Studentët serbë gjurmëve të nacionalizmit serbomadh

Nga A2 CNN
17 Maj 2026, 17:02 | Blog

Studentët serbë gjurmëve të nacionalizmit serbomadh

Si u shndërrua një lëvizje kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes në një turmë që nxit urrejtje ndaj popujve të tjerë? Memorandumi i studentëve serbë, i publikuar sot, nxit urrejtje dhe konflikte në rajon. Qëndrimi i tyre ndaj Kosovës nuk dallon nga ai i etërve të tyre racistë.

Nga Enver Robelli

40 vjet pas Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, studentët serbë, të cilët po protestojnë kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, të dielën publikuan po ashtu një memorandum, toni i të cilit nuk dallon shumë nga dokumenti i elitës intelektuale të Serbisë që u bë publik në vitin 1986.

Studentët serbë, mes tjerash, theksojnë se „Kosova dhe Metohija nuk janë thjesht një hapësirë, ato janë komponent i identitetit kombëtar serb. Çështja e Kosovës dhe Metohisë prek çdo qytetar të këtij vendi“. Memorandumi, theksojnë ata, është „shprehje e një vullneti unik“. Ata theksojnë se ky memorandum shërben si një kujtesë se lufta e tyre për Kosovën është „në të njëjtën kohë luftë për nderin tonë, kulturën tonë dhe të ardhmen tonë në familjen e popujve të barabartë të botës“.

27 vjet pas largimit të forcave serbe nga Kosova dhe 18 vjet pas pavarësisë së Kosovës, studentët serbë janë aq larg realitetit, saqë u bien borive të nxitjes së urrejtjes, duke propaganduar kthimin e Serbisë në Kosovë. Në memorandumin e tyre shqiptarët nuk përmenden fare, ndonëse përbëjnë rreth 95 për qind të popullsisë së Kosovës. Studentëve nuk u intereson fare që 1,6 milionë shqiptarë të Kosovës nuk do ta pranonin kthimin e kohërave të errëta - dhe simbol i asaj kohe të errët është sundimi brutal i Serbisë në Kosovë. Në memorandum nuk përmenden me asnjë fjalë as Europa, as Bashkimi Europian, as Perëndimi.

Protestat studentore në Serbi nisën pasi më 1 nëntor 2024 u rrëzua një pjesë e pullazit të stacionit të trenit në Novi Sad dhe me atë rast humbën jetën 16 njerëz të pafajshëm. Në fillim studentët protestonin kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes së pushtetit autokratik të Aleksandar Vuçiqit. Ndërkohë, lëvizja studentore serbe po mban qëndrime gjithnjë e më nacionaliste.

Më 28 qershor të vitit të kaluar në Beograd u tubuan rreth 140 mijë veta dhe kërkuan zgjedhje parlamentare. Folësit u shquan me çirrje mitike e nacionaliste dhe si referencë të vetme kishin vitin 1389 dhe Betejën e Gazimestanit. Një student lexoi një tekst të Nikollaj Velimiroviqit, një teolog i Kishës Ortodokse Serbe dhe adhurues i Adolf Hitlerit. Velimiroviqi (1880–1956) ishte nacionalist, përkrahës i fashizmit dhe antisemit. Një shembull nga trashëgimia e tij antisemite dhe raciste është ky: „Të gjitha sloganet moderne evropiane i kanë hartuar hebrenjtë, të cilët e kryqëzuan Krishtin: edhe demokracinë, edhe grevat, edhe socializmin, edhe ateizmin, edhe tolerancën e të gjitha feve, edhe pacifizmin, edhe revolucionin e përgjithshëm, edhe kapitalizmin, edhe komunizmin. Të gjitha këto janë shpikje të hebrenjve, përkatësisht të babait të tyre, djallit“.

Ky është idhulli i studentëve serbë. Një antisemit! Meqë Velimiroviqi ka vdekur, studentët vitin e shkuar e lejuan të ngjitet në skenë Millo Llompari, një profesor letërsie me bindje nacionaliste dhe lavdërues i poezive të kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq. Në fjalën e tij, Llompari apeloi të mos harrohen serbët në Kosovë, në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, bëhet fjalë për “lirinë e popullit serb jashtë Serbisë” dhe për “luftën për integralizmin serb”. Ky vokabular është pjesë e arsenalit luftënxitës për krijimin e “botës serbe”, një koncept që përshkruan ideologjinë serbomadhe.

Memorandumi i publikuar sot nga studentët serbë duket si derivat i Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë nga viti 1986. Dokumenti i atij viti çoi drejtpërdrejt në masakra si ato në Vukovar, Srebrenicë dhe në Kosovë. Tezat e memorandumit u shërbyen politikanëve si Sllobodan Millosheviqi për të legjitimuar politikat pushtuese serbe. Nuk është rastësi që pas memorandumit (1986) në pushtet erdhi Millosheviqi (më 1987). Në memorandumin e vitit 1986 pretendohej për një „diskriminim ekonomik të Serbisë“, „shtypje të serbëve në Kroaci“ dhe për „gjenocid ndaj serbëve në Kosovë“. Dhe kërkohej të merrte fund „diskriminimi i popullit serb“. Sipas kësaj optike, Serbia ishte viktimë. Për 10 vite, 1989-1999, Serbia ndezi katër luftëra në Ballkan (Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë). Kaq sa i përket rolit të viktimës.

Memorandumi ultranacionalist i studentëve serbë menjëherë ka ngjallur reagime - përkrahëse dhe refuzuese. Në rrjetin X një lexues shkroi: “A do të thotë kjo atëherë se, kur t’ia kthejmë vetes Kosovën (me 90 për qind shqiptarë) duke u thirrur në histori, edhe neve do të na duhet t’ia kthejmë Vojvodinën ‘pronarëve të vjetër’, e ndoshta madje edhe Beogradin, ku hungarezët në vitin 1456 patën një betejë më të madhe dhe më të rëndësishme kundër turqve (dhe për më tepër fituan) sesa kjo e jona e Kosovës e vitit 1389?” Një tjetër lexues nuk ishte lodhur të shkruante gjatë; komenti i tij përbëhej nga gjashtë shkronja cirilike: “Идиоти” (në shqip: idiotë). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos