Më 16 shtator nuk gjykohen vetëm katër të akuzuar – edhe gjykata speciale do të jetë në bankën e provës

Nga A2 CNN
13 Shtator 2026, 21:00 | Blog

Më 16 shtator nuk gjykohen vetëm katër të akuzuar –

Nga Ibish Neziri

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet në paraburgim pa një aktgjykim të shkallës së parë. Gjykata e ka caktuar shqiptimin e vendimit për orën 10:00, pas një procesi shumëvjeçar, me një numër të madh dëshmitarësh dhe mijëra materiale të paraqitura si prova, por me vlerë provuese të diskutueshme, proces që tashmë ka hyrë në historinë e drejtësisë ndërkombëtare jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për polemikat që e kanë shoqëruar.

Por më 16 shtator nuk do të jenë vetëm katër të akuzuarit përballë gjykimit. Në një kuptim shumë më të gjerë, në bankën e provës do të jetë edhe vetë institucioni që i ka mbajtur ata pothuajse gjashtë vjet në paraburgim, së bashku me historinë e krijimit të tij, mënyrën se si ka administruar procesin, raportin e tij me standardet që pretendon se përfaqëson dhe, mbi të gjitha, me pyetjen nëse drejtësia që do të shpallë është në gjendje ta përballojë peshën e politikës që e solli këtë Gjykatë në jetë.

Prandaj, 16 shtatori nuk është vetëm dita e aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe dita kur do të fillojë, në një kuptim historik dhe politik, gjykimi i vetë Gjykatës.

Në emër të popullit të Kosovës, por me çfarë legjitimiteti?

Na është përsëritur vazhdimisht se Dhomat e Specializuara janë gjykatë e Kosovës dhe, në kuptimin formal juridik, kjo është e saktë, sepse ato u krijuan përmes ndryshimit të Kushtetutës dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Por sapo largohemi nga kjo formë juridike dhe shohim realitetin institucional, lidhja me Kosovën bëhet pothuajse e padukshme: Gjykata ndodhet në Hagë, gjyqtarët janë ndërkombëtarë, prokurorët janë ndërkombëtarë dhe pjesa vendimtare e personelit po ashtu, financimi dhe mbështetja politike vijnë kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe shtetet kontribuuese, ndërsa edhe në paraqitjen e saj institucionale mungojnë shenjat që zakonisht identifikojnë një gjykatë të Republikës së Kosovës. Në sallën ku gjykohen ish-drejtuesit e UÇK-së, ajo që shihet më qartë nga Kosova janë vetë të akuzuarit.

Prandaj, ta quash thjesht “gjykatë të Kosovës” është juridikisht e mundshme, por politikisht e paplotë, sepse kemi të bëjmë me një institucion të Kosovës sipas bazës formale ligjore, ndërsa në strukturën, personelin, selinë, financimin dhe ushtrimin real të pushtetit gjyqësor kemi një mekanizëm të ndërkombëtarizuar pothuajse tërësisht.

Kosova i dha bazën kushtetuese dhe ligjore, por arkitektura e institucionit u ndërtua në një proces në të cilin faktori ndërkombëtar kishte peshën përcaktuese, dhe pikërisht kjo na çon te problemi i legjitimitetit.

Rregullorja e vetë Dhomave të Specializuara përcakton se aktgjykimi i shkallës së parë shpallet publikisht “në emër të popullit të Kosovës”, formulë që Gjykata e ka përdorur edhe në aktgjykimet e mëparshme.

Formalisht, pra, Gjykata e ka këtë kompetencë, por kompetenca që ia jep një normë juridike dhe legjitimiteti politik e moral për të folur në emër të një populli nuk janë e njëjta gjë.

Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset më të rënda të kësaj ndërmarrjeje: një gjykatë e krijuar pas një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, e vendosur jashtë territorit të Kosovës, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe e mbështetur financiarisht nga jashtë, do të marrë përsipër të shqiptojë vendimin e saj “në emër të popullit të Kosovës”, ndërkohë që mosbesimi ndaj mënyrës se si është krijuar dhe ka vepruar kjo Gjykatë është shprehur vazhdimisht, publikisht dhe në mënyrë masive, deri te marshimet me dhjetëra mijëra qytetarë dhe, sipas vlerësimit të organizatorëve, rreth 100 mijë pjesëmarrës vetëm më 12 shtator 2026.

Ky zë nuk është dëgjuar vetëm sot, më 12 shtator. Mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në prill të vitit 2023, ndërsa në vitet që pasuan protesta kundër mënyrës së funksionimit të Gjykatës dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së u organizuan edhe në Hagë, Strasburg, Tiranë e Shkup. Më 17 shkurt 2026, mijëra qytetarë dolën përsëri në Prishtinë nën moton “Liria ka emër, drejtësi jo politikë”, ndërsa sot, vetëm katër ditë para aktgjykimit, “Marshi për Liri”, nën moton “Kosova po pret”, ka sjellë sërish në rrugët e kryeqytetit një pjesëmarrje masive, duke dëshmuar se mosbesimi ndaj kësaj Gjykate nuk është as i rastësishëm, as i sotëm dhe as i kufizuar në një grup të vogël njerëzish.

Madje, slogani i vendosur sot në hapësirën e marshit është domethënës pikërisht për këtë debat: “Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm.”

Kjo nuk do të thotë se një marshim mund të zëvendësojë një proces penal apo se faji dhe pafajësia vendosen në shesh, por diçka tjetër: kur një gjykatë merr përsipër të flasë “në emër të popullit”, ajo nuk mund të sillet sikur qëndrimi i atij populli ndaj vetë institucionit të mos ekzistonte.

Prandaj, kur më 16 shtator të shqiptohen fjalët “në emër të popullit të Kosovës”, pyetja ime do të jetë e pashmangshme: në emër të cilit popull, të një populli që e kërkoi këtë Gjykatë, apo të popullit të Kosovës që u vu nën presion për ta pranuar? Në rrethanat e krijuara dhe pas gjithë asaj që ky proces ka nxjerrë në pah, çdo vendim tjetër përveç pafajësisë mund të jetë aktgjykim i kësaj Gjykate, por nuk mund të pretendojë legjitimitet për t’u shqiptuar në emër të popullit të Kosovës.

Specialja nuk erdhi në një shkretëtirë juridike

Po aq problematik është edhe krijimi i përshtypjes sikur para Dhomave të Specializuara krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së të mos ishin trajtuar nga drejtësia ndërkombëtare. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte juridiksion mbi krimet e kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe ka hetuar, akuzuar e gjykuar edhe pjesëtarë e drejtues të UÇK-së; dikush është dënuar, ndërsa të tjerë janë liruar.

Kjo natyrisht nuk nënkupton se Tribunali kishte gjykuar çdo vepër penale të mundshme dhe çdo person që mund të mbante përgjegjësi, por rrëzon pretendimin se ekzistonte një boshllëk absolut juridik që duhej plotësuar patjetër me një gjykatë krejt të re. Madje edhe teoria e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, mbi të cilën Prokuroria e Specializuar mbështet një pjesë themelore të teorisë së përgjegjësisë së katër të akuzuarve, nuk është risi: ajo ishte përdorur edhe nga Tribunali për ish-Jugosllavinë në proceset ndaj pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së, pa arritur në raste të rëndësishme të provohej lidhja e pretenduar kriminale.

Problemi, pra, nuk është ekzistenca juridike e këtij koncepti, por mënyra se si ai përdoret sot. Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me synim marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi të gjithë Kosovën përmes goditjes së kundërshtarëve të perceptuar. Një pretendim kaq i gjerë nuk mund të provohet me funksione, prani në mbledhje, deklarata politike apo me pretendimin se krime janë kryer nga individë të UÇK-së; ai kërkon prova konkrete se secili prej të akuzuarve ka ndarë dhe ka vepruar për realizimin e atij qëllimi kriminal. Pikërisht këtë lidhje, sipas vlerësimit tim, Prokuroria nuk arriti ta provojë bindshëm.

Pikërisht për këtë mbetet e hapur pyetja se përse, shumë vite më vonë, u desh një mekanizëm tjetër i jashtëzakonshëm, jashtë Kosovës, me mandat të posaçëm dhe me arkitekturë krejt të veçantë, i lidhur që në gjenezën e tij me pretendimet e Raportit Marty, një raport që ishte ushqyer në masë të konsiderueshme edhe me materiale të ardhura nga strukturat shtetërore serbe dhe nga njerëz si Vladimir Vukçeviq, Bruno Vekariq e Milan St. Protiq.

Kjo është pyetje për selektivitetin e drejtësisë ndërkombëtare, por edhe për diçka edhe më elementare: a janë provuar vërtet krimet që pretendohet se kanë ndodhur dhe, nëse po, kush mban përgjegjësi konkrete për to?

Akuza që tronditi botën dhe i hapi rrugën Gjykatës ishte ajo për trafikimin e organeve. Pikërisht ky pretendim, më i rëndi dhe më tronditësi në Raportin Marty, prodhoi tituj botërorë dhe e lidhi Kosovën dhe UÇK-në me një prej akuzave më monstruoze që mund t’i bëhen një organizate çlirimtare: rrëmbimin dhe transportimin e njerëzve në Shqipëri dhe pretendimin se disa prej tyre ishin vrarë për t’ua hequr organet.

Unë këtë akuzë e kam kundërshtuar publikisht që në dhjetor të vitit 2010, kur Dhomat e Specializuara nuk ekzistonin dhe kur askush prej katër të akuzuarve të sotëm nuk kishte kaluar asnjë ditë në paraburgimin e Hagës. Më 18 dhjetor 2010, shtypi zviceran botoi intervistën time me titullin «Er hat nicht mit Organen gehandelt», ku ndër të tjera ngrija edhe çështjen e kushteve reale teknike dhe infrastrukturore në Shqipërinë e asaj kohe.

Një operacion i organizuar i trafikimit të organeve nuk është një krim që mund të kryhet vetëm me armë dhe automjete; ai kërkon mjekë, anesteziologë, pajisje kirurgjikale, sterilitet, analiza, ruajtje të organit, transport të shpejtë, përputhje biologjike me marrësin dhe një zinxhir njerëzish që domosdoshmërisht duhet të lërë gjurmë, ndërsa Shqipëria e asaj periudhe përballej njëkohësisht me probleme të rënda infrastrukturore dhe energjetike.

Pas hetimit ndërkombëtar, kryeprokurori Clint Williamson deklaroi në vitin 2014 se kishte indikacione për një numër shumë të kufizuar rastesh, por se nuk ishte arritur niveli i provave që kërkohej për ngritjen e një aktakuze për trafikim organesh.

Sot, pesëmbëdhjetë vjet më vonë, kjo akuzë nuk ekziston në aktakuzën operative kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit; ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Prokuroria përgjegjësinë e tyre e mbështet edhe mbi pretendimin se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, por nuk akuzohen për trafikim organesh.

Këtu qëndron paradoksi të cilin nuk mund ta mbulojë asnjë argument procedural:

Akuza që ndihmoi të krijohej Gjykata u zhduk nga aktakuza. Gjykata mbeti.

Pothuajse gjashtë vjet paraburgim – dhe provat që nuk bindën

Në nëntor të vitit 2020, katër të akuzuarit u transferuan në objektin e paraburgimit në Hagë dhe, kur të dëgjojnë aktgjykimin më 16 shtator 2026, do të kenë kaluar aty pothuajse pesë vjet e dhjetë muaj. Vetëm periudha paragjyqësore zgjati 28 muaj e 30 ditë, ndërsa Gjykata ka nxjerrë dhjetëra vendime për vazhdimin e paraburgimit.

Një çështje mund të jetë jashtëzakonisht komplekse dhe mund të ketë mijëra materiale të paraqitura si prova, qindra dëshmitarë dhe dhjetëra mijëra faqe transkriptesh, por kompleksiteti nuk mund të kthehet në çek të bardhë për kufizimin shumëvjeçar të lirisë para se të ekzistojë një vendim i shkallës së parë.

Pothuajse gjashtë vjet nga jeta e njeriut nuk janë një shënim procedural.

Pikërisht këtu duhet parë edhe fakti se shqetësimet rreth procesit nuk kanë ardhur vetëm nga politika kosovare apo ekipet e mbrojtjes; gjatë këtij viti janë ngritur edhe pyetje nga ekspertë ndërkombëtarë për paraburgimin, barazinë e armëve, trajtimin e provave dhe mekanizmat e llogaridhënies së Dhomave.

Këto shqetësime nuk po i ngre për herë të parë në prag të aktgjykimit. Gjatë këtij viti kam botuar librin “Drejtësia pa llogaridhënie – Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë”, në të cilin kam tërhequr vëmendjen për një varg shkeljesh dhe deformimesh që, sipas analizës sime, e kanë shoqëruar këtë proces: paraburgimin e stërzgjatur, pabarazinë ndërmjet palëve, përdorimin problematik të dëshmitarëve të mbrojtur e anonimë, kufizimet ndaj Mbrojtjes dhe mungesën e një mekanizmi bindës të llogaridhënies së vetë Gjykatës. Ajo që po ndodh sot, pra, nuk është për mua një befasi e çastit, por vazhdim i një problemi për të cilin kam dhënë alarmin shumë më herët.

Kjo nuk do të thotë se çdo pretendim për shkelje është provuar juridikisht, por do të thotë se nuk është serioze të kërkohet që i gjithë debati të mbyllet me fjalët “duhet t'i besojmë Gjykatës”.

Një gjykatë nuk duhet të kërkojë besim të verbër; ajo duhet ta fitojë atë përmes mënyrës se si vepron.

Një proces penal nuk fitohet me numrin e dëshmitarëve, por me fuqinë e provës që ata sjellin. Prokuroria e Specializuar ka thirrur 125 dëshmitarë në sallën e gjyqit dhe ka paraqitur edhe 132 dëshmi me shkrim, por pyetja vendimtare nuk është sa njerëz kanë dëshmuar, por nëse dëshmitë e tyre kanë provuar lidhjen konkrete ndërmjet krimeve të pretenduara dhe përgjegjësisë individuale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një problem më vete paraqesin dëshmitarët e mbrojtur dhe anonimë. Rregullat që e mundësojnë këtë regjim i kanë hartuar dhe miratuar vetë gjyqtarët e Dhomave të Specializuara në vitin 2017; në kontrollin e parë kushtetues, nëntë prej tyre u gjetën në kundërshtim me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës. Po këto rregulla lejojnë, në rrethana të jashtëzakonshme, edhe anonimitetin e plotë të dëshmitarit, deri në marrjen e tij në pyetje pa praninë e palëve, ndërsa pyetjet e Mbrojtjes i përcillen përmes trupit gjykues.

Askush nuk mund ta mohojë nevojën për mbrojtjen e një dëshmitari që mund të jetë i rrezikuar, por kjo mbrojtje nuk mund ta zhbëjë një të drejtë po aq themelore: të drejtën e të akuzuarit për ta njohur, sfiduar dhe testuar provën mbi të cilën kërkohet të dënohet. Besueshmëria e një dëshmitari nuk varet vetëm nga ajo që thotë, por edhe nga ajo se kush është, çfarë marrëdhëniesh apo konfliktesh ka pasur, çfarë interesash personale, politike ose materiale mund të ketë dhe nëse deklaratat e tij të mëparshme përputhen me ato që thotë para Gjykatës.

Sa më shumë kufizohet mundësia e Mbrojtjes për ta verifikuar burimin e akuzës, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia e Gjykatës në vlerësimin e një dëshmie të tillë. Përndryshe krijohet një paradoks i vështirë për t’u pajtuar me parimin e një procesi të drejtë: njeriu që rrezikon dekada burg është i njohur me emër, fytyrë dhe gjithë biografinë e tij, ndërsa njeriu, dëshmia e të cilit mund të ndikojë në dënimin e tij, mund të mbetet pa emër dhe pa fytyrë.

Por problemi i dëshmitarëve të Prokurorisë, sipas vlerësimit tim pas vrojtimit të këtij procesi, shkon përtej anonimitetit. Pavarësisht numrit mbresëlënës të dëshmitarëve, unë nuk pashë të dalë ajo provë bindëse që duhej të lidhte konkretisht katër të akuzuarit me krimet për të cilat kërkohet dënimi i tyre.

Për mua, në pikat vendimtare, dëshmitë e Prokurorisë dolën bllof: ato nuk arritën ta mbushnin hendekun ndërmjet pretendimit se janë kryer krime dhe provës se për to mbajnë përgjegjësi penale katër të akuzuarit. Duke pasur parasysh këtë dhe shumë mangësi të tjera të procesit, Gjykata do të duhej të konstatonte se Prokuroria nuk e ka provuar fajësinë në shkallën që kërkon ligji dhe, rrjedhimisht, t’i shpallte të katër të pafajshëm.

Nëse për të arritur në një përfundim tjetër duhet që boshllëqet e dëshmisë të plotësohen me supozime, që prania të shndërrohet në dijeni, funksioni në komandë të shndërrohet në urdhër, deklarata politike të shndërrohen në qëllim kriminal dhe dëshmitë e njerëzve të fshehur të marrin një peshë që faktet e verifikueshme nuk e mbajnë, atëherë nuk kemi më provë të fajësisë, por ndërtimin e saj; mbi një ndërtim të tillë nuk duhet të dënohet askush.

Gjykata që lindi nën presion

Dhomat e Specializuara nuk u krijuan në kushtet normale të një reforme të sistemit të drejtësisë, por pas Raportit Marty, hetimit të posaçëm ndërkombëtar dhe një presioni të fuqishëm diplomatik mbi institucionet e Kosovës për ta ndryshuar Kushtetutën dhe për ta miratuar ligjin e posaçëm.

Në një shtet formalisht sovran, votimi parlamentar ekzistoi dhe aktet juridike u miratuan, por askush që e kujton atmosferën politike të asaj kohe nuk mund të pretendojë seriozisht se Kosova po zgjidhte ndërmjet alternativave të barabarta, në një proces politik normal dhe pa pasoja në marrëdhëniet e saj me aleatët kryesorë.

Mund t'i quajmë këto rrethana diplomaci të fortë, partneritet apo kushtëzim ndërkombëtar; unë i quaj presion politik, sepse një zgjedhje e bërë nën kërcënimin e izolimit politik ose të krijimit të një mekanizmi edhe më të pafavorshëm nuk është zgjedhje e lirë në kuptimin e zakonshëm të fjalës. Dhe pikërisht një institucion i lindur nga ky proces do të flasë më 16 shtator “në emër të popullit të Kosovës”.

Në këtë kontekst duhet lexuar edhe deklarata e Bashkimit Evropian, e bërë vetëm katër ditë para aktgjykimit, me të cilën “të gjitha shteteve dhe palëve” u kërkohet të respektojnë procedurat dhe vendimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa menjëherë u kujtohet se aktgjykimi mund të apelohet si nga Mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria.

Unë nuk kam një dokument që dëshmon se aktgjykimi ndodhet tashmë në ndonjë tavolinë të Brukselit dhe, për këtë arsye, nuk do ta paraqes si fakt atë që nuk mund ta provoj me dokument. Por bindjen time do ta them hapur: besoj se Bashkimi Evropian e di se çfarë vendimi po vjen dhe thirrjen e tij e lexoj si paralajmërim për një vendim dënues.

Koha dhe formulimi kanë rëndësi. Vendimi nuk është shpallur ende, ndërsa palëve dhe shteteve u kërkohet paraprakisht ta respektojnë dhe, thuajse në të njëjtën frymë, u tregohet rruga e ankimit. Atëherë pyetja lind vetvetiu: nëse pritet një vendim pafajësie, cilat palë dhe cilat shtete po paralajmërohen të përmbahen, çfarë pakënaqësie po parashikohet dhe përse duhet të rikujtohet paraprakisht se ekziston një shkallë ankimi?

Këto janë pyetje, jo prova të dijenisë paraprake; por në politikë edhe koha kur thuhet diçka është pjesë e mesazhit.

Pikërisht për të gjitha këto arsye nuk pres një vendim lirues, jo sepse e di se çfarë kanë shkruar gjyqtarët në dhomën e këshillimit, por sepse e shoh barrën politike dhe institucionale që kjo Gjykatë bart mbi vete. Është një gjykatë e krijuar pas një raporti që tronditi botën me trafikimin e organeve, ndërsa trafikimi i organeve nuk është në aktakuzën për të cilën tani jepet vendimi; është një gjykatë e Kosovës në kuptimin formal, por e ndërkombëtarizuar pothuajse në çdo element funksional; është një gjykatë e krijuar nën një presion ndërkombëtar jashtëzakonisht të fortë dhe që, pas pothuajse gjashtë vjetësh paraburgim, do të duhej, me një vendim pafajësie, të përballej jo vetëm me fatin e katër të akuzuarve, por edhe me pyetjen shumë më të pakëndshme se çfarë ndodhi me gjithë ndërmarrjen që i mbajti ata kaq gjatë të privuar nga liria.

Pikërisht këtu e shoh karakterin politik të Gjykatës, jo në kuptimin banal se një ambasador duhet medoemos t'i telefonojë një gjyqtari dhe t'ia diktojë aktgjykimin, por në kuptimin se një institucion mund ta mbartë politikën në vetë arsyen e krijimit të tij, në mandatin selektiv, në pritjet që janë ndërtuar rreth tij dhe në nevojën institucionale për ta arsyetuar ekzistencën e vet.

Gjykata ka ardhur në udhëkryq

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara do të kenë përpara dy rrugë dhe asnjëra nuk është më pa kosto.

Nëse shpallin fajësi, do të duhet të arsyetojnë bindshëm, në një mënyrë që i reziston analizës juridike dhe historike, se përgjegjësia e secilit prej katër të akuzuarve është provuar individualisht në shkallën që kërkon ligji, jo sepse kanë qenë drejtues të UÇK-së, jo sepse kanë pasur poste politike apo ushtarake dhe jo sepse diku, nga dikush që mbante emblemën e UÇK-së, është kryer një krim, por sepse ekziston lidhja konkrete juridike ndërmjet secilit të akuzuar dhe veprave për të cilat dënohet.

Nëse, përkundrazi, shpallen të pafajshëm, ky do të jetë vendimi i vetëm i mundshëm nëse Prokuroria nuk e ka provuar fajësinë në shkallën që kërkon ligji dhe nuk e ka provuar, por as një aktgjykim i tillë nuk do t'i kthente pothuajse gjashtë vjet jetë, nuk do t'i fshinte mangësitë e procesit dhe nuk do ta hiqte nga tavolina pyetjen se si ishte e mundur që një mekanizëm i krijuar me kaq shumë fuqi politike e financiare të mbante katër njerëz kaq gjatë në paraburgim përpara aktgjykimit të parë.

Prandaj Gjykata ka ardhur në një udhëkryq: ose do ta rëndojë edhe më tej bilancin e vet, ose do të ndalojë së paku thellimin e tij.

Por më 16 shtator nuk do të shqiptohet vetëm një aktgjykim ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Bashkë me të do të fillojë edhe një gjykim tjetër, më i gjatë dhe ndoshta shumë më i pamëshirshëm: gjykimi i vetë Dhomave të Specializuara nga juristët, studiuesit, publiku dhe, në fund, nga historia.

Sepse autoritetin moral të drejtësisë nuk e garanton emri “gjykatë”, nuk e garanton Haga, nuk e garanton Bashkimi Evropian, nuk e garanton përbërja ndërkombëtare e trupit gjykues dhe as miliona eurot e investuara në një institucion; atë autoritet e garanton vetëm cilësia e drejtësisë që prodhon.

Dhe kur më 16 shtator aktgjykimi të shpallet “në emër të popullit të Kosovës”, nuk do të mjaftojë që kjo formulë të ekzistojë në Rregulloren e Procedurës, sepse do të mbetet pyetja nëse ekziston edhe legjitimiteti për ta shqiptuar atë.

Sepse aktgjykimet mund të jenë juridikisht të detyrueshme, por nuk janë të shenjta; ato analizohen, kritikohen, apelohen dhe, kur dështojnë t'i shërbejnë drejtësisë, historia nuk gjykon vetëm njeriun që ishte ulur në bankën e të akuzuarve.

Ajo gjykon edhe gjykatësin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos