Botërori i boksit, një fitore larg bronzit, Beqiri kualifikohet mes 8 më të mirëve

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2021, 15:16 | Sporte të tjera
Botërori i boksit, një fitore larg bronzit, Beqiri kualifikohet mes 8

Një shqiptar po mahnit në Beograd. Edhe pse përfaqësuesja kuqezi kërcënoi me tërheqje nga Botërori i boksit në Beograd, pasi Kosova nuk po lejohej të përfaqësohej me simbolet e saj, Alban Beqiri po shkëlqen në eventin më të rëndësishëm në ring, në peshat nga 67 deri në 71 kg.

Djaloshi i lindur në Pukë, realizoi një arritje historike, duke u kualifikuar mes tetë më të mirëve në botë. Luftëtari kuqezi mban edhe brezin e kampionit të Ballkanit dhe shpreson që suksesin ta vazhdojë edhe në arenën më të rëndësishme ndërkombëtare.

Boksieri, i cili është pjesë e skuadrës së Tiranës, triumfoi në duelin e tretë, përballë rivalit nga Panamaja, Eduardo Beckford Chambers. Një sfidë e fituar me zgjuarsi dhe teknikë të lartë, edhe pse shtatlartësia dukej sikur e penalizonte përballë kundërshtarit.

Më parë, Beqiri kishte fituar edhe kundër Maina nga Keniadhe Banis nga Lituania. Pasi u kualifikua në çerekfinale, ai ka njohur edhe emrin e rivalit që do të ketë përballë. Bëhet fjalë për Zeyad Ishaish nga Jordania, një kundërshtar mjaft i fortë, që nga ana e tij mposhti dy herë kampionin Olimpik, kubanezin Sotolongo. Nëse arrin të triumfojë, Alban Beqiri do të siguronte edhe medaljen e bronzit në Botëror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos