
Nga Enver Robelli
Nga Liqeni i Shkodrës në Liqenin e Zürichut, viti 1927: Ndoc Çoba i dërgon një kartolinë biznesmenit zviceran Adolf (Adolphe) Fellner
Më datën 12 tetor 1927, gati 100 vjet më parë, një zotëri nga Shkodra me emrin Ndoc Çoba i dërgoi këtë kartolinë zviceranit Adolf (Adolphe) Fellner, i cili jetonte në Horgen, një qytet buzë Liqenit të Zürichut.
Ndoc Çoba (1870-1945) ishte ekonomist, publicist dhe politikan shqiptar. Shërbeu si Ministër i Financave në Qeverinë e Sulejman Delvinës. Çoba u arrestua më 1945 nga komunistët dhe vdiq në burg pas torturave.

Adolf (Adolphe) Fellner u lind më 11.5.1879 Bümpliz afër Bernit dhe vdiq në Paris më 4.10.1931. Ndoqi shkollat e qytetit në Bern dhe kreu praktikën tregtare në Les Verrières të Zvicrës franceze. Mes viteve 1897-1900 punoi tregtar në Leicester të Anglisë, ndërsa nga 1900 deri 1908 organizoi tregtinë e agrumeve për një ndërmarrje në Catania të Sicilisë. Në vitin 1909, me rekomandimin e vjehrrit, bleu firmën Bollier në Horgen, e cila merrej me tregti me artikuj elektrikë. Në vitin 1918 Fellner ishte bashkëthemelues i Shoqatës së Punëdhënësve në Horgen dhe rrethinë. Pas vdekjes së tij, drejtimin e firmës e morën e veja dhe e bija e tij, Elisabeth, e cila në vitin 1992 iu shit grupit francez Merlin-Gerin (pjesë e koncernit Schneider-Electric).
Burimi: ETH-Bibliothek Zürich, Bildarchiv (A2 Televizion)