Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç: Kemi një plan për tejkalimin e krizës në veri

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2022, 11:50 | Kosova
Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç: Kemi një plan

Në nisje të takimit të Këshillit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, iu rikthye edhe njëherë situatës në veri të Kosovës, e cila është tensionuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Pas takimeve që zhvilloi në fundjavë me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, Borrell u shpreh se iu ka bërë një propozim Kosovës dhe Serbisë për tejkalimin e situatës në veriu, pas largimit të serbëve nga institucionet. "Kemi paraqitur një propozim i cili duhet të diskutohet si një rrugëdalje e mirë nga situata. Duhet t'u bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin përkushtimet e tyre, të respektojnë angazhimet dhe të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur shumë vjet më parë", tha zoti Borrell, por pa dhënë hollësi se për çfarë bëhet fjalë.

Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pasi qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave.

Gjatë takimeve të javës së kaluar me dy liderët, Borrell, u tha Kurtit dhe Vuçiçit, se është tepër e rëndësishme që palët të shmangin retorikat që ndezin gjakrat dhe veprimet e njëanshme. “Me luftën në Ukrainë, Europa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësia e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e popujve të tyre, që do të humbisnin më shumë se kushdo tjetër nëse sjellja e tanishme nuk ndryshon”, u citua Borrel nga zyra e tij e shtypit.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e vendit dhe të rifillojnë detyrat dhe Kosova duhet të ravijëzojë veprimet e saj mbi targat sipas marrëveshjeve të mëparshme dhe të nisë bisedimet për themelimin e Asociacionit / Komunave me shumicë serbe pa vonesë. Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/10/ministri-serb-i-mbrojtjes-jemi-te-afte-per-lufte-por-nuk-duam/
https://a2news.com/2022/11/11/borrell-pas-takimeve-me-kurtin-e-vucicin-nuk-duam-lufte-ne-token-tone-serbet-te-kthehen-ne-institucionet-e-kosoves/

A2 CNN Livestream

Latest Videos