Haga trondit shqiptarët! 180 vjet burg për lirinë e Kosovës?!

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2026, 18:23 | Blog

Haga trondit shqiptarët! 180 vjet burg për lirinë e

Fillimisht, kur dëgjova fjalën e kryeprokurores së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, e cila ka kërkuar 45 vjet dënim për katër të akuzuarit e rastit më të madh të Dhomave të Specializuara, u stepa!

Dënime drakonike që as në Procesin e Nyrembergut nuk kanë ndodhur!

Popullit shqiptar po i mëvishet një hipotekë e rëndë e fajësisë kolektive, edhe pse nga goja e Kryeprokurores u tha se dënimet janë individuale. Absurdi i një propozimi të tillë qëndron në faktin se të njëjtit nuk vepruan individualisht e as nuk luftuan për të drejta individuale, por për çlirimin dhe lirinë si vlera universale për të gjithë popujt e rruzullit! Sikur të tërhiqej një paralele me gjenocidin që është duke ndodhur në Gazë, e duke mos e përjashtuar as atë në Ukrainë, i bie që protagonistët do të duhej të dënoheshin me 20.000 vjet!

Në Hagë nuk u gjykohen krimet, e as gjenocidi! Aty u gjykua rezistenca aktive e gjithë shqiptarëve nga një Gjykatë farse që po ndëshkon kolektivisht një popull të tërë që luftoi për liri dhe pavarësi nga Serbia. Dhe si e tillë, ajo është dhe do të mbetet përgjithmonë në memorien e shqiptarëve vetëm një tribunal politik. Themi kështu edhe për shkakun se në ato salla improvizuese UÇK-ja po dënohet sepse nuk u zhduk, sepse shqiptarët nuk u dorëzuan, sepse Kosova mbijetoi dhe u bë shtet falë kësaj sakrifice sublime.

Këto dënime kaq drakonike, në fakt, janë jo vetëm mesazhe të qarta për shqiptarët, por edhe për gjithë popujt liridashës, kudo që të jenë. Se nëse mbrohesh nga agresorët potencialë kolonialistë, sikurse ishte Serbia, ti do të paguash më vonë.

Pra, kjo Gjykatë Politike po na thotë se ju po dënoheni edhe si popull, po edhe si shtet, vetëm për shkakun se rezistuat dhe mbijetuat nga hegjemonët serbomëdhenj që kishin plane dhe projekte shfarosëse ndaj shqiptarëve!

“Urime, Gjykatë e turpit më të madh të kohës sonë!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos