
Gjashtë muaj pasi breshri shkatërroi pothuajse gjithë prodhimet e fruto-kulturës së fermerëve në fshatin Mançurisht të Devollit, këta të fundit ende nuk janë dëmshpërblyer për dëmin që iu është shkaktuar. Fermerët janë të indinjuar për mungesën e vëmendjes nga strukturat shtetërore dhe shprehen se po i gënjejnë, ashtu siç i kanë gënjyer edhe më parë.
Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Devollit, kërkesa zyrtare për dëmshpërblim i është dërguar autoriteteve qendrore, por ata kanë kërkuar plotësim të dokumentacionit dhe gjashtë muaj më pas, procedurat vijojnë akoma me plotësimin e shkresave.
Zerina Sinani zv.kryetare e Bashkisë së Devollit nuk jep një afat kohor se kur mund të arrihet dëmshpërblimi për shkak se dosja është voluminoze, ndërsa fermerët do ta kenë të pamundur për të investuar në prodhimet e këtij viti, duke qenë se nga prodhimet e viti të kaluar nuk morën asnjë të ardhur. (A2 Televizion)