Pasqyra ku refuzojmë të shohim veten

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 11:28 | Blog

Pasqyra ku refuzojmë të shohim veten

Nga Adri Nurellari

Gjithnjë e më shpesh, në rrjetet sociale shqiptare po shfaqen komente përçmuese, paragjykime racore dhe shprehje armiqësie ndaj punëtorëve të huaj që vijnë nga vendet aziatike. Populli ynë ka një shprehje të goditur: “S’ka ç’i bën gomarit, i bie samarit”. Ajo përshkruan njeriun që, nga pamundësia apo mungesa e guximit për t’u përballur me përgjegjësin e vërtetë, e shkarkon zemërimin mbi dikë më të dobët. Ky proverb përshkruan mjaft mirë mënyrën se si një pjesë e shqiptarëve po reagojnë ndaj ardhjes së punëtorëve të huaj, në vend që ta ngrenë zërin ndaj keqqeverisjes që i shtyn bashkëqytetarët e tyre të emigrojnë.

Shkaqet kryesore të shpopullimit duhen kërkuar te kapja e shtetit, pasiguria juridike, mungesa e mundësive për rininë, infrastruktura e prapambetur, shërbimet publike të dobëta dhe problemet e tjera që lidhen me keqqeverisjen e vendit. Në vend që ta drejtojmë zemërimin ndaj përgjegjësve për këtë gjendje, merremi me indianët, filipinasit dhe të huajt e tjerë që kanë ardhur këtu për të siguruar jetesën. Kështu, një pjesë e debatit publik ngatërron shkakun me pasojën, duke pretenduar se të huajt po shpopullojnë Shqipërinë.

Merremi me simptomat e shpopullimit, ndërkohë që burimi i sëmundjes ka adresë të qartë politike. Kjo sjellje dëshmon edhe një amnezi shqetësuese historike e parimore. Prej më shumë se tri dekadash, shqiptarët kanë kërkuar mundësi më të mira në Europë dhe më gjerë. Kemi përjetuar diskriminimin, paragjykimet dhe përçmimin për shkak të kombësisë. Kemi kërkuar me të drejtë që bashkatdhetarët tanë të trajtohen me dinjitet dhe të vlerësohen për punën e tyre. Në Itali dhe Greqi, sidomos gjatë viteve ’90, emigrantët shqiptarë u përballën me stereotipe që i paraqisnin si kërcënim për sigurinë, ekonominë dhe rendin shoqëror.

Edhe Italia dhe Greqia asokohe kishin një histori të gjatë emigracioni masiv. Miliona qytetarë të tyre kishin kërkuar një jetë më të mirë në Amerikë, Australi, Gjermani dhe vende të tjera, sikurse bashkëkombasit tanë. Megjithatë, kjo përvojë historike nuk i pengoi disa pjesë të këtyre shoqërive të shfaqnin armiqësi ndaj të ardhurve. Sot, fatkeqësisht, po shohim shenja të një mendësie të ngjashme në Shqipëri. Sipas sondazhit rajonal SecuriMeter 2025, të organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, 51% e të anketuarve në Shqipëri e shohin imigracionin si burim tensionesh dhe konfliktesh shoqërore, çka dëshmon përhapjen e perceptimeve negative ndaj imigrantëve.

Mirëpo, përpara se të legjitimohet paranoja e një “pushtimi të heshtur”, mjafton të ballafaqohen faktet kokëforta të realitetit statistikor. Sipas Eurostat-it, në fund të vitit 2025, rreth 875 mijë shtetas shqiptarë kishin leje qëndrimi në Bashkimin Europian, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë që ndër vite kanë marrë shtetësinë e vendeve pritëse. Në kahun tjetër, sipas INSTAT-it, numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri është rreth 32 mijë, shifër që përfshin studentë, sipërmarrës, menaxherë dhe misionarë, e jo thjesht punëtorë krahu.

Akoma më domethënës mbetet selektiviteti i këtij alarmi publik. Mbi gjysma e të huajve me qëndrim të rregullt në Shqipëri (52,9%) vijnë nga kontinenti europian, ku kryesojnë qytetarët nga Kosova (19,05%) dhe Italia (12,6%), ndërsa ata nga vendet aziatike përbëjnë më pak se një të tretën (30,8%), ku spikasin India me 9% dhe Filipinet me 7,5%. Nëse shqetësimi kolektiv do të lidhej sinqerisht me presionin demografik apo kapacitetet e tregut të brendshëm, vëmendja do të përfshinte edhe shumicën e rezidentëve të huaj. Fakti që histeria e rrjeteve sociale dhe përbuzja e përditshme shënjestrojnë kryesisht aziatikët, tregon se një pjesë e këtij debati ushqehet nga paragjykimi racor. Prandaj nuk është rastësi që Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës i Këshillit të Europës, në raportin e qershorit 2026, ngriti shqetësimin për përhapjen e gjuhës së urrejtjes raciste në Shqipëri, sidomos në internet, ku ndër grupet e prekura janë edhe imigrantët.

Kjo gjendje ushqen edhe teoritë konspiraive të importuara mbi një plan të qëllimshëm për “zëvendësimin e popullsisë”. Nuk nevojitet ndonjë komplot për të shpjeguar një fenomen që ndodh në mbarë botën. Shqiptarët emigrojnë masivisht drejt Italisë, ndërsa vetë italianët vazhdojnë të largohen drejt ekonomive më të zhvilluara, si Zvicra. Rreth 1,15 milionë shtetas italianë kanë emigruar jashtë vendit gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë, punëtorë nga India, Filipinet dhe vende të tjera aziatike vijnë në Shqipëri, ku shpresojnë të gjejnë mundësi më të mira ekonomike.

Këtë fenomen e shpjegon studiuesi Hein de Haas përmes ”modelit të aspiratave dhe mundësive” për migrim sipas të cilit njerëzit emigrojnë kur dëshirojnë një jetë më të mirë dhe kanë mundësinë reale të zhvendosen. Diferencat e pagave, kushtet e jetesës dhe perspektivat e punësimit ndikojnë në drejtimin e këtyre lëvizjeve. Ashtu si shqiptari largohet drejt Perëndimit për të siguruar të ardhura më të larta dhe për t’i ikur pasigurisë, edhe një shtetas nga Azia mund ta shohë Shqipërinë si një vend ku puna e tij paguhet më mirë sesa në vendlindje. Këto lëvizje nuk provojnë ndonjë plan të fshehtë për zëvendësimin e popullsisë, por pasqyrojnë pabarazitë dhe mundësitë e ndryshme që ofron ekonomia ndërkombëtare.

Sigurisht, ardhja e punëtorëve të huaj kërkon politika të përgjegjshme për tregun e punës. Shteti duhet të garantojë paga dinjitoze, inspektime rigoroze për të frenuar shfrytëzimin e të huajve me orare rraskapitëse dhe ndëshkimin e punëdhënësve që shkelin legjislacionin e punës apo përdorin punëtorët e huaj për të ulur artificialisht standardet e punësimit. Bizneset vendase, të mësuara shpesh me modelin komod të krahut të lirë të punës, duhet të investojnë në produktivitet dhe në përmirësimin e pagave e të kushteve të punës.

Në të njëjtën kohë, punëtorët e huaj po mbushin një pjesë të boshllëkut që emigrimi i shqiptarëve ka lënë në tregun e punës, duke pranuar vende pune me paga dhe kushte që shumë shqiptarë nuk janë më të gatshëm t’i pranojnë. Pa këta punëtorë, shumë biznese do të rrezikonin të mbylleshin për mungesë personeli. Ata kanë ardhur në një ekonomi që ka nevojë për fuqinë e tyre punëtore, ndërkohë që një pjesë e qytetarëve të saj kanë zgjedhur të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit. Prandaj nuk duhet harruar se një filipinase që punon në një hotel në Tiranë nuk ka marrë asnjë vendim për fatin e Shqipërisë.

Nuk ka hartuar politikat ekonomike, nuk ka shkatërruar meritokracinë, nuk ka administruar arsimin dhe shëndetësinë dhe as ka përgjegjësi për mungesën e perspektivës që ka shtyrë qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Përgjegjësia politike u takon atyre që kanë qeverisur vendin, që kanë pasur pushtetin, buxhetin dhe instrumentet për të ndryshuar gjendjen. Është shumë më e lehtë të fyesh një indian që shpërndan ushqime nën shi dhe që shpesh nuk njeh as gjuhën për t’u mbrojtur, sesa t’i kërkosh llogari kryeministrit, ministrave, politikanëve të fuqishëm dhe oligarkëve që kanë ndikuar në vendimmarrje. T’i fajësosh imigrantët për shpopullimin do të thotë t’u japësh alibi pikërisht atyre që duhet të japin llogari për zbrazjen e Shqipërisë.

Nga gomonet e Otrantos gjatë viteve ’90 te skuterat e shpërndarjes sot, historia është në thelb e njëjta, bëhet fjalë për njerëz që largohen nga vendlindja për të siguruar një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Mënyra si i trajtojmë sot të ardhurit është pasqyra ku mund të shohim sa kemi mësuar nga historia jonë e emigracionit. Nuk mund të kërkojmë humanizëm dhe integrim të barabartë për shqiptarët në Mynih, Londër e Romë dhe njëkohësisht të shfaqim brutalitet e mospërfillje ndaj imigrantëve në mes të Tiranës. Nëse kemi zemërim për gjendjen e vendit, duhet të kemi kurajën ta drejtojmë ndaj atyre që kanë pushtetin dhe mbajnë përgjegjësinë për të. Të përballesh me të fuqishmit kërkon guxim dhe integritet moral ndërsa ë shfrysh mbi më të dobëtit është thjesht burracakëri. Një komb që ka vuajtur aq thellë poshtërimin në dhe të huaj nuk ka asnjë justifikim për ta shndërruar veten në persekutues të të ardhurve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos