
Nga Ruben Avxhiu
Fatos Nano e bëri Edi Ramën fillimisht ministër të Kulturës, Nuk ishte një përvojë mbresëlënëse. Rama u përpoq të bënte ndryshime që ministria nuk kishte fuqi t’i bënte dhe krijoi më shumë armiq se simpatizues.
Emërimi i dytë i Ramës nga Nano ishte kandidat për kryetar bashkie. Ishte një vendim personal, kryesia thjesht e pranoi. Ishte një eksperiment interesant. Rama nuk ishte anëtar i Partisë Socialiste dhe nuk kishte dashuri për të në parti.
Nga ana tjetër, Tirana kishte votuar rregullisht për Partinë Demokratike. Nano vendosi të bëjë një ekperiment ashtu si pak a shumë opozita sot me Florian Binajn.
Instikti i Nanos kishte qëlluar në shenjë. Rama fitoi. Mandati i tij i parë si kryetar bashkie vijoi të ishte një project eksperimental. Çrrënjosja e kioskave të shëmtuara dhe ndotëse përgjatë Lanës ishte një akt që la mbresa të mëdha te qytetarët tiranas dhe mund të thuhet se ishte themeli i karrierës së tij politike. Nga e majta në të djathtë, politikanët shqiptarë, madje deri diku edhe Rama vetë, nuk arrijnë ta kuptojnë sesa nevojë kanë njerëzit në Shqipëri, për “Shtet”.
Kur u afrua koha për të kandiduar për së dyti, instikti i tha Nanos se Rama kishte fituar një fuqi politike personale e cila duhej mbajtur nën kontroll. Presioni vinte edhe nga figura të tjera socialiste që gjithashtu ishin të pakënaqur që kjo bashki kryesore ishte në duart e Partisë Socialiste vetëm si formalitet. Në realitet, PS nuk kishte shumë në dorë. Kjo ishte bashkia e një njeriu dhe rrethit të tij.
Atëhere, Nano i vuri kusht Ramës. Nëse donte të vazhdonte në krye të bashkisë, duhej të bënte kompromis dhe të bëhej anëtar i Partisë Socialiste. Rama nuk donte se nuk do të ishte stili që kishte krijuar, por Nano këmbënguli dhe ia doli mbanë.
Këtë këmbëngulje mund ta ketë kujtuar shpesh në vitet e ardhshme duke menduar se jo të gjitha kthesat në histori janë të pashmangshme. (A2 Televizion)
