
Mijëra nxënës braktisin arsimin e detyruar çdo vit. Të dhënat nga Ministria e Arsimit tregojnë se fenomeni vijon të mbetet prezent në sistemin arsimor në vend duke mbetur në vlerat e 0.5 për qind të arsimin bazë, i cili përfshin atë fillor dhe të mesëm të ulët.
Shumëfish më e lartë është përqindja e nxënësve braktisës në gjimnaze,ku vlera luhatet me 1.8 dhe 3.4%. Përfaqësues nga fusha e arsimit paralajmërojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta nga sa raportohen.
Por si mund të parandalohet dhe kurohet problemi me “efekt të ngadaltë”por me pasoja të rënda për vendin?
Gati 17 mijë nxënës, vetëm nga arsimi 9-vjeçar kanë braktisur shkollën në dekadën e fundit. Kushtet e vështira ekonomike dhe emigrimi janë dy nga arsyet kryesore të këtij fenomeni. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Unicef, raportojnë se numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën gjatë këtij dhjetëvjeçari, është 2-fishi i atyre që pohon Ministria e Arsimit. (A2 Televizion)