Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) e ka vënë Zvicrën në shënjestër, shkruajnë mediat zvicerane “Blick” dhe CH Media. Sipas tyre, një klan kriminal shqiptar dyshohet se ka pastruar para nga trafiku i drogës për vite me radhë, nëpërmjet një agjencie udhëtimesh në Luzern, një qytet në Zvicrën qendrore.
Në Shqipëri, SPAK-u ka konfiskuar dy prona dhe shuma të mëdha parash nga dy bosë të dyshuar. Akuza ndaj tyre është se pasuritë e tyre dyshohet se burojnë nga veprimtaritë kriminale.
Për shkak të dyshimeve për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe trafik droge, Prokuroria Federale e Zvicrës kishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar gjashtë të dyshuar. Katër prej tyre kanë lidhje me një agjenci udhëtimesh në Luzern. Një person i pestë ka vepruar si kurier parash dhe shofer.
Nëpërmjet të ashtuquajturit “Hawala-Banking”, klani dyshohet se ka transferuar miliona nga Zvicra drejt Kosovës dhe Shqipërisë. Por si funksionon saktësisht ky sistem? Dhe si arriti prokuroria shqiptare të zbulojë gjurmët e klanit kriminal?
Hawala-Banking është një sistem joformal dhe i bazuar në besim për transferimin e parave, i cili po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi edhe në Zvicër, njoftojnë mediat e lartpërmendura. Ky sistem funksionon kryesisht jashtë strukturave zyrtare financiare dhe për këtë arsye është i vështirë për t’u kontrolluar, gjë që e bën atë mjet të preferuar për pastrim parash dhe transaksione të paligjshme.
Një person që, për shembull, dëshiron të dërgojë para nga Luzerni në Shqipëri, i drejtohet një të ashtuquajturi Hawaladar. Ky është një ndërmjetës joformal parash, i cili shpesh ka edhe një biznes të ligjshëm, si një agjenci udhëtimesh, restorant apo dyqan.
Paratë dorëzohen në dorë, ndërsa Hawaladari i jep dërguesit një kod, i cili më pas e njofton marrësin e parave në vendin e destinacionit. Paralelisht, Hawaladari në Luzern kontakton partnerin e tij në Shqipëri, i cili, pas njoftimit të kodit, i jep marrësit shumën përkatëse në monedhën vendase – shpesh brenda së njëjtës ditë.
Mes Hawaladarëve, diferencat shlyhen më vonë, për shembull, përmes tregtisë ose transferimeve të ndara që shpesh nuk mund të gjurmohen. As marrësi, as dërguesi nuk duhet të identifikohen, nuk ka dokumente ose dëshmi zyrtare – dhe kështu, thuajse asnjë gjurmë për organet hetimore.
Megjithatë, pas disa muajsh të tërë vëzhgimesh, veprimtaria e klanit shqiptar u zbulua. Çelësi ishte agjencia e udhëtimeve në Luzern, e cila shërbente si qendër për transferimet joformale të parave. Pamjet nga kamerat tregonin se si korrierët e parave dorëzonin ose merrnin herë pas here shuma të mëdha parash. Po ashtu, bisedat telefonike dhe përgjimet dhanë prova të forta: nga bisedat rezultonte se të përfshirët në këtë veprimtari flisnin për shuma të mëdha parash, bënin marrëveshje për oraret e dorëzimeve dhe e përdornin agjencinë e udhëtimeve si pikë qendrore të veprimtarisë.
E.R. (A2 Televizion)