
Nga Adri Nurellari
Problemi i Dardan Molliqajt është se duket sikur ende jeton me romantizmin e revolucionit permanent dhe urrejtjes patologjike për PDK-në. Politika për të nuk është projekt për të ardhmen, por një luftë e pafund me “armikun” e djeshëm. Një Don Kishotizëm modern ku mullinjtë e erës quhen PDK, ndërsa pushteti real kalon pranë tij pa u shqetësuar fare.
Me Kurtin duket se ka pasur tamam marrëdhënie “dashuri- urrejtje” në stil telenovele pasionante hispanike, dikur sillej si dishepulli më i zjarrtë i revolucionit të tij dhe tani si zemërthyer i zhgënjyer që ende s’e ka tejkaluar ndarjen.
Numri 2 i Vetëvendosjes, kurrë nuk pati një reflektim serioz: pse u nda me Kurtin. Nuk kemi asnjë pendesë e kërkim falje për veprimet e dhunshme të së kaluarës apo për pasojat që vuajmë sot nga fuqizimi i tij. S'kemi shpjegime pse doli gjithë ajo retorikë urrejtjeje, molotovë, gaz lotsjellës, dhunë politike; fizike e histeri kolektive konsideroheshin “kauzë”, dhe pse sot sillet sikur s’ka ndodhur asgjë, ndërkohë që dihet se ka qenë protagonist?! Vetëm njëfarë distancimi elegant nga pasojat dhe nostalgji për revolucionin permanent.
Këtu fillon komedia e madhe, Molliqaj me shokët e tij më të zellshëm që ishin apostujt e revolucionit filluan të sillen sikur s’kanë qenë kurrë aty. Sikur molotovët kanë rënë vetë nga qielli si reshje atmosferike apo sikur klima e urrejtjes politike ka qenë ndonjë fenomen natyror. Sikur ata s’kanë kontribuar për vite në helmimin e debatit publik dhe normalizimin e agresivitetit politik.
Por ajo që e bën më ironike këtë situate është fakti që zemërthyerit e Kurtit sot po marrin rolin e profesorëve të opozitarizmit. Të japin leksione çdo ditë si “duhet bërë opozita”, si “duhet folur me popullin”, si “duhet fituar besimi kundër Kurtit”, ndërkohë që vetë kanë frikë të përballen me votuesin ose kur futen vetë në garë politike nuk arrijnë as pragun. Në studio televizive flasin si të ishin Çërçillat e demokracisë dhe në kuti votimi mezi prodhojnë rezultat sa për një këshilltar komune.
Por pjesa më absurde është se kanë kaluar gati 7 vjet që PDK është në opozitë, ndërsa disa ende flasin për të sikur po luftojnë regjimin në pushtet duke sharë PDK-në.
Molliqaj me shokët e tij ende flasin për të sikur po luftojnë një diktaturë imagjinare që kontrollon çdo institucion, çdo rrugë, çdo televizion e ndoshta edhe motin. Jetojnë emocionalisht në vitin 2016 sepse në mendjen e tyre, koha ka ndalur aty dhe historia nuk ka lëvizur. Një lloj varësie emocionale ndaj konfliktit, sikur pa armikun e përhershëm, pa dramën, pa demonin mitologjik të PDK-së, iu shembet krejt identiteti personal politik.
Dhe kështu kemi të bëjmë me lindjen e fenomenit më qesharak e pervers në Kosovë; "opozita kundër opozitës". Njerëz që harxhojnë më shumë energji duke sulmuar ata që s’janë në pushtet sesa qeverinë që vetë kanë ushqyer dhe që e kontrollon plotësisht shtetin prej vitesh. Në vend që të sakrifikonin egot dhe konfliktet personale për një të mirë më të madhe politike opozitare , janë
dëshmuar se për ta konfliktet e së kaluarës vlejnë më shumë sesa beteja reale politike e së tashmes.
Është si të shohësh dikë që pretendon se po lufton zjarrin, por gjithë kohën spërkat me ujë shtëpinë e fqinjit ndërsa qyteti shkrumbohet pas shpine.
Në fund, tragjedia e Molliqajt dhe shokëve të tij më e madhe është se ende s’e kanë kuptuar që politika nuk është terapi për traumat personale dhe as vend për të zgjatur pafund dramat dhe nostalgjitë e vjetra emocionale. Sepse kur një "opozitë në tentativë" harxhon gjithë energjinë duke luftuar hijet e së kaluarës, pushteti real i Kurtit vetëm qesh dhe forcohet me opozitarët e përçarë. (A2 Televizion)