Autori i dyshuar për vrasjen e 18 personave në qytetin Lewiston, në shtetin amerikan të Maine, është gjetur i vdekur pas një kërkimi treditor.
“I dyshuari për të shtënat e së mërkurës mbrëma është gjetur dhe ka ndërruar jetë”, postoi Zyra e Sherifit të Qarkut Androscoggin në Facebook.
Nuk është e qartë se ku u gjet trupi i Robert Card, 40-vjeç. Sipas CBS News, partneri amerikan i BBC-së, trupi i tij u gjet pranë një qendre riciklimi. Card besohet se ka vrarë veten.
Zyrtarët i thanë mediave amerikane se autori kishte lënë një shënim lamtumire, por pa specifikuar se çfarë shkruante. Ajo që dihej ishte se ky mesazh i drejtohej djalit të tij.
“Zemrat tona janë thyer”, tha Katie Card, e cila është e martuar me vëllanë e sulmuesit.
Card ishte një rreshter në një bazë Rezervë të Ushtrisë Amerikane aty pranë dhe policia tha se ai ishte i shtruar përkohësisht në një institucion të shëndetit mendor gjatë verës. Mes të vrarëve në Lewiston ishin katër vendas të shurdhër të moshës 14 deri në 76-vjeç.
-
Masakra e Lewiston, FBI dhe SWAT në kërkim të autorit
27 Tetor, 10:13 -
(A2 Televizion)