Meta nuk heq dorë, kërkesë për lirim nga burgu. GJKKO e shqyrton të hënën

Nga A2 CNN
13 Shtator 2026, 19:45 | Kronikë

Dhjetra refuzime në të tre shkallët e gjyqësorit nuk e kanë ndalur ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, nga kërkesat e tij për lirim nga paraburgimi.

Kërkesa më e fundit e tij është regjistruar në Gjykatën e Posaçme, shkruan A2.

Ish-presidenti kërkon zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg” në një masë më të butë, me arsyetimin se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për ta mbajtur të izoluar.

Kërkesa pritet të shqyrtohet nga trupa gjykuese që gjykon në themel dosjen ndaj Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, dhe seanca është caktuar në orën 15:45 të së hënës.

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë ka regjistruar një rekurs të Metës, ku ai kërkon shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm, që refuzuan zbutjen e masës ndaj tij.

Ilir Meta qëndron në qeli prej tetorit 2024, ndërsa gjykohet për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos