
“Turizmi këtë vit ka pasur një “boom”, por sfida më e madhe mbetet që turistët që po e vizitojnë vendin gjithnjë e më shumë, të vijojnë të kthehen.” I këtij mendimi është eksperti i ekonomisë Dritan Shano, i cili në Intervistë me Merita Haklajn shtoi se marketingu që i ka bërë qeveria këto vitet e fundit këtij sektori, luan një rol shumë të madh.
“Qeverisa shqiptare në këto 2-3 vite ka ndërmarrë një fushatë marketingu të vendit të pa ndeshur më parë. A është kjo ajo që duhet është tjetër diskutim. Por, kjo fushatë marketingu e bashkuar më përpjekjet sfilitëse të agjencive që sjellin turistë në Shqipëri, po jep rezultate,” u shpreh ai.
Shano thekson se turizmi është vetëm hallka e fundit i një zinxhiri të gjatë sektorësh të cilët duhet të lulëzojnë nëse duam që “boomi” të mos jetë jetëshkurtër.
“Turizmi, nuk mund të ndodhë në mënyrë të qëndrueshme, pa bujqësi, transport, energji, garantim shëndeti, siguri në ushqim. Jemi në faza fillestare të gjitha këto. Duhen përpjekje shumë të mëdha që turizmi të mbetet i qëndrueshëm. Nëse turistët do të kthehen ky do të jetë suksesi i vërtetë.”
Në Shqipëri, shton eksperti i ekonomisë, mungojnë edhe shkallët e karrierës që mund t’i shtyjnë njerëzit të investojnë kohë dhe para në profesionet që janë të lidhura me shërbimin.
“Që arsimi të marrë kuptim duhet të ketë ekonomi në krahun tjetër. Nëse ne do të kishim investuar fort, një dekadë më parë në teknologjinë e informacionit, do të kishim promovuar arsimin profesional dhe në universitetit, nëse do të kishin futur kodimin dhe programin, 10 vite më parë, që në shkollën fillore edhe tregu do të kishte marrë sinjale që të përgatitej.”
Dritan Shano vlerëson se arsimi duhet të strukturohet në mënyrë të tillë që të jetë në favor të degëve të ekonomisë që janë thelbësore si bujqësia dhe ato degë të ekonomisë që duhet të zhvillohen, për të marketuar turizmin.
Këto, siç u shpreh ai, janë të nevojshme që turistët të mos kenë përballë një tjetër realitet në postet apo shkrimet e marketingut dhe një realitet krejt të ndryshëm kur e vizitojnë vendin.
(A2 Televizion)