Laçi: Gjykata Speciale u krijua nga Serbia, me dorën e shqiptarëve

Nga A2 CNN
13 Shtator 2026, 21:02 | Aktualitet

Marlind Laçi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, deklaroi se Gjykata Speciale u krijua nga Serbia “me dorën e shqiptarëve”.

“Në gjykimin tim, nuk janë thjesht persona në atë Gjykatë Speciale, është një institucion i lirisë së shqiptarëve, që është UÇK-ja. Por, duhet thënë që shqiptarët duhet të mbajnë shënime nga e shkuara historike, pasi të gjithë këto persona ishin në front për votimin e Gjykatës Speciale, ku në asokohe Albin Kurti, si opozitar, e refuzonte kategorikisht formimin e kësaj Gjykate Speciale. Edhe Rexhep Selimi ishte kundër, pasi ka qenë pjesë e Vetëvendosjes, dhe sot hidhet një formë dyshimi në raport me vërtetësinë e luftës së UÇK-së. Shpresoj që ata persona të dalin të pafajshëm nga ky proces, por duket se ka dhe një thellësi lobimi akoma. Të mos harrojmë që Serbia është një faktor tepër i rëndësishëm në skakierën gjeopolitike në rajonin e Europës dhe ia ka dalë që të formojë këtë gjykatë me dorën e shqiptarëve”, tha Laçi në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

“Nga ana tjetër, Tirana zyrtare duket totalisht e tërhequr, përtej retorikës, pasi të paktën eksponentë të saj dalin në protesta dhe në marshime për UÇK-në. Por, realisht nuk është se kanë dhënë ndonjë lloj ndihme, qoftë edhe financiare për avokatët e ish-krerëve të UÇK-së në gjykatën e Hagës”, theksoi eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos