Si vdes demokracia? Shembulli i Rumanisë na tregon këtë në mënyrën më të frikshme…

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 09:44 | Blog

Si vdes demokracia? Shembulli i Rumanisë na tregon këtë në

Nga Enver Robelli

Klasa politike e përbërë nga partitë e etabluara dhe të njohura me etiketa asgjëthënëse si “socialdemokrate” dhe “konservatore”, keqpërdor pushtetin, zhytet në korrupsion, politizon drejtësinë, instrumentalizon shërbimet sekrete dhe i toleron ato të sillen si shtet brenda shtetit në betejën për kontroll të pushtetit, fondeve, resurseve.

Një ditë populli e humb krejt besimin në partitë e etabluara dhe i beson një popullisti të djathtë me simpati për teori konspiracioni, i cili kërkon që Perëndimi t’ia ndalë ndihmat Ukrainës dhe e lavdëron Vlladimir Putinin. Fshatarët rumunë thonë: as që e kemi ditur se për kë po votojmë, me rëndësi: një votë kundër partive që e kanë vjedhur Rumaninë. Kjo ndodhi në nëntor të vitit të kaluar. Skena politike rumune u trondit. Brukseli u alarmua.

Pastaj drejtësia rumune i anuloi zgjedhjet presidenciale - mes tjerash për shkak të, siç u tha, rolit të Rusisë në fushatën elektorale. Përsëritja e zgjedhjeve u caktua për datën 4 maj. Popullistit Călin Georgescu, i cili doli i parë në zgjedhjet e nëntorit, iu ndalua kandidimi. Në vend të tij hyri në garë George Simion. Edhe ky popullist. Edhe ky doli i pari në raundin e parë, më 4 maj. Votuesit sërish nuk i besuan partive të etaluara dhe kandidatëve të tyre. I besuan popullistit George Simion.

Një politolog rumun i tha këto ditë një gazete zvicerane: “Jemi shoqëri orale, shoqëri joletrare. Numri i lexuesve të gazetave është i ngjashëm me vitin 1915, një vazhdimësi e habitshme”. Njëkohësisht Rumania është vendi me depërtimin më të thellë të TikTokut në Europë. Kjo është fatale: nëse në vitin 2025 në një vend lexojnë informata cilësore po aq njerëz sa më 1915, atëherë fati i një shoqërie bie pre e algoritmeve të TikTokut dhe “mjeshtërve” të paskrupullt për gjenerim klikimesh.

Më 18 maj mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Rumani. Gara është e hapur, popullisti George Simion është favorit. Kundërshtar i tij do të jetë Nicusor Dan, kryetar jopartiak i Bukureshtit.

Shembulli i Rumanisë duhet të alarmojë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Nëse një klasë politike plaçkit në vazhdimësi vendin dhe nëse zgjedhësit nuk shohin dallim mes partive, nëse kompeticioni i vetëm është kompeticioni i korrupsionit, atëherë një ditë zgjedhësit bëhen (i)racionalë dhe përkrahin eksperimente politike, për shembull duke ia besuar fatin e vendit politikanëve që nuk kanë haber për politikë, por talent kriminal për të manipuluar dhe premtuar zgjidhje të shpejta. Kush merret me politikë, me Res publica, pra me punët publike, duhet të ketë parasysh sidomos një gjë: kredibilitetin. Humbet lehtë, fitohet vështirë. Veçanërisht kur elita korruptohet dhe në konkurrencë hyn antielita e recetave të thjeshta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos