Nuk ekziston fare as dashuri, as simpati mes dy partive që lidhën koalicion në Gjermani, pra mes demokristianëve (CDU & CSU) dhe socialdemokratëve (SPD). Koalicioni mes partisë së parë dhe të tretë u lidh për shkak të domosdoshmërisë aktuale dhe mungesës së alternativave bindëse.
Gjatë fushatës këto dy parti e akuzuan njëra-tjetrën për paaftësi. Shkëmbyen edhe fjalë të rënda. Pasi u mbajtën zgjedhjet dhe rezultati nuk ishte i kënaqshëm për asnjë parti, përveçse për ekstremistët e djathtë, demokristianët dhe socialdemokratët morën përgjegjësi për vendin. Nisën negociatat për koalicion. Arritën marrëveshje për koalicion. Por këtu nuk mbaroi muhabeti.
Meqë kryetarët e partive nuk e konsiderojnë partinë si pronë të tyre, ata vendosën që në procesin e vendimmarrjes të kyçin kongresin përkatësisht anëtarësinë. Demokristianët mbajtën një kongres, i cili përkrahu koalicionin. Socialdemokratët shkuan një hap më tutje: kërkuan nga 358 mijë anëtarë të SPD-së të votojnë online nëse përkrahin apo hedhin poshtë marrëveshjen e koalicionit me demokristianët. 84,6 për qind e anëtarëve të SPD-së votuan për marrëveshjen e koalicionit.
Pse ky model të mos praktikohet edhe në Kosovë? Kryetari i partisë së parë, të dytë e të tretë (e kështu me radhë) e pyet anëtarësinë: jeni për apo kundër koalicionit me këtë apo atë parti? Kësisoj pëlqimi apo refuzimi do të kishin bazë shumë më të gjerë demokratike se sa vendimi i një rrethi të ngushtë nën ndikimin e kryetarit.
“Ne nuk jemi Gjermani”, do të thoshte ndonjë cinik kujdestar. E vërtetë, por çka jemi? Dhe çfarë modelesh politike praktikojmë? Nëse në votimin brendapartiak anëtarësia do të hidhte poshtë një koalicion apo do ta përkrahte atë, kryetari do të kishte argumente të fuqishme në ballafaqim me kritikët e brendshëm.
Momentalisht duket se askush nga klasa politike e Kosovës nuk është i gatshëm të marrë përgjegjësi nga frika se secili po ia bën kurthin tjetrit. Kjo tregon sa i thellë është mosbesimi mes akterëve politikë. Po të kishte vullnet për qeverisje, ofertat dhe kundërofertat nuk do të bëheshin me pompozitet publik.
Në prapavijë nuk po përjashtohet as skenari i zgjedhjeve të reja parlamentare. Në një rast të tillë, mund të ketë politikanë që nuk do ta shohin më Kuvendin e Kosovës dhe mund të ketë liderë partiakë të cilëve do t’u hakmerret injorimi i anëtarësisë. Kosova ka hyrë në një fazë të jostabilitetit politik, i cili, fatkeqësisht, nuk do të jetë afatshkurtër. Afatgjatë do të jetë, prapë fatkeqësisht, polarizimi politik, helmi, kurthet, intrigat - të gjitha këto të shoqëruara edhe nga propaganda parapolitike. (A2 Televizion)