Lufta brenda Gazës do të jetë e gjatë. Ky ishte paralajmërimi, e mbi të gjitha zotimi i kryeministrit Benjamin Netanjahu, teksa theksoi në një dalje për mediat, se qëllimi në këtë fazë të dytë të luftës izraelite është shkatërrimi njëherë e mirë i Hamas dhe rikthimi i pengjeve, çlirimi i tyre nga duart e grupit militant. Zhvillimet e fundit i sjell nga Tel Avivi, gazetari i CNN, Rafael Roo.
“Kryeministri Benjamin Netanjahu foli publikisht në një adresim televiziv, ku në krah kishte edhe ministrin e tij të mbrojtjes, Joav Gallant dhe ish-ministrin Benny Gantz. Netanjahu tha se faza e dytë e luftës kundër Hamas, ka nisur. Qëllimi në këtë fazë, siç ai tha, ishte shkatërrimi i grupit të armatosur dhe qeverisë së Hamas dhe rikthimi në shtëpi shëndoshë e mirë, i pengjeve që po mbahen në Gaza.
Netanjahu ngriti paralele mes konfliktit të Izraelit me Hamas dhe luftës arabo-izraelite, në kohën kur Izraeli shpalli pavarësinë e saj.
Njetanjahu tha dhe këtu citoj: “Lufta brenda Gazës do të jetë e gjatë. Kjo është lufta jonë e dytë për pavarësi. Ne do ta shpëtojmë vendin tonë”.
Ne ishim në qytetin e Ashkelon dhe vumë re se sulmet ajrore në gaza, janë intensifikuar. Vume re po ashtu, pak orë më parë këtu në Tel Aviv, se si Hamas nga ana tjetër, vazhdon të lëshojë raketa nga Gaza. Jo më larg se të premten në mbrëmje, një raketa e tyre ra mbi një godinë banimi, dhjetëra vetë u plagosën. Netanjahu foli edhe për situatën e pengjeve, duke konfirmuar se ka folur me familjet e tyre dhe është zotuar se do të shqyrtojë çdo mundësi që ata të kthehen në shtëpi. Gjatë këtij komunikimi të shkurtër me median, ministri izraelit i Mbrojtjes Gallant, tha se intensifikimi i sulmeve nga Izraeli, rrit shanset që Hamas t’i kthejë gjallë pengjet që mban në Gaza.
Sa i takon armëpushimit, janë bërë kërkesa të vazhdueshme nga disa vende, nga ato arabe deri tek Norvegjia, sikurse edhe nga Organizata si OKB apo Organizata Botërore e Shëndetësisë, që kërkojnë një pushim, për të lejuar ndihmat humanitare drejt Gazës.
Ndërkohë, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i ka bërë thirrje kombeve arabe, që të ndërhyjnë, përmes një samiti emergjent të Ligës Arabe, për t’ju përgjigjur operacioneve të Izraelit në Gaza” (A2 Televizion)