Gazetarja Denada Kola komentoi atë që pritet të ndodhë me krerët e UÇK-së në Gjykatën Speciale në datën 16 shkurt.
“Në gjykimin tim, aq sa e njoh Gjykatën Speciale, hermetizmi ka prevaluar në këto tre vite. Unë nuk besoj se dikush, në këto momente që ne flasim, mund të ketë informacion se çfarë do të ndodhë. Do duhet të presim datën 16 për të kuptuar atë që do të ndodhë, por duhet thënë që vendosja e një barazie midis agresorit, që ishte Serbia, dhe Kosovës që ishte viktima, do të ishte realisht një rikthim jo vetëm i 2008-ës, por një rikthim edhe i luftës së UÇK-së. Deri në ditën që erdhën tre linja amerikane për të dëshmuar, ne po shikonim dhe po dëgjonim nga ana e prokurorisë një histori që nuk i përkiste luftës së Kosovës, aq sa dukeshin sikur ndërroheshin rolet. Ndërkohë që dëshmia e linjës amerikane, duhet thënë edhe e republikanëve edhe e demokratëve, për herë të parë u bënë bashkë në atë gjykatë, dhanë të njëjtin version, paçka që disa prej tyre nuk mbanin ndoshta një raport të jashtëzakonshëm personal me zotin Thaçi. Ata vendosën të ishin të drejtë dhe të tregonin atë që ndodhi dhe ishte i vetmi moment shprese”, tha Kola në “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.
“Unë jam duke shpresuar dhe besuar që këto dëshmi të linjës më të rëndësishme amerikane të viteve 1999 dhe luftës së Kosovës do të mbahen parasysh kur të merret vendimi për katër liderët e UÇK-së”, shtoi gazetarja. (A2 Televizion)