbesim, e hedhin pullazin e Parlamentit në hava nga ky vetëbesim. A kërkohet ndonjë përvojë politike për këtë post? A duhet të ketë një profil të caktuar për president apo presidente? Një lloj pjekurie mentale e emocionale? A kërkohet nga kandidati apo kandidatja të njohë pak edhe botën? Jo, jo, asgjë nuk kërkohet.

Sërish paaftësinë për kompromis klasa politike e ka deleguar te Gjykata Kushtetuese. Anëtarët e saj gjenden tani para një vendimi jashtëzakonisht të rëndësishëm jo vetëm për funksionimin e demokracisë, por edhe për stabilitetin e sistemit politik. A kanë të drejtë partitë politike të bojkotojnë punën e Parlamentit? (E ka bërë këtë në të kaluarën shpesh edhe partia e 57 deputetëve, andaj ka një lloj hipokrizie kur dëgjohen zëra nga ky kamp për respektim të rregullave e procedurave demokratike).

A ka të drejtë kryetarja e vendit të marrë rolin e hakeres dhe ta hedhë në ajër Parlamentin me një dekret? Sytë janë të drejtuar nga Gjykata Kushtetuese. Ajo duhet të krijojë qartësi duke ua marrë dinamitin nga dora politikanëve. Dëmet që janë shkaktuar deri më tani janë tashmë tepër të mëdha.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos