
I shqetësuar nga rritja e rasteve tek të rinjtë, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi t’i mbajë përsëri studentët larg auditoreve. Por, ndërkohë, peticioni i studentëve bëri që Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit, të dëgjojë nga një përfaqësi prej tyre, arsyet se përse e konsiderojnë të domosdoshëm kthimin e menjëhershëm në universitete.
“Kërkuam që seminaret të bëhen në auditore, lëndët praktike t’i kryejmë në laborator. Do të kërkojmë po ashtu edhe reduktimin e tarifave, duke qenë se nuk kemi marrë pjesë në universitete”, thonë studentët.
Ndërsa Najada Çomo u shpreh: “Universitetet bosh sot për të pasur spitalet bosh nesër”.
Paralajmërimit të shefes së Spitalit Covid 1, studentët iu përgjigjën me një kërkesë shtesë drejtuar Komitetit të Ekspertëve: “Kërkuam brenda mundësive vaksinimin e pedagogëve, të cilët do të na shërbejnë për lëndët e seminareve si dhe për ato praktike në laboratore”.
Studentët do të presin mesin e javës së ardhshme për një përgjigje zyrtare nga Komiteti i Ekspertëve. Në rast të kundërt, ata premtojnë se do të organizojnë edhe protesta. (A2 Televizion)