Bora përfshin qarkun e Kukësit, probleme në disa akse dhe me furnizimin me energji

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 10:49 | Aktualitet

Në qarkun Kukës, vijojnë reshjet e borës me intensitet në zonat e ulëta dhe në lartësi mbi 600-800 m, e shoqëruar me erë të fortë. Në Valbonë, ka rënë borë e re 35 cm. Po ashtu, edhe në Shishtavec.

Bora e re ka nisur edhe në qytetin e Kukësit. Reshjet janë të dendura, por nuk kanë krijuar shtresë për shkak të erërave të forta dhe lagështisë në rrugë. Më herët, në 24 orët e fundit, në qytetin e Kukësit pati reshje të dendura shiu.

Ndërkohë, rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht, megjithatë janë nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve. Rënie inertesh dhe masive shkëmbore ka në rrugën Bajram-Curri-Valbonë, Ura e Zapodit -Shishtavec i rrugës nacionale Kukës-Shishtavec.

Në rrugën e vjetër Kukës-Kalimash ka rrëshqitje dherash në aksin Fushë-Dukagjin-Vrish. Në këto rrugë po punohet për pastrimin e tyre dhe vënien në qarkullim të mjeteve. Edhe rrugët rurale në administrim të Bashkive, në disa akse të thella malore, ka rënie gurësh dhe bllokim të tyre.

Sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës Kukës, problem kryesor ngelet rezervuari i T’Planit në Fierzë, ku si pasojë e reshjeve të këtyre ditëve, situata e rezervuarit është përkeqësuar shumë. Rezervuari është mbushur plot ku dhe uji ka filluar të rrjedhë nga shkarkuesi. Për largimin e ujërave janë vendosur 4 pompa thithëse.

Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë qarkun Kukës përveç Nj. Ad Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çaje Topojan, Surroj e fshati Mamëz i Nj.Ad. Kolsh, fshati Valbonë e Koçanaj Nj.Ad. Margegaj, fshatrat Palce, Salcë e Brisë të njësisë Lekbibaj, bashkia Tropojë dhe fshatrat Pogaj e Kishaj të Nj.Ad Gjinaj, Bashkia Has.

Furnizimi me  ujë të pijshëm është normal në shkallë qarku. Referuar të dhënave për situatën hidrike në basenin më të madh ujëmbledhës në vend mësohet se si pasojë e reshjeve të shiut niveli në liqenin e Fierzës, aktualisht, është 290.21 m, nga 296 m niveli, maksimumi i lejuar. Prodhimi në HEC-in e Fierzës, është 6.000 Meh (ditor). Shkarkimet  në HEC-in e Fierzës, është 299 m3/s nga prodhimi dhe 0 m3/s shkarkime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos