

















“Love don’t cost a thing” - “Dashuria nuk kushton fare”, është titulli i një prej këngëve më të famshme të Jennifer Lopez. Por ajo dhe bashkëshorti Ben Affleck, kanë zgjedhur të jetojnë në një vilë marramendëse në Beverly Hills, me vlerë 60 milionë dollarë.
Çifti i ri kurorëzoi lidhjen fundjavën e kaluar në Las Vegas dhe nuk ka humbur kohë për të gjetur folenë e dashurisë. Sipas TMZ vila dikur ka qenë në pronësi të Danny DeVito.
JLo dhe Affleck u pikasën për herë të parë pranë vilës në muajin maj, ndërsa së fundmi TMZ raporton se aty janë parë kamionët që transportojnë mobilje dhe kuti të mëdha.
DeVito raportohet se e shiti vilën në vitin 2015 për 28 milionë dollarë. Blerësit realizuan shumë modifikime dhe e nxorën në shitje për 85 milionë dollarë. Por në vitin 2018 ajo u shit për herë të fundit për 60 milionë dollarë.
Është e paqartë sa kanë paguar Lopez dhe Affleck për shtëpinë. Vila ka një sipërfaqe prej 2700 metrash katrorë dhe ka dhoma të mjaftueshme për 5 fëmijët që ata kanë.
Lopez ka dy fëmijë 14-vjeçarë, Max dhe Emme, nga martesa me Marc Anthony, ndërsa Affleck ka tre fëmijë, Violet, 16 vjeç, Seraphina, 13 vjeç dhe Samuel, 10 vjeç, nga martesa me Jennifer Garner.
Shtëpia në fjalë është e pajisur me të gjitha lukset e mundshme, si një sallë kinemaje, një sallon flokësh, palestër, dhomë argëtimi, një qilar për verën, pishinë dhe disa shtëpiza të vogla rreth pronës për miqtë.
Pasionin për gatimin JLo mund ta konsumojë në kuzhinën marramendëse, me 2 furra, dhe hapësirë të mjaftueshme për të gatuar gjithë ditën. Ndërsa dhoma e ngrënies ka një tavolinë për 12 persona.
Dhoma kryesore e gjumit ka një dollap gjigant për mijëra fustanet dhe këpucët e yllit të muzikës pop. Vila shtrihet në një truall prej më shumë se 5200 metrash dhe gjithashtu ka një garazh për 8 makina.
Lopez dhe Affleck ishin në një lidhje 20 vite më parë, por edhe pse kishin planifikuar një dasmë luksoze në vitin 2003, në fund vendosën të ndaheshin. 20 vite më pas, ata u ribashkuan dhe këtë herë, pas martesës në fshehtësi në Las Vegas, duket se kanë vendosur që luksin t’ia rezervojnë shtëpisë ku do të jetojnë. (A2 Televizion)