Armëpushim në këmbim të pengjeve! Qindra palestinezë nën rrënoja, Izraeli sulmon nga ajri dhe toka

Nga Rosalba Bejdo
27 Tetor 2023, 16:07 | Bota

“Nuk do të ketë lirim të pengjeve pa armëpushim”. Është kushti që vendos Hamas ndaj Izraelit, i cili vijon të ndëshkojë enklavën me një fushatë të pamëshirshme bombardimesh ajrore. Këtë e tha një pjesëtar i delegacionit të degës politike të Hamasit që zhvilloi një vizitë të papritur në Moskë. Izraeli vlerëson se 229 qytetarë po mbahen peng nga militantët në Gaza, shumica e të cilëve edhe me nënshtetësi të huaj.

Ushtria e Tel Avivit, vijon pa u ndalur sulmet ajrore ndaj shënjestrave të Hamasit, duke goditur 250 të tilla gjatë 24orëve të fundit. Forcat e mbrojtjes thanë se kishin vrarë në operacion edhe zv.kryetarin e degës së inteligjencës së Hamasit dhe tre zyrtarë të lartë që luajtën rol të rëndësishëm në sulmin e 7 tetorit.

Ka gjithashtu raportime për përleshje të militantëve palestinezë dhe trupave izralite në dy zona brenda rripit të gazës, në një tjetër inkursion tokësor të  shkallës së vogël, para ofensivës madhore, të lajmëruar nga Tel Avivi.

Sakaq, situata në Rripin e Gazës bëhet gjithmonë e më e dëshpëruar, teksa mbi 7 mijë njerëz janë vrarë në 20 ditë bombardime. Sulmet e fundit i morën jetën edhe një gruaja 8 muajshe shtatzënë dhe fëmijët që mbante në bark. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 1 mijë persona gjenden nën rrënojat e godinave të shkatërruara nga bombat në gaza. 10 kamionë të tjerë me ndihma hynë nga Egjipti, por sipas OKB ato janë vetëm thërrime, në krahasim me nevojat e popullsisë atje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos