Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 13:07 | Blog

Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim

NGA ROLAND QAFOKU

Nuk ka asnjë vendim të Kongresit të Lushnjes atë shkurt të vitit 1920 që Tirana shpallej kryeqytet. Po si u bë qendra e shtetit shqiptar qyteti që as mendohej të ishte i tillë? Si u bë kryeqytet ky qytet që ishte nënprefekturë dhe varej nga prefektura e Durrësit?

Ndërsa karvani me kuaj dhe karroca shkonin nga Lushnja drejt Durrësit kryeqtet, te Ura e Dajlanit italianët kishin zënë pritë me një arsenal armësh. Ushtria italiane ndodhej ende në Durrës dhe ata nuk e njihnin Kongresin e Lushnjes. Kështu, kishin organizuar të bënin luftë me qeverinë e sapoformuar në Lushnje. Në krye të karvanit ishte Ahmet Zogu vetëm 24 vjeç e 3 muaj që sapo ishte zgjedhur ministër i Brendshëm. Për të mos bërë luftë sepse viktimat do ishin të mëdha nga të dy palët, ai mori një vendim që hyri në histori.

“Do shkojmë në Tiranë dhe qeverinë do ta vendosim në banesat e mamasë time” tha djaloshi me baba nga Mati dhe nënë nga Tirana. Kaq mjaftoi, karvani u drejtua drejt Tiranës atë 11 shkurt 1920 dhe po atë ditë ministrat u sistemuan ku të mundnin në “banesat e mamasë së Zogut”. Dy ditë më pas Zogu nxori dhe firmosi shkresën e parë nga “banesa e mamasë” si ministër i Brendshëm drejtuar të gjitha prefekturave teksa shkroi: “Tirana u shënue për kryeqytet” (Shkresa e datës 13 shkurt që po e publikoj).

Pra, Tirana as ishte zgjedhur, as ishte caktuar, as ishte votuar dhe për këtë nuk ishte marrë ndonjë vendim, por thjesht ishte shënuar. Ky është një rast unikal në botë që një qytet të bëhej kryeqytet pa asnjë vendim. Po ku kishte më mirë se Tirana të bëhej kryeqyet? Dukej sikur vetë Zoti e kishte zgjedhur që qyteti i themeluar në vitin 1614 të bëhej kryeqendra e Shqipërisë dhe kjo u sanksionua në kushtetutë të ishte i përhershëm në vitin 1925. Megjitahtë, kjo u arrit dhe me lëhtësi. E vërteta është se pati shumë kundërshti dhe historianët pak shkruajnë për këtë. Kandidatë potencialë ishin Durrësi, Elbasani, Belshi, Korça dhe veçanërisht Shkodra për të cilin kishte propozime serioze deri nga personalitete të larta si Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë.

Por, për fat kryeqytet mbeti Tirana. E para ambasadë që u vendos në Tiranën kryeqtet ishte ajo amerikane në korrik të vitit 1922. Të gjitha të tjerat ishin në Durrës. Diplomati Maxëell Blake që ishte edhe shefi i parë i ambasadës amerikane në Shqipëri me statusin komisioner mori me qira godinën “Sarajet e Toptanëve” që për fat ndodhet akoma dhe ato ditë i shkruante Departamentit të Shtetit: Unë mendoj që të instalohemi në Tiranë, ndryshe nga legatat e tjera sepse parashikoj që ky do jetë edhe kryeqytet i përhershëm”.

Gjithçka më pas është histori. Sapo në Kushtetutën e vitit 1925 Tirana u shpall kryeqytet i përhershëm Kongresi Amerikan mori një vendim për të ndërtuar të parën godinë jashtë kufijve të SHBA dhe kjo ishte ambasada amerikane në Tiranë, pikërisht godina që ndodhet edhe sot. Sot pas 106 vjetësh na mbetet të themi vetëm që jemi me fat që Tirana “u shënue” kryqytet.

Asnjë qytet tjetër nuk do kishte marrë rëndësinë që mori Tirana por dhe asnjë qytete tjetër nuk do kishte dashamirësinë dhe tolerancën që jo vetëm të bëhej kryeqytet por edhe të pranonte çdo shqiptar të ardhur nga çdo cep I vendit. Këtë e perifrazoi aq bukur burri më i mençur dhe personaliteti i profilit më të lartë që ka nxjerra Tirana, Hafiz Ibrahim Dalliu kur mësoi që Tirana ishte “shënue kryeqytet” i cili lëshoi nga goja një thënie lapidare: Lum Tirana kryeqtet, mjer tironsit çër i gjet. Rroftë Tirana kryeqytet dhe tiransit që na pranuan në këtë qytet!

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos