
Paundi britanik ka regjistruar humbjen më të madhe në tre vjet teksa shqetësimet e tregut janë rritur ndjeshëm për shkak të Brexit.
Sipas analistëve, perspektiva e paundit është mjaft e zymtë pasi kërcënimi më i madh për valutën britanike për pjesën e mbetur të vitit është rreziku i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Sterlina ra me 0.8% të martën duke u këmbyer me 1.2 dollarë. Herën e fundit që paundi regjistroi një humbjë të tillë ishte në tetor të vitit 2016, kur ish-kryeministrja Theresa May njoftoi planin për t’u tërhequr nga Bashkimi Europian.
Krahas rënies së valutës, tregu duhet të luftojë gjithashtu edhe me vendimin e politikës së Bankës së Anglisë, ku sterlina mund të përballet me një presion të mëtejshëm.
Teksa data 31 tetor për largimin e Britanisë po afron, zyra e kryeministrit Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të shtyjë Bashkimin Europian që të negociojë një marrëveshje më të mirë divorci. (A2 Televizion)